Tuberkulozi mbetet një nga vrasësit infektivë më vdekjeprurës në botë. Autoritetet e shëndetit publik sqarojnë se në nivel botëror çdo ditë, mbi 4 mijë njerëz humbasin jetën nga tuberkulozi dhe afër 30 mijë të tjerë sëmuren nga kjo sëmundje e parandalueshme dhe e shërueshme.
Gjatë dy viteteve të fundit trajtimi i kësaj sëmundjeje ka hasur në vështirësi të shumta. Ekspertët e shëndetit sqarojnë se pandemia e Covid-19 ka ndryshuar vitet e përparimit të bërë në luftën për t’i dhënë fund tuberkulozit. Për herë të parë në më shumë se një dekadë, vdekjet nga tuberkulozi u rritën në vitin 2020. Shkak për këtë tregues shqetësues është fakti se ka pasur më pak diagnoza gjatë pandemisë, që do të thotë se ka njerëz të prekur nga tuberkulozi që nuk po marrin trajtimin e nevojshëm për t’u përmirësuar, ndërkohë që bëhen burim rreziku për kalimin e sëmundjes edhe tek personat e tjerë të shëndetshëm.
Sipas autoriteteve shëndetësore, pandemia i ka larguar njerëzit dhe burimet nga shërbimet e tuberkulozit, kjo i ka vendosur punonjësit e kujdesit shëndetësorë në një presion të madh. Konfliktet e armatosura kanë ndikim edhe më të rëndë në ofrimin e kujdesit për tuberkuloz, sëmundje të tjera ngjitëse dhe ato jo të transmetueshme, për shkak të kufizimit të aksesit në marrjen e kujdesit të duhur. Përkundrejt kësaj situate, ekspertët e shëndetit publik përcjellin nevojën urgjente për të investuar fuqishëm në burime dhe për të materializuar angazhimet e bëra nga liderët botërorë në lidhje me këtë çështje. Kjo është veçanërisht rëndësishme në kontekstin e pandemisë së Covid-19, konflikteve të armatosura, të cilat kanë vënë në rrezik përparimin e sëmundjes së tuberkulozit, për të siguruar akses të barabartë në parandalim dhe kujdes në përputhje me përpjekjet e OBSH-së drejt arritjes së mbulimit universal shëndetësor. Fokus i veçantë do t’i kushtohet miratimit dhe promovimit të udhëzimeve të reja të OBSH-së për fëmijët dhe adoleshentët me tuberkuloz, të cilat do të publikohen në ditën në vijim. “Investimi urgjent i burimeve, mbështetjes, kujdesit dhe informacionit janë të rëndësishme për të fituar luftën kundër tuberkulozit. Shërbimet kryesore për tuberkulozin duhet të mbështeten veçanërisht gjatë pandemisë Covid-19, si dhe krizës së konfliktit të armatosur për të siguruar që përfitimet e arritura në luftën kundër tuberkulozit që të mos kthehen mbrapsht. Trajtimi i pabarazive shëndetësore për të garantuar shëndet për të gjithë është po ashtu i rëndësishëm. Përfundimi i tuberkulozit kërkon veprim të bashkërenduar nga të gjithë sektorët”, janë disa nga mesazhet kyçe të ndara nga ekspertët e shëndetit publik pak ditë më parë me rastin e “Ditës Botërore të Tuberkulozit”.
Çfarë është tuberkulozi?
Tuberkulozi shkaktohet nga bakteri (Mykobakteri tuberkulosis), i cili më shpesh prek mushkëritë. Tuberkulozi është një sëmundje e parandalueshme dhe e kurueshme. Kjo sëmundje përhapet nga njeriu tek njeriu nëpërmjet ajrit. Njerëzit e sëmurë me tuberkuloz në mushkëri, në momentin që kolliten apo teshtijnë, përhapin në ajër bakterin e tuberkulozit. Një person mund të thithë disa nga këto baktere dhe të infektohet. Përafërsisht një e katërta e popullatës në botë ka tuberkuloz latente, që do të thotë se njerëzit janë infektuar me bakterin, por akoma nuk janë të sëmurë dhe nuk mund ta transmetojnë sëmundjen. Njerëzit që janë infektuar me bakterin e tuberkulozit kanë 5-15 për qind rrezik që të sëmuren me tuberkuloz. Megjithatë, njerëzit me sistem imunitar të dëmtuar si, ata që janë HIV pozitiv, të kequshqyerit dhe diabetikët, ose ata që janë duhapirës, kanë një rrezik më të madh për t’u sëmurur me tuberkuloz. Kur një person sëmuret, simptomat, si: kolla, temperatura, djersitja natën apo humbja në peshë për disa muaj, mund të jenë të një forme të lehtë, duke vonuar kërkimin e ndihmës mjekësore, gjë që çon në infektimin e njerëzve të tjerë për sa kohë personi nuk merr mjekim. Njerëzit me tuberkuloz aktiv mund të infektojnë 10-15 njerëz të tjerë nëpërmjet kontaktit të ngushtë përgjatë një viti.
Simptomat dhe diagnoza
Sikundër edhe u theksua më lart, ndër simptomat më të shpeshta të tuberkulozit aktiv të mushkërive janë: kollë dhe pështymë me gjak, dhimbje kraharori, dobësi, humbje në peshë, temperaturë dhe djersitje natën. Një mënyrë për të diagnostikuar tuberkulozin është vëzhgimi në mikroskop i pështymës për të zbuluar praninë ose jo të baktereve, por kjo metodë mund të kapë vetëm gjysmën e baktereve të sëmundjes së pranishme dhe nuk mund të zbulojë ato që janë rezistente ndaj medikamenteve. Përdorimi i testit të shpejtë Xpert MTB/RIF nën rekomandimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë është përhapur dukshëm prej më shumë se një dekade. Ky test zbulon në të njëjtën kohë edhe tuberkulozin dhe rezistencën ndaj rafampicinës, që është medikamenti kryesor i mjekimit të kësaj sëmundje. Diagnoza mund të bëhet brenda 2 orëve dhe ky test rekomandohet nga OBSH-ja si testi diagnostik fillestar në të gjithë personat me shenja dhe simptoma të sëmundjes. Për të diagnostikuar rezistencën ndaj medikamenteve, rekomandohen edhe 4 teste të tjera diagnostikuese: një test i shpejtë molekular për të zbuluar TB-në në qendrat shëndetësore periferike, ku Xpert MTB/RIF nuk mund të përdoret, dhe 3 teste për të zbuluar rezistencën ndaj medikamenteve të gjeneratës së parë dhe të dytë të zhvillimit të tuberkulozit. Tuberkulozi është veçanërisht i vështirë për t’u diagnostikuar te fëmijë, ku vazhdon të përdoret testi i Xpert MTB/RIF për vendosjen e diagnozëssë tuberkulozit pediatrik.
Trajtimi i sëmundjes
Tuberkulozi është një sëmundje që trajtohet dhe që mund të shërohet. Në format aktive të saj kjo sëmundje kurohet për një periudhe 6-mujore me një kombinim të 4 medikamenteve antimikrokobiale të cilat jepen nën udhëzimin, mbikëqyrjen dhe mbështetjen e mjekut apo të personelit shëndetësor, pa të cilët trajtimi mund të jetë i vështirë dhe sëmundja mund të përhapet. Numri më i madh i rasteve me tuberkuloz mund të kurohet me marrjen e medikamenteve të duhura.
Çfarë e nxit zhvillimin e kësaj sëmundjeje?
Tuberkulozi (TB) është një sëmundje që influencohet nga shumë faktorë rreziku (ose përcaktues socialë) si: varfëria, kequshqyerja, kushtet e këqija të jetesës, faktorë të cilët ndikojnë në mënyrën se si njerëzit infektohen, zhvillojnë sëmundjen e tuberkulozit dhe me çfarë rezultatesh trajtimi do të përballen. Prandaj, reagimi i përbashkët nga sektorë të ndryshëm shëndetësorë dhe joshëndetësorë, shoqëria civile dhe komunitetet e prekura nga tuberkulozi është thelbësore për të adresuar të gjithë faktorët e rrezikut dhe për të arritur objektivat përfundimtare të tuberkulozit.
Çfarë është tuberkulozi rezistent ndaj barnave?
Barnat e përdorura në protokollin e mjekimit standard të sëmundjes së tuberkulozit janë përdorur për dekada me radhë, dhe rezistenca ndaj mjekimit është mjaft e përhapur. Rezistenca e mjekimit me disa barna (MDR-TB) është një formë e tuberkulozit të shkaktuar nga bakteri, i cili nuk reagon ndaj isoniazidit dhe rifampicinës, 2 barnat më të fuqishme në trajtimin standard kundër TB-së. Shkaktari kryesor i rezistencës ndaj barnave të tuberkulozit është trajtimi i pasaktë. Një përdorim i tillë i barnave antituberkuloz, apo përdorimi i barnave jocilësore mund të shkaktojë rezistencë ndaj mjekimit. Sëmundja në të tilla situata nuk reagon ndaj mjekimit me barnat e zakonshme të mjekimit standard apo barnat e linjës së parë. Rastet e rezistencë ndaj barnave trajtohen duke përdorur mjekimin e linjës së dytë. Megjithatë, opsionet për mjekim me barna të tjera është i limituar, dhe mjekimi i linjës së dytë i rekomanduar mund të mos jetë gjithmonë i aksesueshëm.
Disa fakte që duhet të dini rreth kujdesit për tuberkulozin
- Tuberkulozi shkakton vuajtje të mëdha fizike dhe për shkak të stigmës pacientët dhe familjet e tyre mund të vuajnë ekonomikisht.
- Tuberkulozi është i shërueshëm, por pacientët dhe familjet e tyre kanë nevojë për guxim dhe vendosmëri për të përfunduar trajtimin mjekësor.
- Përfundimi i trajtimit është i rëndësishëm për shërimin e pacientit, si edhe për të parandaluar zhvillimin e rezistencës. Trajtimi i ndërprerë ka kontribuar në zhvillimin e rezistencës ndaj medikamenteve dhe ky është një kërcënim i cili ka ardhur në rritje.
- Megjithëse Rajoni Europian përbën vetëm 2.3 për qind të barrës globale të tuberkulozit, ai vazhdon të jetë më i prekuri nga TB-ja rezistente ndaj barnave (DR-TB). Është vlerësuar se një në katër pacientë të rinj me tuberkuloz dhe çdo sekondë e pacientëve me tuberkuloz të trajtuar më parë kanë një formë të sëmundjes rezistente ndaj shumë barnave.
- Rajoni ishte afër arritjes së objektivit të uljes deri në 35% të vdekshmërisë – në 2019 shënoi uljen deri në 31%. Megjithatë, ndërprerjet e lidhura me Covid-19 kanë ndryshuar trajektoren dhe rezultati aktual i vitit 2020 përkundër objektivit ra në 26%.
- Niveli i bashkinfektimit TB/HIV mbetet i lartë në 12%, me rreth 29 000 raste të tuberkulozit te njerëzit që jetojnë me HIV në rajon. Viti 2020 pa një rritje të vdekjeve nga tuberkulozi te personat HIV pozitiv dhe rezultatet e trajtimit të HIV lidhur me TB mbeten modeste.
- Ndërsa bota mblidhet bashkë për t’iu përgjigjur pandemisë Covid -19 apo konflikteve të armatosura, është e rëndësishme që krahas trajtimit të problematikave/gjendjeve shëndetësore të vjetra, të sigurohet vazhdimësia e shërbimeve dhe operacioneve thelbësore për mbrojtjen e jetës së njerëzve metuberkuloz, veçanërisht për popullatën me rrezik të lartë të zhvillimit të kësaj sëmundjeje.
- Ka pasur më pak diagnoza gjatë pandemisë, që do të thotë se ka njerëz me tuberkuloz që nuk po marrin trajtimin e nevojshëm për t’u përmirësuar.
- Pandemia i ka larguar njerëzit dhe burimet nga shërbimet e tuberkulozit kjo i ka vendosur punonjësit e kujdesit shëndetësorë në një presion të madh. Konfliktet e armatosura kanë ndikim edhe më të rëndë në ofrimin e kujdesit për tuberkulozin, sëmundje të tjera ngjitëse dhe ato jo të transmetueshme.
- Trajtimet efektive për parandalimin e tuberkulozit janë rritur në mbarë botën. Personat që kanë nevojë për trajtim duhet të vazhdojnë ta marrin atë edhe në kushtet e pandemisë (qofshin edhe të prekur nga Covid-19), për të rritur shanset e kurimit dhe për të zvogëluar transmetimin dhe zhvillimin e rezistencës ndaj barnave. Rreziku i vdekjes në pacientët me tuberkuloz arrin 50% nëse nuk trajtohen dhe mund të jetë më i lartë tek të moshuarit ose në prani të sëmundjeve shoqëruese. Trajtimi parandalues (TPT) u ofrohet njerëzve që kanë qenë në kontakt me dikë me tuberkuloz pulmonare aktive ose që kanë HIV ose gjendje të tjera që dobësojnë përgjigjen imune për të shmangur zhvillimin e TB-së aktive.
- Organizata Botërore e Shëndetit në Rajonin Europian po rrit me shpejtësi aksesin në diagnozën e shpejtë molekulare të rekomanduar prej saj për tuberkuloz (ËRD). Ilaçet e reja kundër tuberkulozit për MDR/RR-TB japin mundësi konkrete duke futur regjime plotësisht orale, pa injeksione, që lejojnë shkurtimin e kohëzgjatjes së terapisë dhe përmirësojnë ndjeshëm suksesin e trajtimit.
- Zbulimi me ndihmën e kompjuterit (CAD) është një mjet i shpejtë dhe i besueshëm për të zbuluar në kohë simptomat e TB me rreze X: shumë mjete dixhitale të disponueshme (jo të shtrenjta, miqësore për përdoruesit) mund të përdoren nga personeli shëndetësorë pa përvojë në leximin e gjoksit me rreze X. Inteligjenca artificiale do ta mundësojë këtë – në çdo dyshim për anomali të gjoksit në rrezet X, personi mund të dërgohet për diagnozë me teste të shpejta molekulare të rekomanduara nga OBSH, si Xpert/MTB-Rif, dhe nëse diagnostikohet TB, të fillojë në kohë trajtimin e duhur.
