Në qiellin e Malit të Zi do të patrullojnë nga 5 qershori avionët e dy aleatëve të tij të NATO-s, Italisë dhe Greqisë.
Mali i zi nuk ka avionë ushtarakë të vetët e për këtë arsye i ka kërkuar NATO-s që ta ndihmojë në garantimin e sigurisë së hapësirës së tij ajrore.
Megjithatë, misione të tilla nuk janë të pazakonta: politikat e aleancës përfshijnë edhe mbrojtjen e qiejve të aleatëve që nuk kanë një forcë ajrore të tyre.
Konkretisht, Mali i Zi kontribuon nga ana e tij me sigurinë e përbashkët të aleancës falë dërgimit të trupave ushtarake në misione trajnuese në Afganistan.
Avionët e përfshirë luftarakë italianë e ata grekë do të vazhdojnë t`i kenë bazat në vendet e tyre dhe do të ngrihen prej andej sa herë të jetë e nevojshme.
Politika ajrore e NATO-s nuk është medoemos përgjigje ndaj një kërcënimi specifik, por një element thelbësor i mënyrës sesi garanton sigurinë e pjesëtarëve të saj. Rregullat e aleancës kërkojnë që forcat ajrore të saj të kenë në gatishmëri të paktën dy avionë luftarakë dhe në çdo moment pastaj, me dhjetëra avionë të tjerë të jenë në gjendje të ngrihen në ajër kurdoherë në mbarë Europën.
Spanja, Portugalia dhe Franca janë aktualisht të angazhuara për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë. Italia mbron qiellin slloven, ndërsa forcat ajrore britanike patrullojnë në Rumani.
s.a/dita
