Në Shqipëri, femrat drejt zhdukjes

anazapta

Vëzhgimet e kryera mbi lindjet flasin për një pabarazi sa i takon gjinisë së fëmijës, ku po mbizotërojnë lindjet e meshkujve. Shumë familje, pasi mësojnë se fëmija që do u vijë në jetë nuk është i gjinisë mashkullore, u drejtohen aborteve, edhe pse ndalohet me ligj

 

Familjet shqiptare bëjnë dallime në gjininë e fëmijës. Gjatë viteve të fundit është vënë re një rritje e tendencave për abortet selektive, ku shumë prindër, pasi mësojnë se fëmija që do sjellin në jetë nuk është i seksit mashkull, preferojnë ta abortojnë. Ky fakt shqetësues është konfirmuar edhe nga studimi i kryer mbi balancat gjinore të lindjeve në vendin tonë. Studimi vë në dukje se popullsia shqiptare ka qenë e dominuar nga meshkujt për një kohë të gjatë, por vitet e fundit është vënë re një rritje e mëtejshme e këtij dominimi.

Kjo pasi në vend po lindin më shumë meshkuj se femra, duke e çuar raportin e lindjeve femra-meshkuj në 100 femra të lindura kundrejt 111 meshkujve. Më i dukshëm ky fenomen i dëshirës për të sjellë në jetë vetëm meshkuj është në Dibër, Durrës, Lezhë dhe Fier, ndërsa më i zbutur në qytetet juglindore. “Dhe nëse do të vazhdohet me këto ritme, në 20 vitet e ardhshme do të kemi mbi 11 për qind meshkuj më shumë se femra”, ka deklaruar demografi Arjan Gjonçaj, gjatë prezantimit të dhënave të studimit “Raport i paekuilibruar midis sekseve në lindje në Shqipëri”.

Aborti selektiv klasifikohet si një nga shkaqet që po e thellon këtë raport, edhe pse në vendin tonë ai është ndaluar me ligj. “Ligji është shumë i mirë, por duhet të zbatohet”, shtoi Gjonçaj.  Të dhënat e studimit tregojnë se “me nivelin e ulët të lindshmërisë (nga 6 fëmijë për grua në vitet ’60 në rreth 1.5 sot) dhe me një shpërndarje biologjike të lindjeve sipas seksit, pa ndonjë ndërhyrje, rreth 34 për qind e familjeve në vend nuk do të kenë djem”. Të dhënat e plota mbi pabarazinë gjinore në lindje janë bërë publike gjatë konferencës kombëtare të zhvilluar nga Zyra e OKB-së në Tiranë dhe “World Vision”.

 

Shkaqet që diferencojnë pabarazinë në lindje 

Duke iu referuar të dhënave të studimit kreu i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë Pëllumb Pipero ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se me fenomenin e disbalancave gjinore janë të lidhur një sërë faktorësh që kanë të bëjnë me “parapëlqimin e djemve apo vajzave në shoqërinë shqiptare, nivelin e fertilitetit, sigurimin e teknologjisë për përcaktimin e seksit, modernizimin e mjeteve të disponueshme të riprodhimit, zhvillimin e shpejtë të sistemit privat të kujdesit shëndetësor dhe legalizimin e abortit”. Për të përmbysur këtë raport problematik zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë me qëllim marrjen e vendimeve dhe propozimin e ndërhyrjeve të duhura u kanë kërkuar organizatave partnere të asistojnë në kërkime më të thelluara, përmes metodologjive të standardizuara për të forcuar evidencën mbi ekzistencën e këtij fenomenit të përzgjedhjes gjinore në lindje, prirjet në kohë të tij, shpërndarjen gjeografike, faktorët e ndërlidhur me disbalancat gjinore dhe implikimet me shërbimet shëndetësore.

 

Tkurrjet ne tregun e martesës

“Duke pasur parasysh dinamikën e zhvillimit të popullsisë, që domethënë që pas 20-30 vitesh këta fëmijë që janë do të jenë në moshën adulte kjo ka pasoja të disa përmasave. Në radhë të parë pasoja e parë demografike është se do të ketë një tkurrje të tregut të martesës, ku do të ketë më shumë meshkuj se femra. Duke pasur parasysh se meshkujt e një gjenerate të martohen me një gjeneratë tjetër, i bie të shtohet ky numër dhe të tkurret akoma më shumë tregu i martesës. Ka një tjetër pasojë, që mund të shtyjë akoma edhe më shumë emigracionin”, thotë Arjan Gjonca, demograf.

 

Në janar të 2013-s task-forca nis monitorimet për shkaqet e aborteve

Task-forca e ngritur nga ekspertët e shëndetësisë duke nisur nga janari i 2013-s do të zbresë në terren për të monitoruar kryerjen e aborteve në zbatim të ligjit për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë. Konfirmimi është bërë gjatë ditës së djeshme nga kreu i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, gjatë prezantimit të dhënave shqetësuese të studimit “Raporti i paekuilibruar midis sekseve në lindje në Shqipëri”. Kjo task-forcë do të monitorojë nivelin e aborteve dhe shkaqet se përse është thelluar pabarazia mes gjinive që në lindje. “Ndërprerja e shtatzanisë në vend rregullohet me ligjin “Për ndërprerjen vullnetare të shtatzanisë”, ligj bashkëkohor dhe i mbështetur mbi eksperiencat e vendeve të zhvilluara Evropiane”, bën të ditur Pipero.

Sipas tij, ligji parashikon në nenin 1 të tij respektimin e çdo qenieje njerëzore që në fillim të jetës, parim ky që nuk mund të shkelet përveç rasteve kur është e domosdoshme dhe në kushtet e përcaktuara në ligj. Më tej neni 1 i këtij ligji saktëson se aborti në asnjë rast nuk duhet të përdoret si metodë e planifikimit familjar. Fatkeqësisht, në vendin tonë gjatë viteve të fundit ky nen nuk është zbatuar çka faktohet edhe me thellimin e raporteve ndërmjet lindjes së meshkujve dhe femrave. Ligji parashikon më tej ndërprerjen e vullnetare të shtatzanisë, me kërkesën e nënës deri në 12 javë shtatzanie.

“Ligji garanton respektimin e çdo qenie njerëzore që në fillim të jetës së tyre, pra që në fazën e konceptimit. Shtatzania deri në 22 javë mund të ndërpritet për një sërë arsyesh shëndetësore, përfshirë edhe ato psikosociale të përcaktuara, në zbatim të këtij ligji nga Ministria e Shëndetësisë. Në to nuk përfshihet aborti për zgjedhjen e seksit” shtoi Pipero.

 

Kur lejohet kryerja e testeve gjenetike tek bebet

Një tjetër ligj që ndihmon në frenimin e këtij fenomeni është edhe ai me numër 10 339, datë 28.10.2010 “Për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën për të drejtat e njeriut dhe Biomjeksinë”.  Një kapitull i veçantë i ligjit merr në mbrojtje personat që të mos diskriminohen, po ashtu parashikon zhvillimin e testeve gjenetike vetëm për shmangien e sëmundjeve gjenetikisht të trashëguara. Për herë të parë dy nene të veçanta te ligjit marrin në mbrojtje embrionet. Kështu, ndalohet përdorimi i teknikave që synojnë modifikimin e gjenomit njerëzor, si dhe zgjedhjes së gjinisë fëmijës së ardhshëm. “Ky miratim i kësaj konvente vjen duke vlerësuar se progresi në biologji dhe mjekësi duhet të përdoret për përfitimin e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm, të ndërgjegjshëm se keqpërdorimi i biologjisë dhe mjekësisë mund të çojë në akte që rrezikojnë dinjitetin njerëzor dhe duke theksuar nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar, në mënyrë që dhe gjithë popullata shqiptare të mund të gëzojë përfitimet e biologjisë dhe mjekësisë, është parë e arsyeshme që edhe vendi jonë të aderojë në këtë konventë”, shton Pipero.

Ndërsa neni  14 i ligjit flet pikërisht për mospërzgjedhjen e gjinisë duke cituar se: “Përdorimi i teknikave të riprodhimit me ndihmën e elementeve mjekësore nuk lejohet për qëllim të zgjedhjes së gjinisë së fëmijës së ardhshëm, përveç rasteve kur duhet të shmanget një sëmundje e rëndë e trashëguar e lidhur me gjininë. Për të gjitha sa më sipër, Ministria e Shëndetësisë e konsideron ndërprerjen e shtatzënisë me qëllim përzgjedhjen e seksit fetal, si një veprim absurd, moralisht dhe ligjërisht të dënueshëm.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *