Ishte çast historik. Historik jo vetëm për shkak të vizitës, por për shkak se mesha e së dielës po mbahej në Tiranë, jo në Vatikan dhe në mes të tjerash, RAIUNO e transmetonte drejtëpërdrejt. Jo vetëm për këto dy fakte, por edhe të tretin. Ftesën e papës e kishte bërë partia, që kishte ndaluar ekzistencën e zotit në Shqipëri. Kjo është karmë: anuloi zotin, rrënoi objekte e kultit, sot Partia Socialiste papës i organizon një pritje madhështore. Ajo çfarë raportohej nga të huajt për Shqipërinë në media, të bënte krenar me të qenit shqiptar. Komente smirake ka nëpër gazeta serbe nga lexuesit. Ata nuk e kuptonin se pse pikërisht tek ne. Si merituan shqiptarët që Ati i Shenjtë, t’ i përkulet Shqipërisë e të lutet për Shqipërinë?
Kritikat që u bënë për zbukurimin e qytetit, u bënë kryesisht nga publicist apo analistë me karakter komunist, apo të traumatizuar nga komunizmi, sa çdo pritje madhështore, e krahasojnë me komunizmin. Në publicistikën shqiptare kemi disa hankohalla, me karakter bulevardesk, që kritikojnë çdo gjë dhe shajnë çdo gjë. Ata luftojnë komunizmin, me trauma vetjake komuniste. E keqja e madhe nuk është kjo, e keqja tragjike dhe komike njëkohësisht është se ata janë të bindur se dinë çdo gjë më mirë se çdo kush dhe pyetën nga çdokush dhe pastaj mbështeten në divan të qetë duke konsideruar veten diktator të mendimit, destinacionit dhe mendimit konstruktiv shqiptar.
Sidoqoftë ardhja e papës për ta bërë të njohur në botë harmoninë shqiptare fetare, është një mirënjohje fisnike. Kjo harmoni ka mbijetuar pse nuk kemi duruar përzierje nga jashtë.
Populli shqiptar ka pritur në mënyrë madhështore edhe James Backer, edhe Bushin dhe gjithmonë pret me emocione të larta të gjithë ata që na respektojnë dhe na duan ashtu si jemi: të ndryshëm nga bindjet fetare, por të bashkuar nëpërmjet gjuhës dhe bindjeve kombëtare. Të ndryshëm në lutje, por të bashkuar në qëllim dhe itinerar.
Shqiptari që i beson shqiptarisë krenohet me të gjithë ata që japin një kontribut për kombin. Atij nuk i intereson se cilit libër i lutej kontribuesi. Kjo është arsyeja pse jemi popull i mrekullueshëm: sepse nuk urrejmë, por para se ligji të shpallte religjionin çështje private dhe individuale, e kishet bërë praktikisht malësori shqiptar. Sepse në të njëjtën familje kishte besime të ndryshme. Sepse shqiptaria është kulm i çdo gjëje, por religjionet janë kate të brendshme.
Letër e nënshkruar
Naser Aliu
