Në 170 vjetorin e lindjes së Naim Frashërit
Imazhi i poetit
Sapo shkela në Stamboll mendja më shkoi te Naimi. Madje, sa kohë qëndrova atje, poeti zotëroi në përfytyrimet e dëshirat e mia. Ndieja paprerë praninë e tij, një prani shpirtërore, që rrinte zgjuar brenda meje, po ndodhte në çaste meditimi të thellë dhe praninë fizike. Më ligjëronte nëpër vargje me jonet e fyellit e të xhurasë; më kumbonin në gjoks këngët e tij; ndieja fjalët e poetit të më këndonin… Dufet e mallit naimian sikur më merrnin me vete. Në këto çaste kuptoja se poetin s’ ishte nevoja ta thërrisja, ai ishte te unë, pjesë e vetëdijes dhe qenies sime. Mjaftonte rrëmeti i Stambollit që ta zgjonte!
Gjatë tërë atyre ditëve, tek do të endesha nëpër Stamboll, Naimi do të më fanitej herë pas here dhe do të më qëndronte gjithnjë përpara. Madhështor e njerëzor, i afërt e tepër i qartë, me sy të mëdhenj, gjithë dritë e mirësi, me ballë të gjerë e të menduar, me pamjen e qetë dhe besimndjellëse. I vetmi shqetësim në përfytyrimet e mia ishte shtati i tij që nuk e përcaktoja dot. Ai më shfaqej herë në lartësinë që na sjellin fotografitë e kujtimet, herë në përmasat që i kanë dhënë kohët dhe brezat. Por, tek e fundit, nuk ishte ky qëllimi i ardhjes në Stamboll. Më mirë se kudo unë mund të meditoja për në në Shqipëri, të meditoja në Frashër, apo në Sarandë e Berat. E, megjithatë, në këto çaste njeriu nuk e ka veten në dorë. Ishte rasti, ky çast i papërsëritshëm, që ma jepte Naimin tonë të madh në kufijtë e realitetit. Në këta kufij po e shikoja vetëm këtu dhe kjo ndodhi veçanërisht ditën e parë.
Ditët e tjera, edhe pse fytyra e poetit nuk m’u nda, u dhashë i tëri pas tragës së jetës së tij në këtë qytet. Sepse në Stamboll ai kishte qëndruar plot 18 vjet dhe këto kishin qenë vitet më të frytshme të tij. Koha e pjekurisë, e veprave të mëdha, ato që e bënë poet kombëtar dhe mësues të kombit. Nën qiellin e Stambollit ai kishte kënduar sa e sa këngë të pavdekshme. A nuk ishin shkruar këtu “Bagëti e bujqësia”, “Lulet e Verës”, “Historia e Skënderbeut”?! Prej këndej a s’kishin marrë rrugën për në Shqipëri librat diturake për mësonjëtoret e para?
Stambollin tani e kisha të gjithin përpara. E vështroja nga lartësia e tarracës së hotel “Hiltonit”. Pamja e tij më qe e hapur në të katër anët.
Vallë, ç’kish mbetur në Stamboll nga vizioni i kohës së Naimit?
Një fytyrë enigmatike , plot shtresime e trajta të ndryshme, me laryshi e kontraste ngjyrash, me një reliev të ngatërruar që zor se mund ta lexosh. Edhe tani si në kohën e Naimit bëjnë ballë të shtatë kodrat, ujërat dhe mjegulla lëvizin gjithandej si dikur Ura e gallatës qëndron sipër gjirit të “Bririt të Artë”. Bosfori e ndan qytetin në dy kontinente. Yskidari i Frashërllinjve është përsëri atje ku e kanë lënë ata. Nuk e kanë ndryshuar as minaretë e xhamive të njohura, as kubeja e moçme e shën Sofisë. Madje dhe sarajet e sulltanëve, Topkapija e Dollmabahçeja. Janë në këmbë Porta e lartë dhe Divani. Drurët dhe lulet kanë ndërruar, por parqet e famshme të pallateve të Jalldizit, të Kuçuksisë e të Belerbejt zbukurojnë ende brigjet e buta të Bosforit.
Rrugë të reja janë hapur, janë zgjeruar të vjetrat. Kanë rënë shtëpitë e drunjta e janë ngritur të tjera, të gurta e metalike, dhe prapë s’mund të thuash se planimetria e kryeqytetit i ka humbur konturet e dikurshme. Ta kujtojnë këtë vatrat e moçme të Stambollit, kullat e minaret, silueta orientale e sa e sa ngrehinave, rrjeti i pafund i sokakëve. Ta kujtojnë dhe urat, që janë po ato, veç urës së madhe metalike, pa këmbë, mbi Bosfor, që ka bashkuar dy kontinentet, anijet e kaiket që vozisin nëpër ujërat e Marmarasë. E prapë thua me vete, a mjaftojnë vetëm këto për të krijuar vizionin e Stambollit të Naimit? Në vështrimin e përgjithshëm është përftuar disi imazhi i atyre viteve të largëta dhe me këtë përfytyrim të gjallë mund të zbresësh në rrugë dhe të rendësh në kërkim të viseve të poetit.
Zbrita shkallët e hotelit dhe dola në rrugë. Isha i ngazëllyer nga gjithë sa kisha parë, por thellë në vetvete i rrëmbyer nga dëshirat, që më zgjonte paprerë poeti. Dyshoja në mundësinë e plotësimit të tyre dhe kjo më shqetësonte seriozisht. Nuk ishte gjë e paktë ajo që kërkoja të gjeja unë në hapësirat e Stambollit pas afro njëqind vjetësh! Më mundonte për së tepërmi dyshimi dhe pasiguria. Tërë shpresat i kisha te shqiptarët që banonin këtu. Ata do të më drejtonin e do të më shpinin në viset e Naimit. Po a mund të arrihej një gjë e tillë?
Në Stamboll sot rrojnë me mijëra shqiptarë. Një rajon i qytetit thërritet Arnautqoi. Ka mëhalla dhe udhë të shqiptarëve. Si zor të mund t’i takosh gjetkë aq shpesh e aq lehtë sa këtu. Mjafton të dalësh në rrugë e të pyesësh, të hysh në ndonjë dyqan, të ulesh në kafene apo të trokasësh në ndonjë portë. Shqiptar mund të jetë dhe punëtori që meremeton kalldrëmet, salepçiu që thërret, mundet dhe polici rrugor. Në Stamboll gjen një nga bashkësitë më të mëdha shqiptare, që ka mbetur nga kohë të largëta dhe është përtërirë gjatë këtij shekulli nga mërgimet kosovare dhe çame, e më pas nga shqiptarët e Shqipërisë. Ndonëse jeton jashtë rrjedhave të historisë sonë, ajo mban lidhje shpirtërore me dheun e të parëve. Dhe ç’është më e rëndësishme, këta shqiptarë ndihen shqiptarë dhe krenohen me zakonet dhe virtytet e tyre dhe përpiqen të ruajnë gjuhën amtare. Në mjedisin turk ata çmohen e nderohen, madje i quajnë edhe vëllezër, jo aq për shkak të fesë së përbashkët, se sa si njerëz të besës e të mikpritjes, të zgjuar, trima dhe punëtorë. Ndoshta, askund, shqiptari nuk gëzon atë emër të mirë që gëzon në Turqi. Ekziston për këtë një traditë popullore, një opinion tanimë i pranuar dhe i provuar nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Vetë Ataturku e ka thënë botërisht këtë të vërtetë sa e sa herë.
E, megjithatë, edhe në një vend mik, nuk është e lehtë të ruash identitetin, ta mbash gjuhën e aq më tepër të ndihesh i lidhur me rrjedhat dhe ecurinë e atdheut tënd. Koha bën të sajën, ndarja mbetet gjithnjë ndarje dhe pasojat janë të pashmangshme. Prandaj kur takohesh ditët e para me shqiptarët, rri me ta dhe bisedon, pa dashur pëson një lloj zhgënjimi. Ndien mikpritjen e tyre, karakterin dhe krenarinë shqiptare tek flet në gjuhën shqipe dhe bisedon për çështjet e ditës, po kur u kujton të kaluarën, e aq më tepër kur kërkon të flasësh për historinë shqiptare që lidhet me Stambollin, ata stepen dhe biseda sikur ngec. Shumë prej tyre rrojnë vetëm me të sotmen, me hallet e ditës, e kaluara është e kaluar, ajo ka ikur dhe ndoshta u takon pleqve të flasin e të tregojnë. Ata mund të tregojnë se ç’kanë qenë e ç’kanë bërë shqiptarët njëherë e një kohë në Stamboll. Ku kanë ndodhur ngjarjet e shënuara e ku kanë rrojtur burrat e shquar për të cilat shkruan historia. Ata dinë të flasin për Frashërllinjtë e mbi të gjithë për Naimin, bilbilin e shqipes.
Në fillim, ç’është e vërteta, kisha dëshirë të takoja, mundësisht, ndonjë nga pasardhësit e familjes së Frashërllinjve. Ishte kjo një fjalë goje apo një dëshirë krejt normale, nuk di ta them. Vetëm mendoja dhe arsyetoja me vete për fatin e familjes së tyre dhe të trashëgimtarëve që lanë pas. Dihet që vëllezërit Frashëri i hëngri kurbeti, i dogji malli për Shqipërinë, disa i treti veremi dhe pothuaj të gjithë u mbuluan në dhe të huaj. Ata që mbetën pas nuk i patën as meritat as dhuntitë e të parëve të tyre dhe koha i degëzoi dhe i shpërndau, i rralloi e i ngatërroi. Shumica ngelën në Turqi, veçanërisht në Stamboll. Këtë e dija mirë, po vallë ç’bëhej sot me këta? Cili ishte fati i tyre, ku jetonin dhe a do të takohesha dot me ndonjë nga ta? Këto pyetje do të më mundonin ato ditë në sokakët dhe kafenetë e Stambollit. Natyrisht, nuk e kishin të lehtë të më ndihmonin, jo vetëm se lidhjet e drejtpërdrejta janë ngatërruar, por edhe shumë prej tyre kanë vdekur. Megjithatë, mora vesh se nga trashëgimtarët më të afërt që kishte jetuar deri vitet e fundit ishte Emineja, e bija e vogël e Abdylit. Po kështu s’kishte disa vjet që kishte vdekur Qania, më e vogla e vajzave të Samiut, e cila një tufë nga mjekra e të atit e kishte dërguar në Shqipëri. Të tjerë, në lidhje të drejtpërdrejta me Frashërllinjtë, nuk kanë mbetur sot asnjë në Turqi, kurse stërnipër e stërmbesa të vijës femërore ka disa. Janë të gjithë intelektualë, madje dhe me emër. Sanija, vajza e madhe e Samiut, ka lënë dy djem: Mehmetin dhe Eminin. Ky i fundit, Emin Erneri, ka ardhur disa herë në Shqipëri dhe atij i detyrohen reliktet e gjyshit të tij që ka Muzeu ynë Kombëtar. Tregojnë dhe për dy stërnipër të tjerë, njëri profesor i historisë së arteve në një nga universitetet e Stambollit dhe tjetri gazetar. Vite më parë, ata shkonin në konsullatën tonë dhe gëzonin së toku me shokët tanë Ditën e Flamurit. Sot vështirë t’i gjesh, po dhe po t’i takosh s’janë në gjendje të vijnë e të rrëfejnë tragën e të tyre në Stamboll.
Rrëfimi i xha Baftjarit
Atëherë m’u bë e qartë se duhet të hiqja dorë prej tyre dhe gjithë shpresën ta mbaja te pleqtë e tjerë, shqiptarë të vjetër. Natyrisht ishte tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që në fillim të shekullit tonë të gjeje pleq që kishin jetuar në Stambollin e shekullit të kaluar. E, megjithatë, kur s’arrin të takosh këta është fat i rrallë që, rasti të njeh me xha Baftjarin, Baftjar Leskovikun, një burrë i vjetër që kishte lindur në Stamboll, por që nuk dallonte nga kurbetllinjtë e ardhur drejt nga Shqipëria shumë vjet të shkuara. Ai e mbante veten për nga Leskoviku, sepse prej andej i kishin zbritur të parët dhe e kishte për mburrje që i zbukuronte emrin. Thoshte se po i afrohej të nëntëdhjetave dhe sado që ishte krejt i thinjur, vinte i gjatë dhe i drejtë nga trupi, fytyrëgjerë e me sy të gjelbër, plot përzemërsi. Kishte një hundë kërrutë, ca mustaqe të trasha që gati i mbulonin buzët e sipërme. Dukej i qetë e i matur dhe me një natyrë të çiltër sidomos kur fliste. Të shikonte drejt e në sy, sikur të njiheshe prej kohësh, dhe kur fliste e sidomos kur niste të tregonte, gjuha thua se i këndonte, i rridhnin fjalët aq ëmbël sa ta kishte ënda ta dëgjoje. Të kujtonte diçka nga gjuha e Naimit, dhe të bëhej se fliste një njeri i Rilindjes. Ai krenohej. Thoshte se nëse e ligjëronte kështu gjuhën e mëmës, këtë ia dinte për nder prindërve, po dhe falë shkollës shqipe të Stambollit, ku kishte mësuar në vitet 20-të.Ajo shkollë, – më tha xha Baftjari, – na bëri shqiptarë jo vetëm me zemër por edhe me mendje.
Dhe kjo ishte kultura amtare e xha Baftjarit, gjithë sa i kishte dhënë ajo shkollë shqipe njëherë e një kohë sado që kishte punuar si mësues. Atje ai kishte mësuar të lexonte e të shkruante, kishte dëgjuar për historinë e Shqipërisë, kishte parë për të parën herë hartën e saj, kishte mësuar e kënduar këngë mëmëdhetare. Të cilat, siç thoshte ai; t’i këpusnin lotët nga sytë… Shkurt vitet e shkollës kishin mbetur për plakun koha më e bukur e jetës së tij. Prandaj, merret me mend se ç’ngazëllim i madh na bashkoi m’u në mes të Stambollit, kur e gjetëm njeri-tjetrin dhe nisëm të bisedojmë për Naimin. Mbaje mend nga unë këtë fjalëzë, – më tha duke vënë dorën e tij mbi dorën time, – në qoftë se ke berë një punë të mirë në jetën tënde është kjo, që ke ardhur në Stamboll dhe kërkon frymën e Naimit këtu. Se ajo frymë e tij, fryma e shqiptarizmës së vërtetë, që e kish sjellë nga vatani, e bëri Shqipërinë Shqipëri. Prej këtejza, ai lëshoi topat e tumbaratë dhe u zgjua ajo e bekuar liri, që flinte në zemrat e shqiptarëve…
Rrëfimin e tij xha Baftjari do ta nistë mëngjesin e asaj dite maji, tek rrinin në tarracën e një kafeneje të hapur sipër gjirit të Bririt të Artë, afër urës së Gallatës. Përkarshi ngrihej drejt qiellit minarja e xhamisë Sulejmanie dhe tutje, në anën e kundërt, shkëlqenin brigjet e Yskydarit. Një zhurmë gati rrapëlluese dhe monotone vinte vazhdimisht nga poshtë. Ishte pazari i Stambollit, që thërriste me zërin e vet të potershëm e nervoz.
Ne qëndronim ulur kundrejt njëri-tjetrit, me filxhanin e kafesë përpara dhe bisedonim sikur të mos ekzistonte asgjë rreth e qark. Edhe kur në mes tonë binte heshtja, ajo ndillte kohën për të cilën plaku tregonte.
-Të thashë se Naim Beun nuk e kam arritur, po shtëpinë e tij e mbaj mend mirë. Ajo u bë Meka e mëmëdhetarëve, siç qe sa kohë dhe varri i tij Merdivenqoi. E kam rrojtur vetë atë kohë të bekuar. Ishte koha kur mësoja në shkollën shqipe të këtushme. Ke dëgjuar, besoj, zotrote për shkollën “Drita” të Stambollit. Atëherna për mot, më shtatë të vjeshtës së dytë, shkonim dhe i bënim nderet apostullit tonë te varri, në Merdivenqoi. Vinim në shkollë që në mëngjes herët, me lule të gjithë nëpër duar, dhe me mësonjësin në ballë, duke mbajtur flamurin kuqezi përpara niseshim për te ai. Shkollën e kishim përkëtej, në Pashaeli, siç e thërrisnim atëherna Stambollin evropian, venim gjer në breg, hipnim nëpër kaike dhe dilnim në limanin Hajdar Pasha, përmatanë, në Koxhaeli, në Stambollin aziatik. Atje zbrisnim në stere dhe pastaj i hipnim trenit dhe vinim gjer në Gjoze – Tepe. Prej këndej e bënim në këmbë të përpjetën për në kodrat Merdivenqoit. Atje ishte teqeja e bektashinjve dhe përqark teqesë vinin varrezat me nam të Stambollit. Varrin e Naim beut e gjenim symbullur. Na çonin vetë këmbët, sepse na thërriste shpirti i tij, që nuk gjente rehat në dhe të huaj.
Ç’nuk bëhej atë ditë! Vinin shqiptarë nga të katër anët e kasabasë dhe veç kur fillonte. Të medhenjtë mbanin fjalime, kurse ne të vegjlit thoshim me gojë vjershat e tij. S’ishim as në xhami, as në teqe, as në kishë, po te alltari i shqiptarizmës. Sytë e të gjithëve qëndronin të rrëmbushur. Vinte nga malli apo gazi që Naimi i bashkonte shqiptarët një ditë në mot, nuk e di. Atë ditë, varri i tij, që kish përsipër një gur të zi, nuk dukej kur iknim. E kishin mbuluar me lule gjithëfarsoj. Në mes tyre ishin dhe lulet e ne të vegjëlve, po ato nuk qenë asgjë para atyre mësimeve të vyera, që merrnim ato orë të shenjta nga i pari shqiptar i tërë shqiptarëve…
Plaku hesht për disa çaste dhe e nget vetë rishtas bisedën. Mundohemi të kujtojmë së bashku kohën e Naimit, t’i sjellim në tavolinën tonë vitet e tij në Stamboll. Xha Baftjari e adhuron poetin deri në shenjtërim dhe mjafton një fakt e hollësi që ai të përmendet. Ai është kredhur aq shumë në të kaluarën, sa them ka rënë në ekstazë, sado që përpiqet të jetë i përmbajtur. Duhej ta kishe përpara që ta shikoje se si gjallërohej gjithë qenia e tij, si lëvizte nga vendi, ndërsa sytë i xixëllonin dhe fytyra i ndërronte nga mendimet e mallëngjimet e ngjarjeve që rrëfente.
Do ta merrte me radhë tërë jetën e Naimit të kaluar këtu, do ta kujtonte një për një si një kronikë, që nga dita kur erdhi për të parën herë e deri sa mbylli sytë.
-Zotrote, besoj e di, m’u drejtua plaku, duke m’i ngulur sytë, sikur desh të më provonte sa dija, – se Naim beu ishte njëzet e pesë vjeç kur shkeli këtu herën e parë. Ka qenë moti 1871, me kalendarin e sotëm. Më përpara s’ma ka zënë veshi, të ketë ardhur ndonjëherë. Erdhi tok me Samiun.
Dy mote më parë kishte sosur “Zosimean”. Erdhi në kohë pranvere, mund të ketë qenë prill a maj, koha më e bukur për t’iu gëzuar bukurive të Stambollit. Rrëfejnë se Stambolli ia trazoi zemrën dhe mendjen, aq shumë i pëlqeu. Se kjo kasaba, që s’e ka shoqen në botë, është si një grua e bukur ruspi që të trullos kur e shikon për herë të parë. Naim beu thonë se ato ditë ishte si i shastisur. Gjeti këtu të vëllanë Tahsinin dhe me të shëtiste këto kodra e brigje, do të hynte e do të dilte atje ku qenë magjitë stambollite…
Me ardhjen në Stamboll të Naimit e Samiut, nisi mërgimi i tyre i përhershëm. Vinin këtu jabanxhinj, të huaj në vend të huaj, veç kokën e kishin plot dituri dhe syrin serbes. Ja, vëre re dhe gjykoje nga fotografitë e kësaj kohe, veshur me kostum të zi, me feste të errët në kokë, me papjon lidhur nën jakën e këmishës së bardhë, me bastun. S’i le asgjë mangët të riut stambollit të vërsës së tij. Është trupmadh, i bëshëm në fytyrë, me ca sy të zgjuar, ka dukjen e një njeriu të qetë e të sigurt në vetvete, po shquajnë dhe ca shenja që rrëfejnë se nuk është mirë nga shëndeti. Ngjan pak i buhavitur, si i munduar nga ndonjë lëngatë. S’di të të them, a ishin shenjat e veremit këto, të kësaj të mallkuar sëmundjeje familjare, apo ndonjë gjë tjetër? Po, siç del më vonë, këtu nuk do t’i vejë mbarë shëndeti. Sa për punë, do të zërë pa pritur gjatë, sepse menjëherë do të emërohet nëpunës në Mearif në Ministrinë e Arsimit, Rytbe1) më të mirë se kjo mbase nuk mund të kish për një djalë të ardhur nga malet e Shqipërisë. Ç’është e drejta, të dy vëllezërit, si ai dhe Samiu, me mendjen e ndritur dhe diturinë e madhe, me urtësinë e të sjellurit i bënin vetes vend kudo. Më i futur, thonë u tregua Samiu, ai desh të bëhej gazetar e shkrimtar. Sado që nuk ish më shumë se njëzet e një vjeç hyri në qarkun e të diturve, jo vetëm shqiptare po edhe turq. Zë miqësi me poetin turk Namik Qemalin, që e kish nënën shqiptare, nxjerr me të revistën “Hadika”, kthen në turqisht një “Histori të shkurtër të revolucionit francez”, shkruan romanin “Dashuria e Telatit me Fitnetin”, e gjëra të tjera që zotrote mund t’i dish mirë. Po fjalën e kemi te Naimi. Naimi nuk kishte natyrën e të vëllait, qe më i përmbajtur, sado që ish poet e vlonte përbrenda. Po edhe ai kish plot mend dhe këtë e rrëfente me një vepër që kish sjellë me vete. Ishte një gramatikë, e gjuhës persiane që kish hartuar më parë se të vinte këtu. Në Janinë ai kish mësuar persishten me rrënjë te profesori i dëgjuar Jakup Efendiu dhe nga kjo nxori gramatikën, të cilën nuk mënoi ta çojë për të shtypur. Donte dhe ai të kish një emër si i ditur në mes të të diturve këtu. Por për fat të keq, botimi i këtij libri, që e quajti “Gramatika e metodës së re”, nuk arriti ta gëzojë në kohën që lipset se shëndeti nuk i mori për mbarë. Klima e këtij vendi në mes ujërash, ajri i lagësht nuk i bënin mirë gjoksit të drobitur të Naimit. Ai sëmuret dhe pas tetë muajsh detyrohet ta lerë Stambollin. Pa mendo, kur doli “Gramatika”, ai s’u ndodh këtu. Një largim i detyruar, me ëndrra të prishura në mes… Do të ketë qenë kohë e vranët dimri, kur ka marrë përsëri udhën andej nga kishte ardhur… Shumë të rëndë do ta ketë pasur, sidomos ndarjen me Samiun…
M’u duk se me kaq xha Baftjari e sosi rrëfimin. Ai ktheu kokën djathtas me pamje të menduar. Një tufë pulëbardhash vërtiteshin sipër urës së Gallatës. Po sytë në të vërtetë i kishte të pulitur dhe pamjen të trazuar, sepse pas pak dëgjova të thotë: Ajo e mallkuara sëmundje hëngri shumë nga dera e Frashërllinjve. I mori të rinj fare. E nisi me të motrën e madhe, Nasifenë, pastaj një pas një dhe të dy vëllezërit, Sherifin dhe Tahsinin, më pas dhe fëmijët… Veremi, siç i thoshin atëherë, bënte hatanë dhe këtë hata e hoqi mbi vete Naimi i gjorë. Merre me mend, sapo hodhi çapat e para këtu, e degdisi prej këtej. Iku! Po si iku dhe nga iku? E kam menduar sa herë këtë! Kam pyetur e gërmuar, po s’mund të të them një gjë të saktë. Thua të jetë kthyer me qiraxhinjtë që bënin udhën e Janinës apo me det? Ma thotë mendja, se nëpër stere është kthyer, sado që ato araba të tundnin e të shkundnin. Udha për në vatan atëherë bëhej me javë e jo me ditë. Bota dukej shumë e madhe e jo si tani që është mbledhur një grusht. Mendo se ç’do të ketë hequr i gjori Naim nëpër tërë atë qamet, po ç’do të bënte? Kur e mendoj, them që nuk iku nga Stambolli, por e shkulën prej këndejza? Kaq rëndë do ta ketë pasur!
Plaku e njeh mirë jetën e Frashërllinjve, sidomos të Naimit. Thotë se është rritur me zulmën e tyre dhe se pa ta, ai nuk do ta ndiente veten shqiptar nga koha kur i erdhën mendtë e deri tani në pleqëri. Fjala nxjerr fjalën dhe të dyve na pëlqen të evokojmë vitet kur Naimi qëndroi larg Stambollit. Dhe këto s’ishin pak, por plot dhjetë vjet, dhe gjatë kësaj kohe do të ndodhnin shumë gjëra në jetën e tij e të familjes, e për më tepër ngjarje të mëdha nga të cilat do të varej fati i Shqipërisë, por edhe që do të ndikonin aq për mbarë te poeti.
Me sa duket dy vitet e parë Naimi delikat e ëndërrimtar, do të jepet pas shëndetit dhe botën e tij do ta mbushnin librat, leximet e studimet, vargjet që thur persisht, shëtitjet nëpër natyrën e bukur shqiptare. Duke mos pasur shëndet për punë, jeton në Janinë në shtëpinë e të vëllait, Abdylit. Kujdesjet e të afërmve nuk i mungojnë, po atij nuk i pëlqente kjo jetë, gati në limonti, dhe vendos të shkojë në Sarandë. Atje bën punën e drejtorit të doganës dhe qëndron afro katër vjet. I pëlqen ky vend jo vetëm si një kënd i qetë i bukur, po dhe se që aty nuk e ka larg vendlindjen. Prandaj verën e kalon së bashku me të vëllanë Tahsinin nëpër Dangëlli. Shkojnë për ajrin e pastër të këtyre anëve, sepse që të dy vuajnë nga tuberkulozi. Ata i lidh dhe ëndrra për t’u bërë shkrimtarë. Edhe Tahsini shkruan, ka bërë një dramë, provon të thurë dhe një roman, jepet pas meditimesh filozofike. Merret me mend se sa të bukura e interesante kanë qenë shëtitjet e tyre nëpër viset e vendlindjes, takimet, njohjet e bisedat me njerëzit e Dangëllisë. Asnjëherë sa në këtë kohë ata nuk do ta njihnin aq mirë jetën e bujqve e të barinjve, zakonet e psikologjinë e popullit. S’do të kishin rast më të mirë të dëgjonin aq këngë dhe tregime e mbi të gjithë të shijonin gjuhën amtare te burimet. Në këto muaj ata do t’u gëzoheshin maleve të vendlindjes, do të preheshin nëpër pyje e buronja, do të zbrisnin nëpër stane, do të flinin nëpër kasolle. Pastaj të dy s’do të harronin të shkonin dhe në Butrint, në këtë qytet të lashtë, që e përshkruan dhe Virgjili te “Eneida”, si vend ku takohet Eneu me të bukurën Andromaka, gruan e Hektorit.
Bukuria dhe mbresat që do t’u zgjonin këto shëtitje të paharruara Naimit dhe Tahsinit, do t’u prisheshin herë pas here nga fatkeqësitë familjare. Vdes në Janinë Sherifi, i vëllai, dhe kjo mjaftonte për t’u kujtuar se e njëjta e keqe i kërcënonte dhe ata. Duhej të kujdeseshin edhe më shumë për shëndetin. Hija ogurzezë e sëmundjes do t’u kthehej në makth! Atëherë Naimi do të niset për në Baden të Austrisë. Mjekohet nga shiatiku, po sëmundjen e mushkërive e ka të hapur. Është tepër i shqetësuar dhe për gjendjen e Tahsinit, sepse shëndeti i ka marrë për keq. Del kjo nga një letër që i shkruan Samiut në këtë kohë: “Kërkoj ndihmë nga djalli, sepse besoj se djalli ekziston, përndryshe (perëndia) nuk ekziston…”
Xha Baftjari i di mirë këto fatkeqësi zinxhir të familjes së Frashërllinjve. Ai bile shton se kur u kthye Naimi nga Austria në Janinë merr vesh gjëmën tjetër edhe më të madhe. Vdekja kish marrë Tahsinin. Një humbje tragjike veçanërisht për natyrën e ndjeshme të Naimit. Jeta e tij sa vjen e vështirësohet dhe në një drejtim tjetër. Samiu në Stamboll nuk i ka mirë punët me Portën e Lartë. Pas tre vjet internim në Tripoli, e internojnë rishtazi në ishullin Rodos. Akoma më keq i ka punët Abdyli, sado që është zgjedhur deputet i Janinës në Parlamentin Osman.
Biseda jonë sikur çelet kur vjen fjala te koha e Lidhjes së Prizrenit. Ajo ngjarje e madhe, jemi të mendimit të dy me plakun, e bëri Naimin t’i harrojë hallet e shëndetit dhe fatkeqësitë familjare. I zgjojet më shumë se kurrë ndonjëherë ndërgjegjja e detyrës ndaj atdheut. Ia zgjojnë këtë akti historik i Lidhjes, lufta e shqiptarëve anembanë, vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit… Ai e përjeton thellë atmosferën e ndezur ku gjithë Shqipëria është ngritur në këmbë. Krijohen komitete e mblidhen kuvende, ndërmerren veprime energjike e zhvillohen aksione të guximshme. Naimi nuk qëndron jashtë kësaj lëvizjeje kombëtare, përkundrazi ndihet i lidhur me shumë fije. Mjafton fakti që i vëllai, Abdyli, është në krye dhe gjendet kudo në Shqipëri e nëpër Evropë tek e lypin interesat e kombit. Vetë Naimi do të marrë pjesë si përfaqësues i popullit të Sarandës e të Bregut në Kuvendin e Teqesë së Frashërit, krah Abdylit, ku ngrihet dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pastaj në Kuvendin historik të Janinës me përfaqësuesit e Shqipërisë së Jugut për të krijuar një vilajet të vetëm shqiptar. Poeti ëndërrimtar, njeriu i meditimeve, nis e kthehet në një njeri të veprimit. Detyrat e çastit historik e bëjnë luftëtar të kauzës së shenjtë kombëtare. Ngjarjet janë aq tronditëse, sa atë e zbresin nga Parnasi në truallin amtar. Këngët tani nuk i lindin më në turqisht e persisht, po në gjuhën e nënës. Kështu ai këndon vjershën “Shqipëria”, që merr rrugën për te njerëzit, pa u botuar…
Xha Baftjari tund kokën e pastaj thotë: – E prapë dhe në këtë kohë, Naim beun e ndjekin pas të tjera fatkeqësi; i vdes e bija Nerqezi, i ndahet nga kjo botë miku i ditur Hoxhë Tahsini. Abdylin e burgosin dhe e mbyllin në kështjellën e Prizrenit. Vetë Naimin policia e Janinës e merr në vërejtje. Të gjitha këto poeti i pret trimërisht. Valët e luftës e të jetës e kanë rrahur sa të ndihet i fortë e të mos përkulet. Meqë tani ka dalë në fushë të burrave, nevojat janë të tilla që s’duhet të qëndrojë më në Shqipëri. Përsëri e pret Stambolli.
(Vijon)

Nuk besoje se do te lindin ndonjehere nga kjo toke dhe soji i yne shqiptar njerez aq te medhenje dhe aq njerezor dhe aq te talentuar dhe te virtytshem njeheresh sa tre vellezerit Frasheri, Abdy’ Naim e Sami Frasheri, ose Shemsedin Sami, sic i thone Turqit ( I madhi Sami…)
Kolera turke, per 500 vjet (dhe vazhdon), me shpate dhe kuran u mundua te zhduke identitetin e ketij populli te kthyer ne milet…Sa per shqiptaro-turqit qe jetojne ne Turqi, ata kur nuk dine origjinen e tyre ,nuk kane si te ndjehen krenare…Atyre nuk u lejohet gjuha dhe asgje tjeter qe ka te beje me identitetin shqiptar…Ata ndodhen aty sepse jane vete-quajtur turq…Turku te quan vella (sipas kuranit), vetem ne baze te fese islamike….Se sa i perket vlerave te tjera, ato nuk kane asgje te perbashket me shqiptaret autoktone…perkundrazi ,çdo gje e kane te kundert …Sa i perket bejlereve Frashellinje, ata jane te pavdekshem si pjese e rilindjes, si per nga kultura e tyre ,ashtu dhe per nostalgjine e perjetshme ndaj vendit te tyre…!!!…
Kolera turke, per 500 vjet (dhe vazhdon), me shpate dhe kuran u mundua te zhduke identitetin e ketij populli te kthyer ne milet…Sa per shqiptaro-turqit qe jetojne ne Turqi, ata kur nuk dine origjinen e tyre ,nuk kane si te ndjehen krenare…Atyre nuk u lejohet gjuha dhe asgje tjeter qe ka te beje me identitetin shqiptar…Ata ndodhen aty sepse jane vete-quajtur turq…Turku te quan vella (sipas kuranit), vetem ne baze te fese islamike….Se sa i perket vlerave te tjera, ato nuk kane asgje te perbashket me shqiptaret autoktone…perkundrazi ,çdo gje e kane te kundert …Sa i perket bejlereve Frashellinje, ata jane te pavdekshem si pjese e rilindjes, si per nga kultura e tyre ,ashtu dhe per nostalgjine e perjetshme ndaj vendit te tyre…!!!………………
Kolera turke, per 500 vjet (dhe vazhdon), me shpate dhe kuran u mundua te zhduke identitetin e ketij populli te kthyer ne milet…Sa per shqiptaro-turqit qe jetojne ne Turqi, ata kur nuk dine origjinen e tyre ,nuk kane si te ndjehen krenare…Atyre nuk u lejohet gjuha dhe asgje tjeter qe ka te beje me identitetin shqiptar…Ata ndodhen aty sepse jane vete-quajtur turq…Turku te quan vella (sipas kuranit), vetem ne baze te fese islamike….Se sa i perket vlerave te tjera, ato nuk kane asgje te perbashket me shqiptaret autoktone…perkundrazi ,çdo gje e kane te kundert …Sa i perket bejlereve Frashellinje, ata jane te pavdekshem si pjese e rilindjes, si per nga kultura e tyre ,ashtu dhe per nostalgjine e perjetshme ndaj vendit te tyre…!!!…………………