Regjimi i Bashar al Asadit ka përdorur armët kimike në sulmin e kryer në vigjilje të Krishtlindjeve ndaj rebelëve në Homs. Kjo është akuza e ngritur nga shefi i policisë ushtarake siriane, gjeneral majorAbdulaziz Jassim al-Shalal, i cili ka dezertuar dhe është hedhur në anën e rebelëve. Lajmi bëhet i ditur nga “Neë York Times”, e cila i referohet një videoje të postuar në faqen e televizionit Al Arabiya.
Duke folur nga një zonë në kufi me Turqinë, gjenerali ka thënë se e ka braktisur regjimin e Asadit, pasi aji “ka devijuar nga misioni i tij thelbësor, ai i mbrojtjes së popullit të tij”, duke u shndërruar në një klikë vrasësish. Ndërsa në mbështetje të akuzës për përdorimin e armëve kimike në Homs, vjen edhe dëshmia e disa përfaqësues të opozitës siriane, të cilët kanë denoncuar përdorimin e një “gazi helmues” nga ushtria qeveritare.
Nëse gjithçka konfirmohet, Siria mund të përballet me reagimin e menjëhershëm të komunitetit ndërkombëtar, i cili me në krye SHBA-në e ka paralajmëruar disa herë regjimin e Asadit, duke i kujtuar se përdorimi i armëve kimike nuk do të tolerohet kurrsesi dhe do të shënojë edhe fillimin e ndërhyrjes ushtarake për të mbrojtur popullin sirian.
Ndërkohë, gjatë orëve të fundit, një bombardim në provincën veriore Raqqa ka shkaktuar 20 të vdekur, mes të cilëve 8 janë fëmijë.