Në studion e Van Gogut durrsak

redaktor

Piktori Sali Xhixha edhe pasi ka kaluar të 83 vitet e jetës së tij vazhdon të mbajë penelin në dorë. Madje kushdo që i shkon si mik në shtëpi pa e lajmëruar, do ta gjejë në dhomën e gjumit duke pikturuar. Ai aty ka instaluar kavaletin dhe vazhdon çdo ditë të punojë nga pak. Kur e sheh me flokët si krifë e pashtruar edhe në këtë moshë, dhe me një aparat dëgjimi në vesh të duket si një Bethoven që kompozon me penel në këtë rast. Ish Drejtori i Muzeut Rajonal Edmond Agolli, duke u nisur nga talenti i fuqishëm, ndonëse i pashkolluar, e krahason me Van Gogun.

Kavaleti pranë dhomës së gjumit të shtie në mendime… Artisti 83 vjeçar ndjek rrjedhën e jetës dhe të artit të cilat mbajnë gjallë njëra-tjetrën. Një simbiozë fantastike dhe mbase e pashembullt për ditët tona. Sali Xhixha është piktori më jetëgjatë në Durrës si moshë, por është gjithashtu edhe piktori më jetëgjatë përsa i përket periudhës së ushtrimit të profesionit të piktorit. Rreth 68 vite. Ka filluar që në moshën 7 vjeçare të merret me gdhendje dhe pikturë, e vazhdon edhe sot e gjithë ditën të prodhojë vepra artistike. Ai numëron rreth 1200 piktura në vaj, dhjetra në teknika të tjera. Po kaq mund të jenë të shpërndara edhe nëpër shtëpitë e miqve të vet, të dhuruara bujarisht. Në ekspozitën personale të organizuar në Durrës me rastin e 80 vjetorit të lindjes së tij, ish Drejtori i Muzeut Rajonal Edmond Agolli, u shpreh se piktori Sali Xhixha është një Van Gog për nga mënyra se si e filloi pikturimin dhe se si u bë një nga piktorët në zë të Durrësit, duke krijuar me mijra vepra të ndryshme artistike, pa pasur arsim. Kur dëgjova këtë krahasim, m’u kujtua një pikturë e hershme e Saliut, dhuruar një mikut tim, që paraqet rrugën e vjetër të Kodër Vilës me një harlisje pranverore durrsake van Gogiane, aspak e ngjashme me të Arlesit. I lindur dhe rritur në një familje të varfër, ai u detyrua që të punojë në fabrikë që në moshën 7 vjeçare. Periudha e luftës i la gjurmë të thella në ndërgjegje. Dhe ishte vetëm 15 vjeç kur realizoi dhe pikturën e parë me temë nga lufta. Është tablloja me përmasa të mëdha “Demostrata e 12 prillit në Durrës”. E para që realizohej në këtë qytet pas luftës. E para, e realizuar në vend që dha dimensionet e mëdha të luftës në telajo. Dhe piktura e parë që shkaktoi konflikt mes artistëve të Tiranës dhe të Durrësit për ta mbajtur. Ajo me urdhër të Ministrisë së Arsimit u vendos fillimisht në Tiranë. Por ka qenë këmbëngulja e madhe e Drejtorit të Muzeut të Durrësit, Vangjel Toçit, sipas Xhixhës, që bëri të mundur pas këtij konflikti institucional që piktura të rikthehej në “vendlindje” dhe më pas ajo u vendos në sallat e pritjes së Komitetit të Partisë së Rrethit të Durrësit. Sot ajo është pjesë e fondit të Galerisë së Artit të këtij qyteti.

 

AutoportretHAPAT E PARA DHE PIKTURAT E LUFTËS

Saliu kishte të atin gdhendës djepash. Fëmija kureshtar e ndiqte me pasion si gdhendjen ashtu edhe ngjyrosjen e tyre. Dhe i vogël, provonte të gdhendte diçka brenda kufijve të punës së babait të vet, zbukuruesit të shtretërve të jetës ku do të përkundeshin ëndrrat e gjeneratës së re të vendit. Dhe kësaj të ardhmeje, piktori do t’i jepte ngjyrat më të bukura të artit. Ndihmë të madhe i ka dhënë edhe një edukatore kopshti,që ndodhej në afërsi të xhamisë së qytetit. Ishte një mësuese me mbiemrin Bici që më donte shumë, kujton ai. “Ajo kishte mbaruar shkollën në Francë dhe pikturonte plot pasion. Më mbante pranë vetes dhe nga ajo mësova shumë. Kishte qenë vetë piktore dhe unë ja përthithja sekretet e ngjyrave. Me mëndjen e një fëmije ndërthurja vizat e ornamenteve popullore që gdhendte im atë, duke i përdorur si skeletin e tablove që ëndërroja të bëja me artin e përzjerjes së ngjyrave, kur të rritesha si mësuesja ime e mahnitshme……Kam qenë 7 vjeç kur hyra në punë. Një ditë më pa pronari duke pikturuar. Po bëja kalanë e qytetit. Çfarë bën more djalë? më pyeti. Dhe unë”, tregon Xhixha, “i thashë se po pikturoja. Ai u habit se si mund të bënte një pikturë të tillë një fëmijë. Dhe që atë ditë më mori nga cigaret dhe më çoi në repartin e dizenjimit. Fillova të bëja piktura të paketave…”.

Në tablonë “Demostrata e 12 Prillit në Durrës”, ai ka paraqitur heronjtë e rezistencës durrsake, pasi i njihte mirë dhe kishte punuar me ta në Fabrikën e Cigareve “STAMLES”, çerdhe aktive e rezistencës antifashiste. Po dhe në demonstratë ai ka marrë pjesë, ndonëse fëmijë. Në telajon e bërë, ka vendosur edhe veten në atë pozicion që ka qenë realisht. Po e ka realizuar pak më të rritur veten dhe pak si në hije, si vepronte në tablotë e veta dikur Francisko Goja. Ishte shumë i ri për të thënë se autodidakti gjenial e kishte marrë këtë metodë nga Goja, por mbase i duhet lënë intuitës gjeniale që e shoqëroi gjatë gjithë jetës autodidaktin e palodhur, kjo zgjidhje artistike e kompozimit të veçantë. Më 12 prill të 1942 u zhvillua në Durrës demonstrata e parë antifashiste, ku u vra dëshmori Sotir Noka, ngjarje që e ka parë nga afër dhe ka lënë mbresa në shpirtin e artistit vogëlush. Është tablloja e tij e parë, për demonstratën e parë ku ka rënë edhe dëshmori i parë.

“Atje njoha shumë prej luftëtarëve që nuk janë më”, tregon piktori, “shumë prej tyre më kanë mbetur në mendje. Telat Noga, Maliq Muço etj. Më ka ardhur keq që u shemb godina e ish fabrikës. Ka qenë themel i lëvizjes antifashiste në Durrës”. Për tabllonë e demonstratës së 12 prillit Xhixha ka punuar rreth 2 muaj, duke u udhëhequr nga pasioni dhe intuita e fortë artistike. Pas përfundimit dhe ekspozimit në Durrës, ai kujton se si në vitin 1947 vjen një komision nga Tirana i kryesuar nga Odise Paskali, me Kel Kodhelin, Abdurrahim Buzën dhe Nexhmedin Zajmin. Anëtar i këtij komisioni ishte edhe Sabri Tuçi. Ata vlerësuan tabllonë e demonstratës dhe sidomos faktin që asnjë nga personazhet e shumta të saj nuk kishte ngjashmëri me ndonjë tjetër. “Janë të gjithë të ndryshëm dhe shprehin psikologji të ndryshme dhe pamjet po me ngjyra të ndryshme”, konkluduan ata, sipas Xhixhës. Tabloja u ble nga Lidhja e Shkrimtarëve të Tiranës, por ndërhyri Vangjel Toçi dhe e ktheu në Durrës, duke u deklaruar instancave të larta partiake dhe shtetërore se “vepra ka vlera të rralla për Durrësin dhe historinë e tij”.

Xhixha ishte i vogël kur heronjtë e tablove të tij, i njohu nga afër dhe më pas ranë për liri. “Atentatori”, “ Vasil Laçi”, “Met Hasa” “Kajo Karafili” etj. Ata luftuan dhe mbeten të mëdhenj në historinë e qytetit dhe të vendit. Por ai e ruajti të freskët gjithnjë dashurinë shpirtërore për ta dhe i ringjalli në telajo duke u dhënë jetë dhe sjellë para bashkëqytetarëve, siç ishin kur i njohu, të rinj, e tashmë të pavdekshëm. Tashmë vetë piktori ka marrë shkëlqim edhe nga lavdia  e tyre duke qëndruar në të njëjtat lartësi, respekti për punën e bërë ndër vite…

 

XHIXHA NE MARRËDHENIET ME DURRESIN

“Drita ngjyrë dhe ngjyra dritë” kështu u titullua ekspozita personale e Xhixhës, e organizuar 3 vite më parë, me rastin e 80 vjetorit të lindjes. Hapja e saj kishte dy qëllime: Autori i saj mbushte 80 vjeç, por njëkohësisht mbusheshin 60 vjet që nga koha kur ai kishte nisur krijimtarinë artistike. Jeta e Sali Xhixhës, theksuan në takim pjesëmarrësit, është një jetë kushtuar artit, një jetë e karakterizuar nga pasioni i madh për të bukurën e për qytetin. Në pamundësi për të vazhduar shkollën ai s’u dekurajua, por punoi me pasion e vullnet të madh dhe arriti majat, për arsye se ai e kishte të lindur talentin për të pikturuar. Megjithëse gjatë gjithë jetës së tij, ai nuk mori asnjëherë leksione të vërteta pikture, tablotë e tij përçojnë një ndjesi të ngrohtë, një nostalgji të lehtë për rrugicat e vjetra të qytetit, për lagjet e tij karakteristike, për momentet e rëndësishme të historisë së tij.

 

ARTI I XHIXHES

Durrësi, në pikturat e Sali Xhixhës shfaqet në të gjitha dimensionet e tij, me rrugët, njerëzit, detin, portin, sektorët e punës. Ato tregojnë artistikisht edhe dashurinë e fortë që e ka lidhur gjithmonë me vendlindjen e tij, dashuri që e tregoi me shkrirjen me bojërat e vajit dhe kretën (argjilën) duke i dhënë jetë një qyteti plot dritë. Veç figurave historike si Skënderbeu, Isa Boletini etj, Xhixha ka sjellë me mjaft realizëm e vërtetësi edhe portretet e njerëzve të thjeshtë, punëtorëve apo partizanëve. Në të gjitha pikturat e Xhixhës dominojnë ngjyrat e forta që të ndërthurura këndshëm me njëra tjetrën i japin më shumë vitalitet jo vetëm tablosë, por edhe personazhit apo peizazhit. Për shumë vite me rradhë ai ishte një nga drejtuesit e Rrethit Artistik të Shtëpisë së Pionerit dhe atij të sektorit të pikturës, ku nxorri shumë talente të reja në këtë gjini. Sali Xhixha është një nga pionerët e pikturës në Durrës dhe për shumë vite ka qenë piktor dekorator i qytetit. Gjatë të gjithë karrierës së gjatë artistike Xhixha ka hapur katër ekspozita personale nga viti 1947-1982, ndërkohë që ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat lokale dhe në shumë ekspozita kombëtare. Ai është dekoruar tre herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor si dhe nga Ministria e Arsimit e Kulturës me Fletë nderi në Art. Xhixhës i njihet merita se hapi të parin repart artistik të qytetit në vitin 1949, ndërkohë që 10 vjet më vonë u hap një tjetër repart po me inisiativën e tij. Të njëjtën gjë ai bëri dhe në Kavajë, ku në vitin 1973 u hap i pari repart artistik i qytetit. Për ata që e kanë ndjekur vit pas viti krijimtarinë e Sali Xhixhës, që janë njohur nga afër me shumë nga punët e tij, ai mbetet një shkollë më vete në pikturë.

 

BASHKIA I AKORDON XHIXHES “ MIRENJOHJA E QYTETIT”

Në 80 vjetorin e lindjes, piktori i njohur durrsak, Sali Xhixha u nderua me titullin “Mirënjohja e Qytetit”. Gjatë fjalës së tij, drejtori i sektorit të kulturës në bashkinë e qytetit, Adrian Gurra theksoi se: “…titulli që i akordohet Xhixhës është një vlerësim për kontributin e dhënë në 60 vjet krijimtari, për vlerat dhe dimensionin e artit të tij përmes të cilit vazhdon të na transmetojë edhe sot mesazhe dashurie për njerëzit dhe qytetin “. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka falenderuar piktorin e njohur për kontributin e madh që ai ka dhënë për artin dhe njëkohësisht për qytetin ku u lind e u rrit. “Artistë të këtij kalibri do të nderohen gjithmonë nga qytetarët e Durrësit për shkak të kontributit që ata kanë dhënë e vazhdojnë të japin për qytetin”.

Me këto shënime modeste u përpoqëm të japim diçka interesante për lexuesin e DITA-s, nga jeta e një piktori që nuk vrapoi pas famës, por e përkundi karrierën e vet nga vizatimet e mureve të kalasë, deri tek emri i respektuar që krijoi. Por i dha gjithashtu publikut tonë dhe atij ndërkombëtar të birin, Helidon Xhixhën. Një sagë familjare piktorësh që filloi nga arti i djepeve, tek ngjyrat e Durrësit e deri tek skulpturat gjigande metalike të shesheve të Milanos e Nju Jorkut.

Demostrata e 12 prillit ne Durres.

Portrete te ndryshme

WP_000303

WP_000305

Share This Article
3 Comments
  • Te lumte i nderuar artist, ju dhe koleget tuaj perjetesoni historine ne art per brezat me pas. Fatkeqesisht, si gjithnje artistet nuk marrin cfare u takojne ne kohe… na rrofshin politikanet e korruptuar qe kane siguruar kushedi sa breza te tyre nderkohe qe shoqeria vuan

  • Durresi nuk eshte shquar ndonjehere per Aretet Figurative ,po vetem per muzike,ka nxjete talente.
    Edhe autori i shkrimit mund te jete gazetar ,po nga piktura nuk ka njohuri.

    Nuk mund te krahasosh nje amator ne pikture ne Van Gogun,kjo eshte dobesi e autorit te shktimit.

  • Po Van Gogu, cfare shkolle kishte mbaruar or mik?
    Si shume kritik behesh, por nuk e di se arti eshte shume i fuqishem edhe per njerez apasionante, kur ka te shkolluar dhe jane ….gdhe!
    I madhi Rembrant ….cfare shkolle kishte perfunduar? E shume e shume piktore e agjiografe te te koheve te lashta, sot nga ata me shkolle, nuk kapen sikur te rrojne 10 jete!
    Ky mjeshter, Zoti drite ja befte shpirtin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *