Reagime të shumta kanë ardhur nga komuniteti çam këto ditë pas disa botimeve të gazetës DITA. Deputeti Idrizi ka dërguar një letër në redaksi të cilën ne e botuam në numrin e 12 janarit së bashku me qëndrimin redaksional. Ngjashëm me politikanë të tjerë, z.Idrizi i është shmangur deri tani hetimit me procedura. Sic e kemi theksuar edhe në shkrimet mbi këtë dosje, tërheqja nga padia e akuzuesit të tij, pavarësisht rrethanave, nuk e zhbën dot hetimin për kategorinë e veprave penale për të cilat akuzohet. Dosja në Prokurori përmban dëshmi e dokumenta ku Idrizi akuzohet për vjedhje, mashtrim dhe si autor i dyshuar nga paditësi për një kërcënim me vrasje.
Nga letrat dhe emailet që kemi marrë këto ditë nga lexues të komunitetit çam, kemi kuptuar që për ta ka qenë e rëndësishme dhe shumë sensibël kjo temë e njohjes së personalitetit të përfaqësuesit të tyre në Kuvend. Me sa duket, kontaktet e z.Idrizi me këtë komunitet kanë qenë aq të pakta, sa shumica prej tyre nuk kanë ndërtuar ende një identikit të qartë personal dhe politik të tij.
I kemi kërkuar ndërkohë prononcim zyrtar edhe Prokurorisë se çfarë do bëjë me këtë dosje, në të cilën, përsërisim: ka akuza mbi vepra të cilat duhen hetuar dhe nuk mund të zhbëhen me procedura qofshin këto edhe tërheqje nga padia. Jemi prej disa ditësh në pritje të përgjigjes nga Prokuroria. Nisur nga premtimi i kryeprokurorit të ri z.Llalla – që dosjet për politikanët (e sidomos ato që kanë të bëjnë me pasuritë e tyre dhe mënyrat si janë vënë këto pasuri) do jenë në qendër të vëmendjes së tij – mendojmë se kjo përgjigje do të na vijë shpejt.
Leave a comment