Gjatë pasdites së 25 shkurtit, në një nga universitetet private në vend është mbajtur uorkshop, në të cilin ishin të pranishëm një pjesë prej studentëve më të mirë të degës së shkencave kompjuterike, biznesit dhe komunikimit të këtij universiteti si dhe një sërë të ftuarish e profesionistësh të ICT-së në Shqipëri. Qëllimi i organizimit ishte në kuadër të sensibilizimit të studentëve të degës së informatikës dhe shkencave të ngjashme me të, për t’i nxitur ata të marrin pjesë në konkursin e parë të këtij lloji në mbarë trevat shqiptare i cili po zhvillohet për vitin e dytë radhazi, “Albanian ICT Awards II”. Ne folëm me një ndër bashkëthemeluesit e Albanian ICT Awards, Kushtrim Shalën, i cili na tregoi më shumë për këtë iniciativë që nuk i lë të talentuarit të shkojnë “dëm”.
Kushtrim, si drejtues i kësaj iniciative, na thoni cilat ishin disa nga arsyet më të forta që ju shtynë të ndërmerrni këtë iniciativë?

Është viti i dytë radhazi që nën organizimin e shtëpisë botuese ICTS Media mbahet një event i rëndësishëm për të gjithë ata që shquhen në fushën e ICT (Information Communication Technology). Evenimenti në vetvete bartë një filozofi e cila vë në pah vlerat individuale, ashtu edhe siç e kishte vetë moton “Vlerësimi më i lartë individual në fushën e ICT”, duke mbledhur bashkë komunitetin e larmishëm, që nga djali i talentuar 10-vjeçar, Hysen Ndregjoni, nga Tirana, e deri tek 70-vjeçari, veteran i kësaj fushe, profesor Ismet Hamiti i Kosovës. Duke u konsideruar si një iniciativë e suksesshme nga mbarë komuniteti i ICT-së, e mbështetur jo vetëm nga individët, konkurrentët, vendimmarrësit e institucioneve publike e private, por edhe nga instancat shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës, Ambasadorët e SHBA dhe BE, kjo iniciativë ka krijuar përceptimin dhe besimin e plotë në komunitet që të vazhdojë si një iniciativë e përvitshme. Duke u kurorëzuar në një mbrëmje madhështore gala e cila i mungonte komunitetit të mendje-ndriturve shqiptarë, atyre inovatorëve që bota u ka drejtuar sytë, pritshmëritë dhe shpresat e rimëkëmbjeve ekonomike të çdo vendi. Organizimi i një evenimenti vjetor, i cili ka në program identifikimin dhe shpërblimin e profesionistëve, talentëve, menaxherëve, specialistëve të marketingut, gazetarëve promotorë të TIK, profesorëve të dalluar të kësaj fushe, në fakt është një format shumë i suksesshëm, i kthyer tashmë në traditë për të 25-tin vit radhazi nga “Computerworld Honor”, që prodhohet më Boston nga kompania mëmë e ICTS Media, IDG.
Pas kësaj eksperience, a kemi ne në vendin tonë të talentuar në fushën e informatikës?
Po, sigurisht që kemi. E veçanta e kësaj nisme ndryshe nga organizime të tjera nderimesh, konkursesh, mirënjohjesh që iu bëhen bizneseve, institucioneve, organizatave, iniciativave etj., është se ICT Awards nderon individin, si vlerën më të padiskutueshme, burimin kryesor që sjell suksesin ose jo të një biznesi apo organizate. Jam shumë i bindur, se potenciali i burimeve njerëzore shqipfolëse është i mahnitshëm. Mjafton të kujtojmë që ne si popull, kemi aq shumë njerëz nëpër botë, që shkëlqejnë në universitetet më të mira të botës, së fundmi kanë kapërcyer të gjitha pritshmëritë e arritjeve nga një popull i vogël në raport botëror, siç është rasti i sipërmarrësit të suksesshëm në ICT, z. Donald Leka, fitues i shumë çmimeve në Cloud-Computing, i cili njihet mbi të gjithash për krijimin e sistemit operativ që quhet Glide OS, tashmë partner i Windows dhe iOS, apo profesores së nderuar, znj. Mira Mezini, fituese e çmimit elitar ERC Awards për inovacion, dhënë nga Unioni Europian.
Deri në cilën datë vazhdojnë aplikimet?
Aplikimet janë hapur prej datës 1 shkurt dhe do të vazhdojnë të pranohen online deri më 31 mars. Pas kësaj date, juria do të mblidhet për të vlerësuar projektet dhe do të krijojë një listë me disa prej projekteve më të vlefshme për secilën kategori, duke ftuar më pas aplikantët të bëjnë një prezantim të shkurtër ballë për ballë mbi punën e tyre. Mbrëmja gala e dhënies së çmimeve do të mbahet në fund të prillit, në një organizim të veçantë në një prej hoteleve më prestigjoze të kryeqytetit shqiptar
ICT AKADEMIKU MË I MIRË I VITIT
Dr. Marenglen Biba
Platforme e cila bazohet në arsimin automatik të kompjuterët apo “Machine Learning”, dhe synon të japë një klasifikim automatik të dokumenteve në gjuhën shqipe, sipas kategorive të ndryshme. Projekti i paraqitur nga profesor Biba përfaqëson një risi, sepse në këtë drejtim për gjuhën shqipe kërkimet mungojnë, me përjashtim të ndonjë tentative sporadike për ndërtimin e fjalorëve elektronikë.
ICT MOBILITETI MË I MIRË I VITIT
Julian Kanini
Fillimisht, projekti ishte menduar të ngrihej si një website, por, më vonë u zhvillua edhe si aplikacion për platformat celulare Android dhe iOS, sepse ai iu shërbente njerëzve kryesisht gjatë lëvizjes. Aplikacioni mund të shkarkohet në portalin tiranabuses.com, Google Play dhe App Store. Përdoruesit mund të dinë se sa larg nga stacioni ku ndodhen është autobusi më i afërt dhe afërsisht sa kohë iu duhet për të mbërritur Tiranabuses ka edhe një aplikacion GPS, që iu mundëson përdoruesve të ndjekin vendndodhjen e autobusëve në kohë reale. Kështu, përdoruesit mund të dinë se sa larg nga stacioni ku ndodhen është autobusi më i afërt dhe afërsisht sa kohë i duhet për të mbërritur.
ICT KREATIVITETI I VITIT
Betim Drenica
Projekti quhet Scards, Ky program do të mundësojë që njerëzit ta nisin biznesin e tyre Brenda një kohe shumë të shkurtër, duke pasur mundësi të shesin produktet e Scards në të gjithë botën, si dhe duke marrë një pjesë të mirë të fitimit nga këto shitje. Produkti kryesor i kompanisë është kartëvizita. Scards ka krijuar edhe versione të ndryshme inovative të kartëvizitave. Është zhvilluar teknologjia e fundit, HTML5.
ICT TEMA E DIPLOMËS MË E MIRË E VITIT
Bardh Lohaj
Realiteti i shtuar – gjendja aktuale dhe problemet gjatë zhvillimit të lojërave në platformën OS. Tema e diplomës së Bardh Lohajt ngërthen teknologji nga më të avancuarat për zhvillim të softuerit e, në veçanti, realitetin e shtuar Realiteti i shtuar, me pak fjalë, përshkruhet si mbivendosje e elementeve virtuale që gjenerohen nga kompjuteri (si p.sh. imazhet, zëri, videot apo çfarëdo forme tjetër e të dhënave) në mjedisin real apo pamjen e mjedisit real, në kohë reale. Ideja qëndron në zhvillimin e një loje tredimensionale, në të cilën lojtarët do të përzgjedhin një karakter virtual dhe pastaj të sfidojnë njëri-tjetrin në mjedisin real.
ICT YLLI NE NGRITJE I VITIT
Elio Qoshi
Çmimi “ICT Rising Star” në edicionin e parë të ICT Awards u fitua nga Elio Qoshi. Projekti, që paraqiti, ishte vërtet një “kafshatë e madhe”: një version i ri i lojës “Tomb Raider”. Natyrisht që Elio nuk është i vetëm në këtë sipërmarrje, por lider i një grupi me djem dhe vajza që janë të shpërndarë në vende të ndryshme të botës dhe që janë bashkuar me njëri-tjetrin përmes botës virtuale. Niveli testues i lojës është tashmë në fazën fillestare të prodhimit. Loja ka një profil serioz: çdo informacion historik që përfshihet në të është i saktë. Projekti mund të mbyllet në vitin 2015. Qoshi shpreson të vlerësohet zyrtarisht nga zhvilluesit e “Tomb Raider”
Kriteret
Çdo shtetas shqiptar, pa dallim gjeografik, i cili ka qenë bartës i së paku një projekti të suksesshëm përgjatë vitit kalendarik 2013 mund të jetë kandidat. Kriter për t’u konsideruar kandidat i suksesshëm apo i nominuar, mund të jetë çdokush që përmes teknologjisë arrin të demonstrojë rezultate të matshme dhe të prekshme aty ku është e mundur, për përfituesit e targetuar. Mund të jetë çdokush që demonstron zhvillimin e një teknologjie të re, apo qoftë duke e përdorur një teknologji egzistuese me metoda të reja (p.sh. duke plotësuar një nevojë të veçantë sociale apo humanitare). Duhet të theksoj se vetëm informacionet që ofrohen në aplikim, do të përdoren nga anëtarët e jurisë, prandaj duhet të përfshihen detaje të mjaftueshme në mënyrë që përgjigjet rrëfyese te kandidatëve të jenë sa më të kompletuara. Afati i fundit i aplikimit do të konsiderohet data 31 Mars, nga ku do të përmblidhen të gjitha aplikacionet e suksesshme për t’u rishikuar nga juria.

si të këshilla për të qenë një gjeni në fushën e teknologjisë? faleminderit.
It is a very nice blog. Really it is a very international destination post. Thanks for sharing this post.