Në valixhen e emigrantit, u mbytën ata që shpresuan një jetë më të mirë

redaktor

Në datën 11 tetor, Agim Sulaj është i ftuar në Expo Milano për të pikturuar valixhen e emigrantit, një valixhe e vjetër në të cilën mbyten ata që shpresuan për një jetë më të mirë. Ai është duke u bërë gati për këtë aktivitet.

Plaga e emigrimit, por edhe hipokrizia e politikës janë ato tema që e tërheqin shpesh vëmendjen e tij. Ndaj sot e kemi ftuar Agimin për të na ofruar disa nga punët e tij që nëpërmjet artit pasqyrojnë realitetin. Artisti vlonjat, prej 25 vitesh jeton në Itali. Në këtë vend ka punuar dhe ka zhvilluar artin prej nga i cili sot është i famshëm në të gjithë botën.

Pavarësisht distancës, realiteti shqiptar është në fokusin e majës së lapsit që Sulaj përdor në dhomën e tij të punës.

Artisti ka fituar dhjetëra çmime anembanë botës, ku në punimet e tij është fokusuar shpesh tek problemet sociale; tek varfëria, tek problemet e mjedisit dhe jeta e refugjatëve. Është 55 vjeç dhe ka marr 63 çmime në karikaturë.

Në fund të muajit nëntor ai do të jetë në Stamboll për të tërhequr Oskarin e madh të karikaturës. Një çmim domethënës për cilësinë e artit të tij.

Agimi është baba i dy djemve. Djali i madh studion në Zvicër dhe është në vitin e fundit për arkitekturë. Sulaj thotë se i ka ngjarë, pasi ka aftësi imagjinare e figurative dhe dorë të mirë në vizatim. Ndërsa djali i vogël pikturon për qejf. Si prind, nuk ka dashur të ndikojë në zgjedhjen e profesionit të tyre. Ndërsa bashkëshortja e tij është mjeke me profesion, nuk ka lidhje me artin, por ndjek hap pas hapi bashkëshortin në të gjitha konkurrimet dhe ekspozitat e tij.

 

-Z. Sulaj, sa intrigues është realiteti i sotëm për një karikaturist?

Artisti dhe karikaturisti mund të gjejë në këtë realitet mjaft tema, si mbrojtjen e të drejtave të njeriut, emigrimi, lufta dhe varfëria që e shkakton atë, politika dhe raporti i saj me qytetarin, Europa dhe e ardhmja e saj, etj, etj.

 

Agim Sulaj
Agim Sulaj

-Ju kini bërë art edhe në kohën e diktaturës. Kur e kini ndier veten më të lirë për të ironizuar dukuritë?

Mendoj që arti i karikaturës, i mirëfillti, lind kur mungon liria dhe është pikërisht mungesa e saj e cila e shtyn artistin të kritikojë. Po t’i rikthehemi historisë, kemi shembuj si satirat e Gojës gjatë inkuizicionit e represionit të tij në shoqërinë spanjolle, karikaturat e Honore Daumjesë në Francë më pas, i cili ia dedikoi artin e tij kritikues e therës klasës sunduese, shtresave të pangopura të borgjezisë e gjykatësve të korruptuar. Dhe pikërisht mbi bazën e këtyre mesazheve të këtyre dy artistëve të mëdhenj filluan hapat e parë të mi në karikaturë.

 

-A jeni ndier ndonjëherë i frikësuar nga karikaturat tuaja dhe pse?

Unë e kam filluar të lëvroj këtë gjini gjatë regjimit komunist kur liria e shprehjes e të menduarit dhe të vepruarit ishin zero, ndaj mendoj se kjo ka qenë një shkollë e rëndësishme për formimin tim artistik, censura më mprehu lapsin dhe më rriti shprehitë e të vëzhguarit të jetës e njeriut.

 

-Tragjedia që ndodhi me Charli Hebdo ishte rastësi apo e pritshme?

Mënyra se si e konceptonin karikaturën ish kolegët e Charle Hebdo, të masakruar në Paris, për mendimin tim linte për të dëshiruar, nuk jam dakord të kritikohen perënditë, por njeriu.

 

Hipokrizia e politikes, punuar nga Agim Sulaj
Hipokrizia e politikes, punuar nga Agim Sulaj

-Çfarë ju frymëzon kur karikaturoni?

Frymëzimi në karikaturë më vjen vetvetiu, në shumë konkurrime ndërkombëtare në të cilat marrë pjesë jepet një temë e caktuar e artistët në bazë të saj gjejnë e ndërtojnë fabulën e japin mesazhin, i cili jepet pa diçiturë, por thjesht me anën figurative. Ka shumë raste që nuk arrin ideja në kohën e duhur, por në përgjithësi më vjen “vetvetiu” sidomos kur janë tema të të drejtave të njeriut, varfëria, apo emigrimi, tema të ndjeshme e për të cilat jam vlerësuar shpesh me çmime në konkurse botërore.

 

-Sa e reflektoni gjendjen emocionale në punët tuaja?

Gjendja emocionale është ajo që ne e quajmë thjesht frymëzimi, i cili lind me ardhjen e gjetjen e temës, ato orët e para janë të ethshme për ta mbyllur sa më parë punën e për të parë rezultatin.

Mua ideja me vjen e ‘gatshme’ jo vetëm si zgjidhje, por dhe si duhet realizuar në çfarë rruge apo teknike. Në të përditshmen time më ngacmon kryesisht gjendja e vendit dhe mendoj se shumë nga temat që prek janë “Ndërkombëtare” e në njëfarë mase prekin dhe vendin tim, si emigrimi, plaga e vazhdueshme e jona kjo, i cili duket se është bërë më shumë psikozë kombëtare sesa një domosdoshmëri jetese.

 

-Po kur ktheheni në Shqipëri, çfarë ju ngacmon?

Në Shqipëri vij me kënaqësi gjatë verës kryesisht dhe takoj me mall çdo shok apo peizazh sidomos të Vlorës ku jam rritur e kam krijuar veprat e mia të para, Shqipëria me kënaqësi vë re se po ecën dhe po emancipohet, natyrisht ka dhe probleme që duhen kaluar.

Problemi numër një i Shqipërisë është politika ose mënyra e qeverisjes së shqiptarëve e cila ka qenë jo korrekte ndaj nevojave e problemeve reale të vendit, mendoj se kolltuku është plaga e politikanëve dhe hipokrizia e politikës.

 

Intervistoi Entela Resuli

 

10407366_10202759147891292_5031188295900855609_n

Share This Article
2 Comments
  • Se sa nivel ke ti, Agim, kjo duket ne kete pergjigje tende, ketu me poshte:
    Duket qarte, kushtrimi i te pareve te tu, islamike perderisa nuk preferon te kritikohet profeti yt!
    Tjeter …Ti nuk u afrohesh as tek kerciri i kembeve artisteve te Charlie Hebdo, ndaj mos i quaj ata “kolege”…

    “Mënyra se si e konceptonin karikaturën ish kolegët e Charle Hebdo, të masakruar në Paris, për mendimin tim linte për të dëshiruar, nuk jam dakord të kritikohen perënditë, por njeriu.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *