Pajisje 1,5 milionë eurosh vijojnë të qëndrojnë stok në spitale. Askush s’i përdor, askush s’di t’i përdorë, ndërsa ministria, pasi i bleu, i lau duart dhe asgjë nuk u parashikua për mirëmbajtjen, instalimin dhe vënien e tyre në funksion të njerëzve, që rrinë me muaj në radhë për një vizitë
Arlinda Gjypi
Ja që nuk ka zgjidhje për situatën në spitale. Të paktën jo me këtë sistem. Ky është konstatimi i deputetit socialist Eltar Deda, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Shëndetësisë. Mjek edhe në profesion, ai rrëfen se korrupsioni ka arritur në pikën që edhe atij vetë i duhet mik për të marrë një shërbim në spitalet tona. Dhe pastaj mund të imagjinohet i shkreti njeri i thjeshtë. E megjithatë deputeti nuk fajëson mjekët. “Është puna dhe përkushtimi i tyre ndër vite që mban në këmbë atë institucion”, thotë ai, teksa në vijim të këmbënguljes së një viti më parë për mijëra euro të hedhura më kot në pajisje që s’i shërbyen askujt, sot hedh dorashkën: “Ju bëj një ftesë publike: shkoni, investigoni dhe gjykoni mbi gjendjen në të cilën ndodhen këto pajisje”.
Më poshtë intervista e plotë e dhënë për gazetën “Dita”:
Eltar, pak ditë më parë një djalë 11-vjeçar vdiq gjatë një operacioni në sy. Nga mjekët u deklarua se fajtore ishte ministria që nuk kishte siguruar një ilaç që mund t’i shpëtonte jetën. Pati shumë fajhedhje dhe asnjë mbajtje faji… Mendoni se është ky rast një tregues për gjendjen e spitaleve sot?
Nuk dua që të politizoj ose më mirë të polemizoj me askënd në lidhje me vdekjen fatale që ndodhi në spitalin e QSUT-së. Për mendimin tim, çdokush që rend për të dhënë fajin ose përgjegjësinë për humbjen e një jete para organeve përgjegjëse, siç është ekspertiza mjeko-ligjore, nuk ndihmon. Siç edhe u shpreh mjekësia ligjore, ishte një vdekje aksidentale, si rezultat i arresteve kardiake të shpeshta njëra pas tjetrës. Unë dua të dal hapur në mbrojtje të personelit mjekësor, mbasi është puna dhe përkushtimi i tyre ndër vite që e mban në këmbë atë institucion, pavarësisht politikave të ndjekura nga çdo qeveri drejtuese.
Mund të thoni katër problemet më të mëdha aktuale në spitale?
Sot sistemi spitalor ndodhet në një situatë kaotike, e cila i ka detyrar punonjësit në radhë të parë, por edhe pacientët që të prekin dështimin e politikave të qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, në veçanti. Problematika e spitaleve sot është e shumëllojshme. Gjë e cila në momente të caktuara nxjerr në pah njërën apo tjetrën në renditje. Mungesa e medikamenteve, gjendja e infrastrukturës, mungesa e specialistëve janë problematika që qytetari shqiptar i shikon dhe i prek dita-ditës, pa e ditur se ku qëndron faji. Ai, pacienti, gjithmonë bën lidhjen e drejtpërdrejtë tek personeli.
Për mendimin tim, katër problemet e mëdha që kanë spitalet tona, por edhe shëndetësia në përgjithësi janë:
Në radhë të parë, mungesa e një strategjie të qartë për funksionimin e sistemit spitalor.
Së dyti, keqmenaxhimi i institucioneve pikërisht nga mungesa e një strategjie të qartë.
Së treti, mungesa e fondeve për të përballuar situatën, por edhe paaftësia për të alokuar fondet sipas nevojave dhe rëndësisë.
Së katërti, por nga rëndësia më problematikja, shkalla e lartë e korrupsionit që ka përfshirë sistemin shëndetësor në tërësi, por që në sistemin spitalor del më në pah. Të gjitha këto kanë sjellë humbjen e besimit jo vetëm te pacienti, por edhe te vetë personeli shëndetësor ndaj këtyre institucioneve.
Vitin e kaluar keni kundërshtuar shumë blerjen e disa pajisjeve të shtrenjta që do të vendoseshin nëpër spitalet në rrethe. A nuk mendoni se janë të nevojshme këto pajisje? Cila është arsyeja që e kundërshtuat blerjen e tyre?
Shumë debate kam pasur lidhur me këtë deklaratë timen, pasi edhe në ambjente të ndryshme ku kryejnë funksionin këto aparatura janë komentuar ndryshe. E kam deklaruar publikisht se ne nuk jemi kundër blerjes së këtyre aparaturave dhe vendosjes së tyre në ambjentet spitalore, sepse qenia e tyre në spitale detyrimisht sjell edhe rritje të cilësisë së shërbimit ndaj pacientit.
Por ajo që ne të gjithëve na vret, është blerja pa kriter e këtyre pajisjeve dhe vendosja në funksion e tyre. Është luks shumë i madh për mjekësinë shqiptare pajisja në sasi kaq të madhe të institucioneve spitalore. E theksoj këtë se është luks, mbasi sot mjekësia shqiptare vuan nga mungesa e materialeve më të domosdosme dhe të nevojshme (në spitalet tona mungon edhe pambuku) dhe është pikërisht personeli mjekësor, por edhe pacienti që gjenden në një situatë dështimi. Arsyet që i kundërshtojmë janë:
Në radhe të parë, nisur nga numri i popullsisë dhe numri i vizitave, është e tepërt blerja e 5 rezonancave.
Së dyti, personeli për t’i vendosur në punë këto pajisje, nuk ekziston.
Së treti, qeveria nuk ka parashikuar fonde, sepse nuk ka për t’i mirëmbajtur dhe për t’i vendosur në punë këto aparatura.
Dhe së fundmi, nuk ka infrastrukturë për t’i vendosur këto aparatura që i kushtojne shumë shtrenjtë.
Sot që ne po flasim, ato janë vendosur. Unë ju bëj një ftesë publike, shkoni, investigoni dhe gjykoni mbi gjendjen në të cilën ndodhen këto pajisje.
Thuhet se ka një akreditim të spitaleve. Cilat nga spitalet në vend janë akredituar dhe si ndikon mosakreditimi?
Dëgjoja në një debat televiziv të para disa ditëve ministrin e Shëndetësisë dhe disa ish-ministrave pikërisht në lidhje me akreditimin e institucioneve shëndetësore. I pranishëm ishte edhe kreu i këtij institucioni, i cili është nën varësine e Ministrisë së Shëndetësisë. Vërtet më la një shije jo të mirë, sepse ministri nuk ishte në gjendje që të gjykonte në lidhje me ecurinë e këtij institucioni, pasi domosdoshmërinë ia di. Sot që ne flasim, vetëm një institucion publik është i akredituar dhe ky është Spitali i Durrësit, i cili është projekt-pilot. Asnjë institucion tjetër nuk e ka marrë vulën e këtij institucioni.
Mosakreditimi sjell një amulli në të gjithë funksionimin e sistemit shëndetësor, sepse politikat e Ministrisë së Shëndetësisë duhet të ngrihen pikërisht mbi gjykimin e këtij institucioni.
Këto politika kanë të bëjnë që me shpërndarjen e shërbimeve, vendosjen në eficencë të atyre që funksionojnë, mbylljen e atyre shërbimeve që nuk janë të efektshme dhe deri te shpërndarja e fondeve në mënyrë funksionale.
Dua të theksoj se sot në shërbimin shëndetësor në strukturë janë 44 spitale rajonale dhe rurale. Nga këto, vetëm 20 janë funksionale, 24 të tjerë janë inekzistentë, pa godinë, pa infrastrukturë, por me personel të plotë, deri edhe rojë, shoferi dhe kuzhinierë dhe vazhdojnë të marrin para nga buxheti i shtetit.
Në një bisedë të mëparshme tonën jeni shprehur se në spitalin e Vlorës në vitin 2005 është blerë një aparaturë dixhitale skopi me vlerë 1,5 milionë euro. Deri vjet s’ishte vënë në punë. Keni dijeni nëse sivjet ajo aparaturë është vënë në shërbim të publikut?
Jo, nuk është vendosur në punë dhe është kthyer në një mall stok në ambjentet e magazinuara të spitalit të Vlorës.
Prej vitesh jeni deputet i Vlorës, por në profesion jeni mjek. E keni ndier ndonjëherë veten keq nga profesioni juaj?
Fatmirësisht jo, sepse edhe ju vetë e kini vënë re se unë dhe në politikë jam i fokusuar kryesisht në politikat shëndetësore. Kurse nga ana tjetër, kushdo që më njeh, e di që unë çdo ditë jetoj në mes të komunitetit të mjekëve.
Një pyetje të thjeshtë: ju është dashur ju vetë të fusni mik për të marrë një shërbim në spital? Po mik a jeni futur për dikë tjetër?
Jo vetëm që kam hasur vetë në vështirësi, por në shumë raste më është dashur të komunikoj si me ministrin, por edhe me drejtues të niveleve të ndryshme në ministri për të kërkuar ndihmë. Kjo është normale në një situatë jonormale të qeverisë shqiptare.
Sa vjet mendoni se i duhen shërbimit shëndetësor në Shqipëri të hyjë në një rrugë të duhur?
Programi i Partisë Socialiste është i qartë, jo vetëm për publikun, por në mënyrë të veçantë për të gjithë ata që punojnë në sistemin shëndetësor. Vetëm një rilindje në drejtim të ekonomisë shqiptare dhe të gjithë shoqërisë do të bëjë të mundur funksionimin e të gjitha hallkave të këtij sistemi tërësisht të rrënuar dhe të dështuar për shkak të politikave të korruptuara. Programi ynë për sistemin e shëndetësisë konsiston në ndryshimin rrënjësor të të funksionimit dhe financimit të tij, duke i dhënë qytetarit shqiptar shërbimin sipas nevojave dhe duke shtuar kështu besimin ndaj këtyre institucioneve, duke rritur një gjeneratë profesionistësh në vazhdimësi, në mënyrë të atillë që shëndeti i popullatës të ketë prioritet i prioriteteve.
Është thënë dhe stërthënë se gjendja në spitale është e keqe. Njerëzit janë të ngopur me konstatimin e situatës. A mund të më thoni një zgjidhje praktike për këtë situatë kaq anormale?
Në këto kushte që ndodhen jo vetëm spitalet, por i gjithë sistemi shëndetësor, e theksova dhe pak më lart se vetëm një rilindje sjell ndryshimin rrënjësor dhe daljen nga kjo situatë.
Ndërhyrje rrënjësore në drejtim të mënyrës së financimit të këtyre institucioneve nëpërmjet Shërbimit Kombëtar Shëndetësor. Duke zbatuar taksimin progresiv dhe duke i adresuar shëndetësisë fondet e nevojshme për një shërbim të nevojshëm në mënyrë që t’i gjendemi qytetarit në çdo cep të vendit me shërbimin shëndetësor, duke edhe i siguruar shërbimin e vazhdueshëm me personel mjekësor. Rritja e besimit ndaj shërbimit publik do të vijë nëpërmjet rritjes së cilësisë së dhënies së shërbimit, rritjes së shkallës së përgjegjshmërisë së përdorimit të fondeve.