Përdorimi i drogave në ambientet e shkollave është një problem tejet shqetësues, i cili nuk ka marrë ndonjë zgjidhje, pavarësisht ndërhyrjeve të zhvilluara nga institucionet përgjegjëse. Mungesa e kontrolleve nga ana e policisë, mbipopullimi me nxënës të ardhur nga zona të ndryshme, po e bëjnë gjithnjë e më të pamenaxhueshëm këtë fenomen shqetësues. Ajo që konstatohet, si më problematike krahas rritjes së numrit të përdoruesve në radhët e nxënësve, është edhe tendenca në rritje e mosraportimit të këtij fenomeni nga drejtuesit e shkollave. Kjo për shkak të frikës së mos shkolla që ata drejtojnë etiketohet si përdoruese e lëndëve narkotike. Një ndër drejtuesit e qendrave që merret me trajtimin e personave që janë vartës të drogave, Genci Muçollari shprehet se vëzhgimet e kryera tregojnë se ka dhe mosha shumë të vogla që fillojnë direkt me format më të rënda siç mund të jetë heroina. “Nuk mund të raportojnë sepse mund të etiketohen, si një shkollë përdoruese, por ky është fakt. Drejtorët e shkollave që e kanë përgjegjësinë direkt, sepse mësuesit e pranojnë dhe duan ndihmë. Përdoruesit në shkollën e mesme mund të prishin atmosferën. Disa nxënës bëhen të dhunshëm, përjashtohen nga shkolla, por ky bën dëm sepse ai mund të futet shumë kollaj tek grupi i përdoruesve, e kështu jashtë shkollës mund të kesh më shumë shpërndarës”, shprehet Genci Muçollari. Numri më i lartë i përdoruesve pohohet të jetë në shkollat e Tiranës, dhe kryesisht në ato të zonave me periferike. Pas Tiranës një qytet tjetër problematik rezulton të jetë edhe Korça. Ndryshe nga vendet e tjera të Evropës, në Shqipëri numri më i madh i përdoruesve është nga mosha 20 deri në 35 vjeç, ndërkohë që në shtetet e tjera numri i përdoruesve është mbi këtë grupmoshë. “Ka raste që 14 vjeç që kanë filluar direkt heroinën ose në shkollën e mesme ku raportohet kanabis edhe kjo konsumohet edhe në banjot e shkollës ose në ambientet e tjera. Po punojmë për këtë problem me të rinjtë, por edhe me policinë e shtetit. Në Tiranë edhe në Korçë ka pasur ndërhyrje të ndryshme. Këto vende janë të rrezikuara nga moskontrolli i policisë, mbipopullimi, nxënësit jo homogjen, të ardhur nga shtresa të ndryshme, ku ka dhunë, numër të madh nxënësish, etj “, vë në dukje Muçollari rreth këtij fenomeni.
Kryeqyteti mban numrin më të madh të përdoruesve të drogës të cilët janë adoleshentët dhe të rinjtë. Instituti i Shëndetit Publik, por edhe qendrat të cilat i trajtojnë ato, raportojnë për një numër në rritje të rasteve të personave të cilët marrin lëndë narkotike në Tiranë. Nga viti në vit numri i përdoruesve të drogës ka një trend në rritje, por ajo që mbetet më problematike është se këta përdorues janë adoleshentë.
Rreth 6-7 për qind e të rinjve përdorin drogë duke filluar nga më të lehtat, si tymosja e hashashit, e deri tek kokaina, heroina, me injeksione. “Rreth 7-9 për qind e të rinjve të shkollave të mesme janë ekspozuar ndaj drogave në mjediset shkollore ose rreth tyre. Pra, u është ofruar përdorimi i një droge pranë mjedisit të shkollës, çka do të thotë që trafikantët e drogës, funksionojnë tashmë kudo, edhe pranë shkollave”, thuhet nga ISHP.
