Në shoqëri me poetët arbëreshë

J L

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

 

Për herë të parë në shekullin e kaluar, Shqipëria e mbyllur sikur i hapi ‘dyert’ e saj në dy dhjetëvjeçarët e parafundit për shqiptarët e jashtëm. Kështu ndodhi që në vitet 70 ato u hapën për shqiptarët e Kosovës, kur, sipas një marrëveshjeje ndërshtetërore, shkelën për herë të parë me dhjetëra, profesorë, studiues, shkrimtarë, artistë etj. Përjetuam atëherë një kohë të ëndërrtë, plot emocione e takime të paharruara. Kishim një ndjesi gati përrallore, sikur kishim rigjetur njëri-tjetrin. Por erdhi një ditë që, pas demonstratave historike të studentëve kosovarë (1981), dyert u mbyllën përsëri, veç kësaj here nga pala jugosllave. Ndjemë një boshllëk, që nuk dinim si ta mbushnim dhe ngushëlloheshim me faktin se hapja e Shqipërisë i kish shërbyer kauzës së përbashkët kombëtare. Dhe koha tregoi se sa e vërtetë ishte kjo.

Por vitet ‘80 shënuan një lidhje tjetër. Iu hapën dyert vëllezërve arbëreshë të përtej detit. Erdhën grupe studiuesish e profesorësh, shkrimtarë e artistë, por në një masë të vogël, të ftuar nga Universiteti, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Akademia e Shkencave. Edhe kësaj here u krijua një atmosferë vëllazërore, kryesisht në rrethet intelektuale. Unë do të kisha fatin të isha një nga mikpritësit. Është pak të them se nga këto vite ruaj kujtime sikur të kisha zbuluar një botë të re, botën arbërore, që vinte nga shekujt e mesjetës. Dëgjoja gjuhën e të parëve tanë, përballesha me psikologji e mentalitete të ngjashme me ato tonat, ndjeja të më ndizej gjaku nga gjaku i tyre i shprishur. Gjithë sa kisha lexuar nga De Rada, Dara apo Serembja, tani më dukej se e përjetoja drejtpërdrejt. Me bëhej sikur personazhet e tyre kishin ardhur midis nesh teksa dëgjoja muzikën e ligjërimit arbërisht. Fjalët që shqiptonin, këngët që këndonin, deri dhe pasthirrmat, më preknin e më zgjonin imagjinatën, thua se gjendesha në Arbërinë e tyre të Vogël përtej Adriatikut. Ashtu si me kosovarët, edhe me arbëreshët u pasurova shpirtërisht, u ndjeva më shumë shqiptar, m’u zgjerua horizonti i njohjes dhe më dukej sikur këto kontakte herë-herë më bënin të dilja nga rrethi i ngushtë i jetës së izoluar që bënim atëherë. Ndaj takimin me vëllezërit e gjakut të ardhur nga larg do ta quaja një privilegj, që nuk e kish gjithkush në Shqipërinë e mbyllur të asaj kohe. Këto lidhje me kosovarët dhe arbëreshët qenë dhe mbetën dy dashuritë e mia të mëdha, të cilave edhe sot u detyrohem shpirtërisht.

Kur e kujtoj tani atë kohë, pas kaq vitesh, them se ardhjet e arbëreshëve atëherë ishin ngjarje jo të zakonshme si për ata, ashtu dhe për ne. Dhe, kur shprehem kështu, kam parasysh rrethe të ngushta intelektuale, që patën mundësi takimi e komunikimi, gjë që s’kish ndodhur më parë në këto përmasa. Jo vetëm njohëm drejtpërdrejt njëri-tjetrin, por krijuam miqësi të bukura, që, me gjithë fisin romantik kishin një përmbajtje të fortë, siç qenë atdhedashuria dhe interesat intelektuale. Takimet tona ktheheshin ne festa shpirtërorë, aq sa ndodhte mrekullia që, në këto raste, na dukej sikur kishim gjetur shoqi shoqin pas një ndarjeje të gjatë në kohë e hapësirë. Dhe tani tek rri e mendoj, them se çelësi i kësaj  mrekullie ishte gjuha jonë e përbashkët, që atëherë më ngjante si një dhuratë nga Zoti.

Nga sa mbaj mend, grupi i parë i arbëreshëve erdhi i ftuar nga Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë, i përbërë kryesisht nga studentë të Universitetit të Kozencës. Me ta u takova rastësisht në Hotel  Tirana.

Ishte një befasi tepër e këndshme pas zbrazëtirës që kishte krijuar mungesa e kosovarëve, me të cilët qemë mësuar për afro dhjetë vjet. Pra, kishin ardhur vëllezër të tjerë nga larg dhe kjo s’ishte e paktë në izolimin e detyruar që përjetonim. Në këtë takim u njoha me drejtuesin e grupit, Françesko Altimari, i cili sapo kish bërë hapat e para si poet, por që më vonë do të afirmohej si një nga studiuesit e gjuhës dhe të letërsisë arbëreshe. Mbaj mend që e pyeta për Xhuzepe de Radën, të nipin e poetit të madh, të parin arbëresh që kisha njohur në jetën time. Ai kish ardhur i ftuar nga qeveria jonë në 1962-ishin, me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë, dhe qeshë unë që do ta shoqëroja nëpër Shqipëri. Më ka mbetur në mend patriotizmi i tij i zjarrtë, mençuria dhe humori, entuziazmi që i kish ngjallur takimi me dheun e të parëve. Ai do të më thoshte se, me ardhjen në Shqipëri, kish plotësuar ëndrrën e shenjtë të gjyshit dhe kjo ndodhte kur plaku po i afrohej të 80-ave. Një fat i madh që s’e kishin gëzuar e s’e gëzonin sa e sa arbëreshë në Itali. Të gjitha këto ia tregova Françeskos dhe ai më foli me respekt për të, si një nga pinjollët e fundit të Radejve.

Kurse tani, pas më se 20 vjetëve, kishte ardhur një grup arbëreshësh dhe, ç’është më e rëndësishmja, të rinj, e ky ishte një ogur shumë i mirë. Ndoshta kësaj here po hapej rruga dhe do të kishim mundësi të takoheshim e të komunikonim me vëllezërit e largët, siç kish ndodhur me kosovarët. Kisha një gëzim të fshehtë. Ishte nevoja e komunikimit përtej rrethit të ngushtë, në të cilin gjendeshim. Takimi tani me arbëreshët krijonte një mundësi tjetër, sado modeste, të kontaktit me botën përtej nesh.

Dhe vërtet, një vit më vonë erdhi grupi i dytë i arbëreshëve. Këtë here i ftuar nga Universiteti, i përbërë jo vetëm nga studentë, po dhe nga intelektualë të fushave të ndryshme. Pedagogë të Fakultetit Histori-Filologji, në mes tyre dhe unë, do të organizonim kursin njëmujor të gjuhës dhe të kulturës shqiptare. U krijua kështu një traditë, që do të vazhdonte për disa vjet. Prej këtej nisin lidhjet e mia me arbëreshët, njohja e botës së tyre, e jetës, e historisë, e natyrës dhe e kulturës. Lidhje këto intelektuale dhe shpirtërore, që pasuruan e fisnikëruan më tej mendimet, dijet dhe emocionet e mia. Është e çuditshme se si në këto takime ne hymë në jetën e njëri-tjetrit, u përftua një atmosferë vëllazërore, që më la mbresa të forta, të cilat koha s’i ka shuar edhe sot e kësaj dite. Nuk di si ta quaj atë frymë mirëdashjeje, atë dashuri e mall spontan, që shfaqej midis nesh, atë afërsi që tregonim ndaj njëri-tjetrit. Ndoshta, kjo ishte një frymë, që vinte në kohën tonë nga koha e Rilindjes, që buronte nga vargjet e De Radës, të Darës apo të Serembes, me të cilat ne qemë rritur. Ndoshta vinte nga emocionet dhe imazhet që kish krijuar ndasia e gjatë, ndoshta nga situata absurde që ishim aq afër dhe prapë qemë aq larg. E kam menduar kushedi sa herë këtë situatë të përjetuar asokohe dhe e kam pasur vështirë t’u përgjigjem pyetjeve që më kanë lindur. Di të them vetëm se gjithë ajo që provonim, ngjante me magjinë e dashurisë së parë, që ndodh vetëm një herë dhe nuk përsëritet më.

Kam shumë kujtime nga këto dërgata arbëreshe, që do të prisnim e përcillnim çdo verë për afro dhjetë vjet, e që bartnin aq mall e nostalgji, aq dëshirë e kureshtje për të njohur tokën e ëndërruar të rrënjëve të tyre. Dhe nuk ishte rastësi që në këto grupe të kishte një ose më shumë poetë, të njohur e të panjohur, për të cilët ardhja në Shqipëri kthehej në një burim të drejtpërdrejtë frymëzimi, një privilegj ky që nuk e kishin pasur poetët e brezave të mëparshëm. Nuk e kishin pasur as De Rada, as Dara, as Serembja, as Santori. Ata vetëm e kishin ëndërruar e dëshiruar me zjarr, por s’e kishin arritur. I vetmi që bënte përjashtim do të qe poeti i shquar Xhuzepe Skiroi, por dhe ai kish ardhur në kohën e Esat Pashës, kur Shqipëria akoma nuk e kishte gjetur veten.

Mendoni se ç’fat qe për poetët e brezit të ri që erdhën, kur Shqipëria qe bërë, ndonëse dhe ata vinin në dekadën e parafundit të shekullit të njëzetë. Vonë, shumë vonë, por më mirë vonë se kurrë.

Dhe unë do të isha dëshmitar, madje një nga mikpritësit e tyre, gjë që do të përbënte një ngjarje që e ruaj të gjallë brenda vetes edhe pas afro tridhjetë vjetësh. I pari nga poetët që njoha, me sa mbaj mend, ishte Xhuzepe del Gaudio. Erdhi me grupin e arbëreshëve të Kalabrisë dhe më tërhoqi vëmendjen qysh në fillim jo vetëm se dallonte nga të tjerët për nga mosha, por vija re se ai rrinte i tërhequr dhe i pëlqente të shëtiste vetëm. Ishte fjalëpakë dhe i mirësjellshëm, me një vështrim ëndërrimtar. Vetëm në bisedë e sipër do të merrja vesh se ai qe me profesion mësues në një nga shkollat e trevave arbëreshe, por dashuria e tij qe letërsia. Këtë do ta kuptoja nga disa vjersha të shkruara arbërisht, që m’i dha për t’i lexuar e që më prekën për ndjenjat e sinqerta dhe për reflekset shpirtërore. Por nga grupi mësova se ai ishte poet e dramaturg dhe kish botuar disa libra në italisht, kurse ai më tha se kish disa kohë që po shkruante dhe arbërisht. E kish nisur këtë, kur kish vajtur në Kosovë, ku, siç më tregoi, sapo kish shkelur e kish dëgjuar të flisnin shqip, i qe zgjuar gjuha e nënës. Kjo po i ndodhte dhe në Shqipëri, bile këtu po përjetonte një ringjallje shpirtërore. Këtë e dëshmonin qartë vjershat që më dha, të cilat, bashkë me një shënim, ia botova në gazetën “Drita”. Mjaftoi kjo që unë e Zefi të lidheshim dhe me kohë të bëheshim miq. Një vit më pas, i frymëzuar nga udhëtimi nëpër Shqipëri, ai do të përgatiste një vëllim të tërë poetik nën titullin “Zemër arbëreshe”, që, të redaktuar prej meje, e botoi Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”.

Në grupin e Zefit do të ishte dhe një poeteshë e re, edhe ajo mësuese, bile bashkëpatriote e tij nga katundi arbëresh Shënkoll i rajonit të Krotones, që kish kryer studimet për letërsi në Universitetin e Barit. Kjo quhej Matilda Ferraro. Një vajzë e hijshme, syzezë, natyrë e menduar, por e përzemërt, që në bisedat e saj i pëlqente të fliste, ndonëse me ndrojtje, për letërsinë. Ndaj nuk qe befasi për mua, kur dhe ajo do të më jepte për të lexuar një tufë vjershash të shkruara gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri. Më shumë sesa patriotike, ato qenë meditative e ndonjë edhe erotike. Vargjet e saj përshkoheshin nga një frymë e thellë lirike dhe kishin një shprehje origjinale, që flisnin për një talent të vërtetë. Me këto vjersha dhe të tjera që më dërgoi më vonë, i përgatita dhe i botova vëllimin poetik “Emocione”. Prej kësaj kohë, ajo vijon të shkruajë poezi e t’i botojë në shtypin arbëresh, duke u bërë një nga të paktat poetesha arbëreshe.

Më pas erdhi Karmel Kandreva, poet dhe studiues, një emër i nderuar në kulturën arbëreshe. Ai ishte i njohur për librin me vjersha “Shpirti i arbrit rron” dhe si autor studimesh mbi të folmen dhe arsimin arbëresh. Nga takimet e pakta që pata me të, më bëri përshtypje natyra e tij e çiltër, entuziazmi patriotik dhe angazhimi i përkushtuar në aksionet kulturore arbëreshe për mbijetesë dhe afirmim në mjediset italiane.

Me një nga grupet që pritëm, edhe ky nga katundet arbëreshe të provincës së Krotones, kish ardhur dhe çifti i ri simpatik, Karmen Abate me të shoqen gjermane Majke. Karmeni ishte nga Karfici, por që i vogël kish emigruar bashkë me familjen në Gjermani, ku qe shkolluar dhe kish nisur rrugën e letërsisë. Shkruante poezi e tregime në arbërisht, italisht dhe gjermanisht. Kish sjellë bile me vete dhe një libër me tregime të tij në gjermanisht, kurse, bashkë me të shoqen, kish botuar studimin monografik italisht “Gjermanezët”, ku shtronte e trajtonte shkencërisht problemin e emigracionit arbëresh në Gjermani, vështruar në planin social, gjuhësor dhe kulturor. Karmeni më bëri për vete me natyrën e tij të dashur e gazmore, me mençurinë dhe horizontin e gjerë letrar, me nivelin e gjykimeve që shfaqte dhe modestinë që e karakterizonte. Ndonëse i ri, ai kishte një krijimtari të pasur, por që, sa kohë ndenjëm bashkë, nuk arrita ta njihja sa duhet. Pas largimit, ne do të mbanin për një kohë letërkëmbim të rregullt, por pastaj lidhjet tonë u ndërprenë pa ndonjë arsye. Shumë më vonë do të më vinin lajme të gëzuara për Karmenin. Në shtypin italian do të lakohej emri i tij dhe kritika serioze do ta cilësonte si një nga romancierët e talentuar, një zë origjinal të prozës së re italiane. Ajo do të nënvizonte jo vetëm temën dhe karakteret e veçanta të romaneve të tij, që sillte në letërsi nga jeta e arbëreshëve të Italisë, por dhe për mënyrën e të shkruarit, stilin dhe këndvështrimin vetjak. Me një fjalë, vepra e Karmenit mbante vulën e identitetit arbëresh. Dhe kjo nuk ishte pak që, e trajtuar dhe e pasqyruar nga një pendë e fuqishme si ajo e tij, të krijonte romane, të cilat do të mermin çmime prestigjioze dhe do të përktheheshin në gjuhë të huaja. Ato u përkthyen më pas dhe në shqip, si “Vallja rrethore”, “Motoçikleta e Skënderbeut” apo “Mozaiku i Motit të Madh”, të cilat unë do t’i lexoja me një frymë e gjithë emocion. Në to gjallonte shpirti arbëresh, ishte e pranishme bota arbëreshe, njerëzit e saj, që unë i njihja aq mirë. I vetmi peng që kisha, ishte keqardhja që këto vepra nuk qenë shkruar arbërisht. Një dëshirë ndoshta utopike, kur mendoj tani mundësitë e kufizuara shprehëse të arbërishtes për kërkesat dhe përmasat e gjera të pasqyrimit të jetës që lyp romani. Në fillim të viteve 2000 Karmeni do të vizitonte rishtazi Shqipërinë, po kësaj here në përbërjen e një delegacioni shkrimtarësh italianë. Ishte një takim i përmallshëm. Ai do të mbante një leksion në Fakultetin Histori-Filologji me temë arbëreshe dhe do të promovonte një nga romanet e tij të fundit të përkthyer në gjuhën shqipe.

Në grupin e ri të ardhur nga Sicilia do të njihesha me poetin Xhuzepe Skiro di Modika. E pikasa që ditët e para në mjediset e hotel “Tiranës”, ku qe vendosur grupi, tek e shikoja që rrinte i veçuar dhe shkruante në qoshet e sallave. Në ditët që pasuan, ai m’u afrua vetë dhe më dhuroi dy vëllime modeste me vjersha: “Motive në dy gjuhë” dhe “Segmente”. Qëndrimi në Shqipëri do ta frymëzonte. Ai tregohej entuziast, sidomos për aktualitetin politik të kohës dhe me këtë temë do të botonte një cikël vjershash në “Drita”.

Në vitet 80 do të vizitonte atdheun e të parëve dhe poeti e dramaturgu Xhuzepe Skiro di Maxhio, që vinte nga Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) i ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve. Para se ta takoja, unë e kisha njohur përmes poezisë së tij, botuar në shtypin letrar arbëresh e kosovar e, akoma më mirë, nëpërmjet librit “Para se të ngriset”, që ma kishin sjellë arbëreshët e Horës. Por takimi ynë ndodhi në ditët kur ai erdhi si mik i ftuar. Entuziazmi që më kish ngjallur poezia e tij, më kish afruar shpirtërisht dhe më bëhej sikur e njihja prej kohësh. Kështu që nuk qe e vështirë që ne të dy të afroheshim që me takimin e parë. Më bëri përshtypje pamja e tij prej intelektuali, një fytyrë e pastër e simpatike, me syze të bardha, pas të cilave dallohej vështrimi i mençur e i vëmendshëm. I qetë, por dhe energjik, bisedonte këndshëm, por më shumë dëgjonte. Fliste një shqipe që anonte më tepër nga ajo letrarja sesa nga arbërishtja. Kish humor, por me masë, një ironi të hollë dhe një shpërthim gazi spontan. Nga bisedat që do të bënim, do të merrja vesh se kish kryer studimet e larta për letërsi dhe kish punuar si mësimdhënës për disa vjet në gjimnazet e Italisë së veriut për t’u kthyer më pas në vendlindje, ku jepte mësim në gjimnazin “Dhimitër Kamarda”. Autor i disa veprave letrare, poet e dramaturg, ai dhe Vorea Ujko përbënin, siç do ta qartësoja më vonë, binomin më përfaqësues të letërsisë moderne arbëreshe. Xhuzepja apo Zefi, siç e thërrisnin atëherë, kish një mbiemër të përafërt me bashkëvendësin e tij të madh Zef Skiro, por që s’kish më duket lidhje farefisnore me të. Njihej si veprimtar i lëvizjes arbëreshe jo vetëm të Sicilisë, drejtonte bile dhe revistën “Mondo albanese”, që vetëm titullin e kish italisht. Kjo biografi intelektuale e, përmbi të gjitha, krijimtaria e tij që më kish bërë për vete, do të kishin peshën e tyre në lidhjet tona shoqërore, por, nga ana tjetër, ne gjetëm te njëri-tjetri dhe afërsi shpirtërore, mirëkuptim e përputhje mendimesh, që na bënë miq të vërtetë, një miqësi e sprovuar, që. Vijon prej disa dekadash.

Tani që kthej kokën pas, sjell ndër mend me nostalgji kujtimet e bukura të vizitës së tij të parë, takimet e shëtitjet e paharruara nëpër Shqipëri, bisedat vëllazërore, emocionet që i zgjonte kontakti fizik dhe shpirtëror me vendin e stërgjyshërve dhe komunikimi me njerëzit e një gjaku. E kujtoj Zefin e asaj kohe gjithnjë të emocionuar e të befasuar, herë-herë të habitur e të hutuar nga gjithë sa shihte e dëgjonte. Ishte zemra e patriotit, po dhe shpirti i artistit, që ngazëlleheshin dhe e bënin të shpërthente pastaj në vargje të frymëzuara. Nga ky takim i parë me Shqipërinë do të lindte vëllimi poetik nën titullin “Përtej maleve, prapa kodrës”, që unë pata kënaqësinë ta redaktoja dhe t’ia prezantoja lexuesve, kur u botua nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Me këtë rast u bë dhe promovimi i librit në Pallatin e Kulturës, ku Zefi mori vlerësime të merituara nga poetë e kritikë të Tiranës. Ky ishte prezantimi i parë i një vepre të një autori arbëresh në mjedisin tonë letrar, ndaj dhe nuk kaloi pa jehonë. Ai u bë tanimë një emër i njohur. Më pas Zefi dhe Del Gaudio u ftuan në Kongresin e Shkrimtarëve dhe të Artistëve, ku fjala e tyre u dëgjua me vëmendje të madhe nga pjesëmarrësit.

Zefi do të vinte rishtazi në Shqipëri, kur u vu në skenë komedia e tij “Paja” nga Teatri “Çajupi”. Kësaj here kish marrë me vete dhe të shoqen, Margaritën, dhe të gjithë së bashku do të shkonin në Korçë e do të shikonin premierën e shfaqjes. Komedia pati sukses të plotë dhe autori do të ndjehej i prekur dhe i nderuar, por, brenda natyrës së tij të përmbajtur, duke i shprehur emocionet tërthorazi me ndonjë shaka arbëreshe. Më pas, për vlerën e komedisë do të dëshmonte dhe fakti që kompozitori Nikolla Zoraqi, mbi bazën e saj do të kompozonte operetën “Paja”, që u dha nga trupa jonë e Operas dhe e Baletit. Ndoshta asnjë autor arbëresh nuk arriti suksese të tilla brenda një kohe relativisht të shkurtër në Shqipëri. Të gjitha këto ngjarje të gëzuara ne i përjetuam së bashku dhe kjo , na miqësoi akoma më shumë.

Vitet 80 do të qenë për mua vitet e dashurisë sime arbëreshe.

Vite të mbushura me emocione të veçanta, me njohje të reja, me takime plot të papritura. Më dukej sikur kisha zbuluar në distance një botë tjetër shpirtërore, aq e ngjashme dhe aq e ndryshme nga ajo e jona, që më joshte e më magjepste. Ishte Arbëria e Vogël, që arbëreshët e sillnin me vete e me të cilën unë u lidha jo vetëm shpirtërisht, por edhe intelektualisht. Më hipi një dëshirë e madhe për të shkuar në trevat e saj, për ta njohur nga afër dhe, pse jo, për ta studiuar brenda mundësive. Dhe kjo mundësi m’u krijua në pranverën e vitit 1984, kur së bashku me një kolegun tim gjuhëtar, shkuam në kuadrin e një marrëveshjeje zyrtare dhe organizuam një kurs të gjuhës e të kulturës shqiptare në katundet arbëreshe të Krotones. Të them të drejtën, për mua, më shumë se kursi, e rëndësishmja do të ishte njohja nga afër me jetën dhe kulturën arbërore, me njerëzit, me ato burime e gjurmë të traditës e të realitetit arbëresh. Prandaj, ndonëse në një kohë relativisht të kufizuar, ndërmora një inkursion studimor, duke shkuar, qoftë disa herë fluturimthi, nëpër vatrat kryesore të Arbërisë së vogël. Ishin këto ditë e net arbëreshe nga një katund në tjetrin, nga një shtëpi në tjetrën, nga një takim në tjetrin. Kurrë në jetën time nuk kam provuar brenda një kohe aq të shkurtër emocione aq të dendura, nuk jam përballur me aq situata nga më të çuditshmet, nuk kam takuar burra dhe gra krejt të panjohur, po që i ndjeja aq të afërt, nuk jam ngarkuar me aq informacione e të dhëna për historinë e kulturën sa gjatë këtij inkursioni njëmujor. Ishte kjo një gjendje herë’herë mes ëndrrës dhe jermit, që s’m’u përsërit e besoj s’do të më përsëritet më kurrë. Ndoshta situata të tilla fatlume ndodhin vetëm një herë në jetë. Kështu, pas kësaj stuhie shpirtërore, që i ngjante një stuhie pranverore, do të lindte e ngjizej libri im me udhpërshkrime e meditime “Larg dhe afër”, që shkrova me një frymë sapo u ktheva në Shqipëri. Ç’është e vërteta, në fillim sikur u bllokova nga gjithë ajo barrë mendimesh dhe emocionesh, që mbaja brenda vetes. S’ishte e kollajtë t’u jepje udhë e t’i vendosje në një hulli gjithë ç’kisha pare, gjithë ç’kisha dëgjuar, gjithë ç’kisha pëqetuar, gjithë ç’kisha hulumtuar e zbuluar. Ndaj prita orën të qetësohesha, të merrja veten dhe t’i hidhja në letër tërë ato që kisha sjellë me vete. Por prapë u përballa me një situatë tjetër të vështirë, kur u gjenda në pozitës mes shkrimtarit, studiuesit e publicistit e, ç’ish më e vështira, të sivëllait të një gjuhe, që do të shkruante për jetën e vëllezërve e motrave të rigjetur pas 500 vjetësh.

Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe që veprën, më shumë se mendja, e shkroi zemra, ndaj ajo kish aq dashuri e nostalgji, aq ndjenja spontane, aq habi e befasi, sa nuk do të kish vend aq të gjerë për një vështrim e trajtim të thellë racional. E megjithatë, unë e kreva veprën ashtu siç e ndjeva dhe si të tillë ua dhashë lexuesve shqiptarë e arbëreshë. Për hir të së vërtetës, ajo u mirëprit, u pëlqye, mora përgëzime e lavdërime nga lexuesit e dy brigjeve. Kritika shkroi fjalë shumë të mira. Dhe të gjitha këto nuk mund të mos më gëzonin. Por ajo që më solli në vete dhe më bëri më realist për ç’ka kisha nxjerrë nga dora ishte opinioni që më dërgoi profesori arbëresh G. Gradilone, drejtues i Katedrës së Gjuhës e Letërsisë Shqipe të Universitetit “La Sapienza” të Romës. Prej tij më erdhën këto fjalë: “E ka shkruar shumë bukur, me dashuri të madhe, por me një vello romantike. Ne arbëreshët nuk jemi aq mirë sa na e përshkruan autori.” Dhe kjo ishte e vërtetë, siç qe e vërtetë që për këtë isha dhe unë i ndërgjegjshëm. Nuk mund të përshkruhej e të jepej realiteti arbëresh i plotë e i saktë, në thellësi e gjerësi, me gjithë dritat e hijet e tij brenda një inkursioni vraparak. Duhet të haje një thes me kripë në Arbërinë e Vogël që ta bëje këtë, kur unë vetëm sa kisha shijuar bukën me kripë të mirëseardhjes arbëreshe.

U kisha kthyer kështu vizitën poetëve arbëreshë, të cilët i kisha pritur e përcjellë në Shqipëri dhe kisha përjetuar mikpritjen e vëllezërve në shtëpinë e tyre.

Share This Article
1 Comment
  • Vetem dy fjale:
    Jeni nji pende e madhe shqipe.
    Lum prinderit qe te kane lindur e rritur.Lum Shqiperia qe te ka e te mban sic e mbani e nderoni dhe ju Nanen shqiptare;Shqiperi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *