Në Shqipëri 11 % e fëmijëve janë pre e ngacmimeve seksuale

Dita

Fëmijët shqiptarë rriten në ambiente të dhunshme. Nuk bëhet fjalë vetëm për “shuplakat” e marra për gabime të ndryshme në ambiente  familjare apo shkollore, por edhe për ngacmime seksuale, ku raste të shumta janë ccuar edhe në organet policore. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese në kushtet e rritjes së përdorimit të internetit tek të miturit pa kontrollin e filtrave mbrojtës apo atij prindëror. Në një tryezë të rrumbullakët të zhvilluar gjatë ditës së djeshme nga shoqëria civile dhe Ministria e Brendshme janë prezantuar të dhëna shqetësuese sa i takon ngacmimit seksual të fëmijëve.

Në Shqipëri raportohet se 11 për qind e fëmijëve bien pre e ngacmimeve seksuale nga më të rriturit. Një tjetër e dhënë alarmuese është ajo e dhunës seksuale, ku 5 për qind e fëmijëve rezultojnë të jenë viktima të dhunës seksuale. Referuar të dhënave të raportuara gjatë vitit të shkuar, theksohet se policia ka regjistruar 97 ankesa për abuzim ndaj të miturve, ndërkohë që në vitin 2013 nuk ka pasur asnjë të dënuar nga sistemi i drejtësisë për krime seksuale tek të miturit nën moshën 14 vjeç. Të dhënat janë konfirmuar në studimin e kryer nga qendra për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri “Alo 116”.

Përballë kësaj situate, si dhe rrezikut që u kanoset të miturve nga aksesi i pakontrolluar nëpër rrjetet online, drejtuesit e kësaj qendre kërkojnë që Shqipëria të miratojë një regjistër kombëtar për mbrojtjen e fëmijëve nga krimet seksuale. “Qëllimi regjistrit kombëtar sigurisht është që të regjistrojë një bazë të dhënash që administrohet nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme Policisë, të gjithë personave që kryejnë krime seksuale, që janë dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata vendase dhe ata shtetas shqiptarë që janë dënuar jashtë Shqipërisë, por që ndodhen në Shqipëri dhe janë të referuar nga organet e drejtësisë të vendeve mike të Shqipërisë”, ka deklaruar kreu i kësaj qendre Altin Hazizaj.

Monitorimi e kategorizon Shqipërinë  në listën e vendeve që janë ende të papërgatitura për të mbrojtur të miturit nga ngacmimet dhe dhuna seksuale, e cila denoncohet në shumicën e rasteve nga prindërit dhe të afërmit e viktimave.  Deputetja Vaislika Hysi, gjatë prezantimit të këtyre të dhënave ka deklaruar se po punohet për reformimin e sistemit të drejtësisë, duke përfshirë edhe ndryshime konkrete në Kodin Penal sa i takon ndëshkimeve që duhet të merren kundrejt abuzimeve tek të miturit. “Është ngritur Komisioni i Reformës në Drejtësi. Një pikë e veçantë e punës së këtij komisioni do të jetë dhe reforma në drejtësinë e të miturve, përfshi drejtësinë penale dhe fusha të tjera të drejtësisë”, ka theksuar Hysi. Gjatë ditëve në vijim, parashikohet që të zhvillohet edhe një proces konsultimi për strukturën dhe përmbajtjen e regjistrit kombëtar, për të arritur në një projekt final që do t’i dorëzohet Kuvendit për miratim.

 

Abuzimi emocional

Abuzimi emocional është një tjetër formë e përhapur e dhunës tek të miturit. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, abuzimi emocional është një nga format më të shpeshta dhe më dëmtuese të keqtrajtimit të fëmijës, e cila mund të ketë ndikim përgjatë gjithë jetës së individit, veçanërisht në drejtim të vetëvlerësimit të fëmijës dhe ndërtimit të marrëdhënieve me bashkëmoshatarët. Abuzimet emocionale me së shumti lidhen me praktika të gabuara, e që kanë të bëjnë me: “Vënien në lojë të fëmijës, fajësimin e tyre gjithmonë, përdorimin e frikës për të kontrolluar sjelljen e tyre, si dhe përdorimin e fjalëve të ashpra dhe fyese për të kritikuar sjellje të caktuara që në gjykimin e përditshëm etiketohen si të gabuara”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *