Pakujdesia dhe neglizhenca në marrjen e masave mbrojtëse po ndikon në shtimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Shifrat e raportuara nga strukturat shëndetësore vënë në dukje se rastet me HIV-AIDS, sifiliz dhe sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme ka vënë në gjendje alarmi shëndetin publik. Sipas të dhënave të konfirmuara bëhet me dije se vetëm gjatë këtij viti numri i rasteve të reja me virusin HIV rezulton të jetë 70, në një kohë që gjatë gjithë 2011-s janë shënuar 65 raste.
Ndërkohë që pjesa dërrmuese e të infektuarve me HIV, përkatësisht mbi 80 për qind e rasteve u përkasin heteroseksualëve, 9 për qind e rasteve nga radhët e homoseksualëve dhe shumë më pak është transmetuar nga nëna tek fëmija.
“Kryesisht rruga e marrjes është rruga heteroseksuale në 84 për qind të rasteve, 9 për qind të rasteve janë homo dhe biseksualë dhe 4 për qind është nga nëna tek fëmija. Vetëm 1 për qind është nga persona që përdorin drogë”, ka bërë të ditur specialisti i Autoritetit Rajonal Shëndetësor, Halil Stana.
Një tjetër shqetësim, sipas Stanës, është edhe rikthimi i sëmundjes së sifilizit, për të cilën popullata duhet të jetë më e kujdesshme, pasi mbart rreziqe të shumta shëndetësore. Shtimi i këtyre rasteve sipas mjekëve vjen edhe nga fakti se këto sëmundje nuk kanë shenja të dukshme klinike që në stadet më të hershme, ndaj këshillohet që çdo person që dyshon se nuk ka një jetë të rregullt seksuale të testohet.
“Në Autoritetin Rajonal Shëndetësor bëhet testim vullnetar për HIV, Hepatitin B, C dhe Sifilizin. Aktualisht, gjatë këtij viti janë bërë rreth 1226 analiza të tilla, nuk na ka rezultuar njeri me HIV pozitiv, na kanë rezultuar me sifiliz 4 raste dhe me hepatit B 19 raste”, deklaron Stana. Këto të dhëna u bënë publike në ditën e dytë të panairit të Shëndetësisë, ku kryen teste gjaku falas për të mësuar nëse janë mbartës të ndonjë infeksioni seksualisht të transmetueshëm apo hepatiteve.
Pranvera Kola