Në vend të reportazhit: Duke pritur Vitin e Ri te dyqani e lagjes

DITA Online

Leonard Veizi

Në supermarkatën e lagjes njerëzit po “vriteshin” për të siguruar asortimentet e fundit që i duheshin tavolinës së Vitit të Ri. Në korridoret e ngushtë që ndanin raftet, gra e burra pa përjashtim ulnin kokën poshtë e nxirrnin b…thët lart, me qëllim që të njiheshin më nga afër me çmimet: a ishin të vërteta ofertat apo tregtarët ua futnin, si gjithmonë. Pak më tutje kasiereve po u merreshin mend nga radhët e gjata dhe ushqimet që kalonin me shpejtësi në sistemin dixhital të pagesave.

-Po ia japim shpirtin shejtanit…

-E drejtë moj motër…

Jashtë, vargu i makinave nuk kishte të mbaruar. Ndërsa unë sapo isha futur me duar në xhepa tek supermarkata që e kam vetëm 100 metra larg shtëpisë. Një nga menaxherët po bënte ç’ishte e mundur që të shpejtonte punët tek blloku i “prodhimeve të mishit”, ky çdonjëri prej atyre që ishin vënë në radhë bënin vazhdimisht porosi për: mish viçi, derri, kotoleta, mish lepuri…

Mbreti i tavolinës së Vitit të Ri është gjeli i detit, i pjekur me kujdes aq sa mund të ngopesh vetëm duke e parë me sy e të mos hash asnjë kafshatë për tre ditë me radhë. Ai mund të kushtojë sa të dojë, çmimi nuk negociohet. Më poshtë piramida e menusë përmban gjithfarë gatimesh të tjera, ca me receta orienti e ca të tjera janë implementuar nga perëndimi.

-Epo një bark kemi, ç’i duam gjithë këto.

-E…e… ashtu thua ti…

Udhëtova në kohë. Vetëm për pak sekonda. Në vitin 1985 njerëzia zinte radhën tek ushqimorja. Ç’është e vërteta pa u grindur aspak, në respekt të njëri-tjetrit. Burrat në të djathtë, gratë në të mëngjër. Të gjithë me nga një letër bakalli me vete ku kërkesat ishin uniformë:

-2 vaj kikiriku, 1 oriz, 1 sheqer, sapun rrobash, 3 kallëpe…

Iku ajo kohë.

Sot e rëndësishme është që duke kujtuar të kaluarën e varfër ta mbushim tavolinën sa të mos mbajë më.

Kasierja kalon me shpejtësi mallrat e paketuara.

-4 djathëra të tymosur, lëngje frutash, një koli pije të gazuara, 4 kuti birra, 2 bikerina me vezë…

Hedh sytë vërdallë i habitur, edhe pse të njëjtën pamje kam vite që e përjetoj.

-Ore mos ka plasur gjë lufta? Se ata rusët në Krime sikur po përgatiten…

-Jo or jo, ç’thua! Kemi festë ore festë. Në datën dy janë mbaruar të gjitha.

Ke të drejtë: ha e dh…

-Ju bëftë mirë.

I shoh me zili njerëzit që dalin nga supermarkata me nga 3-4 qese 10-lekëshe të mbushura aq sa mund t’u çahen e t’u bien të gjitha të blerat në rrugë. Mua më duhet të humbas nja 15 kile nga pesha reale. Ç’t’i bëj forcës së zakonit se edhe natën e ndërrimit të viteve do ta shtyja me bukë e kos.

Nuk besoja se isha bërë ziliqar i pandreqshëm. Isha thjesht një vëzhgues i tamaqarllëkut.

Dal nga supermarkata me duart bosh. As që mendohej se mund të mbaroja punë aty. Mendova të drejtohesha te dyqani poshtë shtëpisë. Një paketë cigare dhe dy brisqe roje ishte gjithë-gjithë shpenzimi im i rastit.

Sa dal nga dera, ndeshem me një pamje “madhështore”. Mali me mbeturina nëpër kazanë dukej si një vepër abstrakte e ndonjë artisti të ri të arteve vizuale. Nxjerr celularin dhe e shkrep për një foto. Punëtorët e pastrimit nuk i shkarkojnë dot. Makina e plehrave është mbushur ding. Duhet bërë një rrugë e dytë.

Po, po”, – thashë me vete, – “para se të fillosh nga shpenzimet duhet të dish sa mbeturina do të bësh”.

Tek e fundit nuk duhet vrarë shume mendja. Është Bashkia që merret me atë punë.

Një ditë më parë kishim bërë një xhiro familjare nga TEG-u. Atje situata ishte edhe më e rëndë. Por gjithsesi, mendova se njerëzit u furnizuan me ç’deshën, dhe data 31 me mëngjes i takon gatimit. Por jo. Paska familje që nuk janë ngopur ende. Shpenzime të tjera.

Futem te dyqani poshtë shtëpisë. Fillova të përshëndetesha me gjitonët.

-…se ja duhen fruta nga të stinës, por dhe ca brokoli për një supë, ca rukola për sallatë, ndonjë shegë tua hedhësh ca kokrra sipër. Po kishim harruar dhe majonezën për sallatën ruse. Edhe ca acceto për sallatën shef…

-Domethënë.

-Domethënë duhen bërë të gjitha. Të na gjejë Viti i Ri me pjatat plot.

-Mirë e ke.

-Po ti…?

-Ja do marr cigare.

-Çfarë thua ore. O Beno, po jepi cigare “shefit” se do iki.

Futem të marr cigaret jashtë radhe falë bujarisë së gjitonëve.

-Petë sfoliate ka? – thirri një grua në moshë që nga pragu i derës.

-U mbaruan, – ngiti supet dyqanxhiu.

-I kam rënë lagjes vërdallë e s’po gjej. Tani m’u tek për një byrek.

-Ja ku e ke byrektoren.

-S’më janë tharë duart akoma. E bëj vet, – tha tjetra gjithë tërsëllimë dhe u largua me të shpejtë.

Ç’bëhet kështu, – thashë me vete. – Në datë 3 njerëzit do shkojnë në punë, jo të çlodhur nga ditët e pushimit, por të lodhur nga të ngrënët dhe ende pa u dalë dehja nga alkooli”.

Të paktën shyqyr që na u hoqën fishekzjarrët nga këmbët.

Mora cigaret dhe u ula të pija një kafe. Nuk isha i lodhur. Më merreshin mend.

Share This Article
4 Comments
  • Ne se ky Leonardi paska vajtur tek supermarketi i lagjes edhe une bashke me gruan e femijet shkuam tek nenmarketi i pallatit ku ndodhen 4 kazanet e plehrave! Si gjithmone germuam nga nje kazan secili ne gare me secilin kush te gjente mallin me te mire.
    E para thirri cuni qe kishte gjetur nje loder dhe nje top.
    Pastaj vajza qe kishte gjetur nje fustan,nje kapele te kuqe,gruaja bertiti sa kishte ne koke se kishte gjetur dy kofsha pule, 4 kokra portokalle pak te cara,2 molle dhe nje panine.
    Ne fund erdhi radha ime qe kisha grumbulluar 20 kanoce birre bosh dhe 2 plot, nje shishe uthull molle per raki dhe 3 kokra hudhra!
    Mbylljen e beri gruaja qe kishte gjetur ne fund te kazanit nje torte me peta dhe nje pako me biskota qe me pak sherbet mund te quhej bakllava!
    Ja ky ishte viti i ri per ne romet e shkrete!

    • “Zorro” koment i perkryer. Me pak rrjeshta nxorre ne pah mediokritetin e artikullshkruesit. Bravo !

  • zoti Veizi

    Ndjehem i terrorizuar kur dhe ju gazetaret e “ekulibruar” i fusni “mish dhije” periudhes 1945-1990 qe me shume helmoni brezin e ri se ne qe kemi jetuar ne ate kohe bejme dallimin.
    .
    .Nese ka patur shterngim ne furnizim te popullit ka patur tre periudha te shkurtera
    .I
    Vitet e para pas clirimit kjo si kudo ne Europe..

    II
    .
    Vitet e prishjes me B.Sovjetik sidomos 1962-1963 deri sa ershen ndihmat kolosale nga Kina ..edhe qumesht Panda gjeje ne ate kohe.

    III
    E treta ishte per fajin tone (aparatcikeve) dhe distancimi te udheheqjes nga populli sidomos pas 1985 dhe u degradua me 80% qe nxorri Ramiz Alia..Shtoj se tufezimi dhe ndalimi i oborrit kooperativist 1978-1990 ishte nje vdekje e ngadalte jo vetem e bujqesise por dhe e ekonomise dhe furnizmin e popullates
    .
    I kujtoj zotit Veiz se te pakten nga 1966 deri ne 1978 furnizimi i asaj kohe me prodhime BIO ishte 1000 here me cilesor se keto ushqime artificjale qe hame sot
    .
    Shtoj ketu qe edhe pse kishin halle njerzit ne ate kohe te pakten Viti I Ri ishte pothuaj nje feste kombetare duke shtuar koncertet Festivalin e kenges dhe estradat e parodite e Tiranes-Shkodres-Durrsit-Vlores-Fierit etj ju betohem se edhe pse kam bredhur boten nuk kam shijuar ate kenaqsi..flas per njerzit,,jo per sistemin

    kaq per momentin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *