Ankthi, çrregullimet e humorit, deluzionet, si dhe skizofrenia ndër komplikacionet më të shpeshta. Problemet e vështira ekonomike dhe pamundësia e gjetjes së një vendi pune klasifikohen nga psikiatrit si shkaqet e përhapjes.
Pranvera Kola
Pamundësia në sigurimin e një vendi pune apo problemet e shumta ekonomike janë shndërruar në makth për të rinjtë shqiptar, vështirësi të cilat po lënë gjurmë dhe në shëndetin e tyre mendor. Ekspertët e shëndetit mendor lëshojnë alarmin se ka ndryshuar trendi i përhapjes së sëmundjeve mendore. Fatkeqësisht, nuk janë më vetëm moshat e rritura ato që vihen përballë problemeve të shëndetit mendor, pasi së fundmi këto probleme po shfaqen edhe tek të rinjtë.
Duke u vënë përballë realitetit të vështirë ekonomik, gjithnjë e më shumë të rinj bien pre e ankthit, çrregullimeve të humorit, si dhe problemeve të shumta me oreksin. Ndërkohë që tek një pjesë e konsiderueshme të rinjsh janë konstatuar edhe raste më të rënda të çrregullimeve mendore siç janë deluvionet, si dhe skizofrenia.
“Grupmosha më e prekur aktualisht është mosha e të rinjve, duke aspiruar gjatë shkollimit të tyre për të gjetur vendin në tregun e punës, pa diskutim që niveli i ankthit,e i humorit janë të kompromentuara. Paraqiten dhe probleme të cilat janë shumë serioze për shëndetin mendor, paranojën, skizofreninë”, bën të ditur psikiatria Arjana Reli. Duke u ndalur tek shifrat e përhapjes së këtyre komplikacioneve rezulton se vetëm në njërën nga qendrat e shëndetit mendor për probleme të tilla gjatë vitit të shkuar janë vizituar dhe kanë marrë trajtimet përkatëse më shumë se 5500 persona të moshave të ndryshme, ku kanë dominuar të rinj.
Ndërkohë që nga të tre qendrat e komunitare të specializuara për shëndetin mendor një vit më parë janë vizituar mbi 13 mijë qytetarë. Pjesë e trajtimeve në këto qendra të shëndetit mendor janë edhe moshat e vogla. Rreth 3 mijë vizita të kryera i përkasin kontingjentit të fëmijëve, të cilët manifestojnë gjendje të ankthit, të folurit dhe ankthit, ndërkohë që 250 prej këtyre të vizituarve janë diagnostikuar me autizëm.
Megjithatë, shifra e të prekurve në realitet pohohet të jetë disa herë më e lartë duke marrë parasysh edhe mosevidentimin e sëmundjeve që në stadet e hershme. Kjo pasi shumë prej pacientëve kujtohen të shkojnë tek mjeku kur sëmundja ka avancuar së tepërmi duke shfaqur edhe simptoma të dukshme. “Në qendrën tonë të shëndetit mendor numri ka arritur rreth 5500 vizita. Sigurisht në këtë numër vizitash pa diskutim që janë dhe rikontrolle, vizita që nuk kanë shumë lidhje vetëm me shëndetin mendor, pra, përjashtuese, po gjithsesi numri është në rritje”, vë në dukje psikiatria Reli.