Z. Ministër i Shëndetësisë! Në përgjigje të SMS-së Tuaj, nuk më ka kërkuar ndonjë mjek ryshfet. Por po më jepni rastin të trajtoj disa probleme: Në shkurt 2015 u paraqita në urgjencën e zemrës me tension shumë të lartë.
Tek informacioni s’kishte njeri, në holl pyetem kush është mjeku. Shakaxhinjtë na drejtonin tek pastruesja, tek ndonjë praktikant infermier ku më në fund u mat tensioni. U deshën edhe 2 orë për të arritur në Zonën e Kuqe. Ç’të shihje! Në sallën e madhe punonte doktoresha, të sëmurët dhe shoqëruesit bërtisnin për t’u vizituar. Doktoresha, e lodhur nga ngarkesa e madhe, herë pas here çohej nga tavolina e punës, e zëvendësonin infermierë, praktikantë, sanitare etj. Më në fund u ula unë, me tension 22 me 11 e shenja mpirjeje të krahut të buzës së majtë. Për urgjencë u përdor një shkarkues, nuk pati efekt.
Pas ca minutash u aplikua shkarkuesi i dytë, pa efekt. Po tentonin të tretin. Ika në panik tek klinika private. Në dalje më regjistroi informacioni i urgjencës, s’di përse. Tek privati u paguan 20 000 lekë, kurse ilaçet 12 000 lekë. Pas vizitës dhe kurës së parë, u bë e dyta po me kaq kosto vizita e mjekimi. Në këtë klinikë mjek ishte shefi i pavionit të QSUT-së, ku zhvaste edhe pacientët e pavionit të vet. I takova. Ku të shkoj unë i ziu, pensionist me pensionin e kësaj demokracie të kriminalizuar deri në palcë? Në kohën e diktaturës më takonin 7 500 lekë, duhet të marr sot 75 000 lekë. Ku të mbytem? I thashë djalit të vizitohem në klinikë private të huaj me 10 000 lekë. Më tha së të vizitojnë me aq dhe të kërkojnë të bësh 4-5 koronare apo bypass-e me 6 000-12 000 euro.
Le që mund t’i bësh kot, por nuk kemi para. Këtu sapo u operua kunati me 5 bypass-e. Më tha një pacient se kish bërë koronare këtu, s’ishte mirë. Populli edhe gëzohet për klinikat e huaja, por ku i dihet, mbi to s’ka asnjë kontroll. Në qershor 2015 bëra rezonancën dhe ja paraqita mjekut në QSUT. Çoje në lagje, më tha. Këtu s’bëhet gjë, më tha djali, të bëjmë ca lekë dhe të kapim Italinë, atje mjeku i shërben punës për të mbrojtur rrogën. Ju lutem, z. ministër, puna kërkon bisturi të thellë me njerëz humanë, atdhedashës, punëtorë, trima, guximtarë, profesionalë, iniciatorë, nuk i keni se s’doni. Ka ky vend plotë.
Mos luani si fëmijët me SMS nëpër zyra. Mjeku i përkushtuar bën çudira në pavionin e vet. S’mund të punojë një inxhinier zbatues në 2 firma njëkohësisht. Jam kurioz për ndonjë opinionin Tuaj, pastaj mbase e konsultoj me median. Nuk më dhanë asnjë opinion. Respekte Dita!
