Ndoshta pak njerëz e dinë që sapo është festuar 90-vjetori i krijimit të Shërbimit Pyjor të Shqipërisë. Pak më i veçantë ishte ky përvjetor sivjet. Akoma nuk ka kaluar plotësisht atmosfera e 100 vjetorit të Pavarësisë dhe me këtë rast, me kryesinë e Shoqatës vendosëm ta festojmë së bashku këtë përvjetor me miq të nderuar. Tre janë dhuratat që kemi përgatitur për këtë festë. – Pasqyrë të ngjarjeve “pyjore” në 100 vjet, që përbën një historik të Shërbimit Pyjor dhe është i pari i këtij lloji për komunitetin e pylltarëve; – Numri i parë i revistës “Pylltaria” që ribotohet pas 20 vjetësh;
-Një suplement i kësaj reviste që përmbledh shkurt arritjet dhe problemet e pylltarisë shqiptare.
Vendosëm që Shërbimin Pyjor Shqiptar ta kthejmë në dy kohë, në kuptimin e vlerësimit të kontributeve: në të tashmen dhe në të ardhmen. Do merremi vetëm me kontributin e të gjallëve. Dhe kështu listuam rreth 150 inxhinjerë e teknikë pyjesh, që janë në pension për të vlerësuar kontributet e tyre me një mirënjohje të shoqatës. E filluam listën me Eftim Naumin, moshatar me Pavarësisë (103 vjeç, qe jeton në Amerikë) dhe me teknikun e nderuar të pyjeve, z. Avdul Musollari, moshatar me Sherbimin Pyjor Shqiptar.
*****
Në historinë e Pylltarisë Shqiptare, kontributet në të mëdha i kanë njerëz të profesioneve të tjerë (jo pylltarë), e kjo për arsye historike. E natyrisht që vlerësimi i këtyre kontributeve nuk mund të jetë atribut vetëm i shoqatës sonë. Ndoshta 100 vjetori i Shërbimit Pyjor do t’i bëjë vlerësimet që u përmëndën, të pandikuara nga koha kur janë dhënë apo nga njerëzit. Eshtë për t’u përmëndur sot një njeri që ka lidhje me dy momentet më të rëndësishme të historisë së shërbimit pyjor e që janë ligji i parë shqiptar i pyjeve, i datës 27 janar 1923 dhe qe përcakton edhe festën që kemi sot, si dhe vendimi i Këshillit të Ministrave për hapjen e Fakultetit të Pyjeve. Të dy këto akte mbajnë firmën e z. Spiro Koleka.
Për ne pylltarët i ndritë shpirti atje ku është.
Duhet përmendur gjithashtu dekreti i 11 dhjetorit 1939, i firmosur nga Mbreti i Italisë, Shqipërisë dhe Etiopisë, për ndalimin e eksportit të druve të zjarrit dhe qymyrit të drurit, apo akti i tërheqjes nga posti i Ministrit, i z. Jakov Mile, për arsye se nuk ishte dakord me një urdhër për konçension në pyje. E bëra këtë parantezë për të patur të drejtën të falenderoj të gjithë Ministrat që kanë drejtuar pyjet në këto dekadat e fundit, i bindur së në 100 vjetorin e Shërbimit Pyjor, shteti dhe shoqëria shqiptare do të vlerësojnë më realisht kontributin e të gjithëve.
*****
Eshtë e udhës që kur festohet nuk përmënden hallet dhe unë do të mundohem t’i përmbahem kësaj filozofie. Në Promemorjen (Suplimentin) që citova më sipër janë evidentuar edhe arritjet edhe problemet e pylltarisë shqiptare.
Por shqetësimi që duhet të ngre sot, është i madh, i përbashkët e na takon jo vetëm ne, prandaj duhet thënë: Marrëdhëniet e shoqërisë shqiptare me pyjet në veçanti dhe me natyrën në përgjithësi janë cënuar rëndë në vitet e fundit e kjo ka vetëm një shkak: keqpërdorimi i pamatë i burimeve njerëzore po çon drejt shkatërrimit të pyjeve e burimeve të tjera natyrore. Pyjet qajnë kur priten, rënkojnë kur digjen. Ato kërkojnë nga ne t’i mbrojmë si çdo oraganizëm i gjallë. Ata duken kur vuajnë. Po me nëntokën ç’ndodh vallë? Harrojmë që po shkatërrojmë pasuritë kombëtare. Nga rreth 1.180 punonjës që kishte shërbimi pyjor në vitin 2006, nga të cilët 900 ishin inxhinjerë dhe teknikë, tani kemi rreth 500 punonjës, nga të cilët vetëm rreth 200 janë inxhinjerë, ndërkohë që Fakulteti i Shkencave Pyjore “prodhon” rreth 60 inxhinjerë në vit e ndoshta po kaq teknikë të mesëm. Po ku shkojnë vallë? As 5 % e tyre s’kanë shansin të punësohen.
Ne pylltarët e braktisëm pyllin, me hir e me pahir. Ata pak specialistë që kanë mbetur janë tërhequr nga fronti dhe tani shkojnë rrallë e më rrallë në pyll. Por ç’ndodh vallë me teknikët dhe inxhinjerët që janë në profesion të lirë? Ata drejtojnë “teknikisht” nga zyrat dhe nga shtëpitë e tyre, ata që operojnë në pyje, që shfrytëzojnë, që grumbullojnë bimë, që gjuajnë, të gjithë kundrejt pagave minimale. Në tregun e lirë të punës, organizimi në shoqata të ndryshme është mjaft i dobët. Po më tutje, jashtë neve Pylltarëve? Një mungesë totale e ndërgjegjes pyjore. Pyjet nga “pronë e të gjithëve” janë kthyer në pronë të askujt.
*****
Në të kaluarën jo të largët, në 10 vjeçarin ’80-’90, vërtet merrnim nga pyjet më shumë se mundësia e tyre, por u jepnim shumë atyre. Kishim 112 fidanishte dhe prodhonim 20 milionë fidanë në vit, të cilët përdoreshin për pyllëzimin e rreth 5.000 ha siperfaqeje po në një vit. Kryenim përmirësime në 100 mijë ha pyje, ndërtonim 25-30 mijë m3 prita malore, vilnim mijëra ton bimë mjekësore etanifere, kultivonim qindra ha me bime eterovajore, rrisnim 100 mijë krerë fazanë për eksport, të gjitha për një vit, bile kemi arritur të mbarështrojmë edhe krimbin e mëndafshit në pyjet e lisit.
Pylli jetonte me ne. Rreth 32.000 punonjës, saktësisht 32.600 të tillë, nga të cilët rreth 2.400 teknikë e inxhinjerë operonin në pyje në vitin 1989. Pyjet e kullotat, që mbulojnë 63 % të sipërfaqes së vendit, janë një pasuri e përsëritëshme, e në këtë aspekt, një menaxhim i mirë e rikthen teknikisht shpejt normalitetin. Pyjet kanë nevojë për kontributin e të gjithëve, por veçanërisht për kontributin tonë. E ne pylltarët duhet t’i besojmë ringjalljes më shumë se kushdo, sepse PYLLI RINGJALLET NE PRANVERE.
Dhe ne besojmë, prandaj u mblodhëm së bashku rreth 800 inxhinierë dhe teknikë pyjesh, do të jetë një front dhe do të luftojë për përmirësimin e marrëdhenieve të shoqërisë shqiptare me pyllin, do të luftojë për dinjitetin tonë profesional.
Eshtë në nderin tonë professional e qytetar ta bëjmë një gjë të tillë. Gezuar Festën, e çdo mot më mirë.