Rastësisht u gjenda këtë fundjavë në Vlorë, por nuk e mendoja asnjëherë se një qytet do të ishte në gjendje të të “pushtonte shpirtin”. Emigrant në një vend nordik, ardhja në vendlindje, Berat, gjithmonë më jep ndjesinë e një vizitori që merr pak jetë, qetësi, ngrohtësi miqsh e biseda pafund në shqip, në doza të vogla. Dy javët ikin fluturimthi, duke të lënë thjesht ndjesinë e “të pangopurit”.
Një tabelë e madhe në qytetin bregdetar, të ftonte të dashuroheshe. Buzëqesha me gjetjen e këndshme dhe xhirova plot dy herë rreth zonës së Skelës. Dy lokale përgjatë shëtitores m’u dukën thuajse në vijim të njëri-tjetrit, ndaj nuk mendova gjatë kë të zgjidhja për kafen e mëngjesit. Nuk e kuptova si lëvizjet u shtuan aq shpejt në sheshin përballë. Dikush jepte e merrte me telefonin, duke shoqëruar me duar gjithë shpjegimet, ndërsa një person krah tij, dukej po aq i angazhuar sa tjetri.
“E paskan me nxitim bregdetarët” mendova, ndërsa vetëm pak sekonda më pas kafja e mbetur do të shoqërohej me tinguj muzikorë që u shpërndanë gjithandej. Po kaq shpejt mbërritën të tjera vegla muzikore dhe grupi me këmisha të bardha u rreshtua shumë shpejt.
Prej kohësh nuk dëgjoja muzikë me zë të lartë në qytet. Në sheshin përballë tashmë njerëzit sa vinin e shtoheshin. “Është çelje sezoni, – më sqaron kamarieri, – dhe për pak do e shikosh plot”. Pa mbaruar fjalinë, në rrugën përballë stadiumit nuk kishte më automjete, por kërcimtarë. Kostume nga më të ndryshme u dukën që vinin drejt sheshit, ndërsa vetëm nga flamujt shqova identitetin. Disa lanë lokalet për t’u bashkuar në festë, ndërsa dalloja katër të rinj në anën tjetër të rrugës, që pasi parkuan makinën, zgjatën duart dhe nisën të ndiqnin hapat ritmike të një valleje jugu.
“Gjetje origjinale” mendova nën dëshirën për të qenë me ta. Vetëm një orë më pas, sheshi u mbush plot. Veshje verore dhe kostume tradiconale. Dukeshin flamujt kuq e zi, flamujt e Kosovës, Bullgarisë, Polonisë, Italisë…, ndërsa muzika ngatërrohej hera-herës nën ritmet e këngës vlonjate e daulles që binte me forcë nga një zeshkan me kostum popullor.
“Do të kërcesh apo shkosh nga deti?” më tërheq vëmendjen pyetja dhe fëmija që kishte shprehur njëherësh dy dëshirat, dukej ende konfuz se çfarë donte të bënte. “Një foto me ata arushat e kukullat njerëz, një foto me atë vajzën me lule në kokë, – tregon e vogla drejt një vajze me kostum shumëngjyrësh popullor, – e pastaj tek deti”.
Ndonjëherë këshillat e të vegjëlve janë më praktike. Nuk mund ta humbja as unë një foto në atë atmosferë, ndaj e fokusova në celular, e më pas hapat drejt detit vijuan të përkëdheleshin po me muzikë, e cila edhe zbehtë në sfond, u bashkua me të paktin valëzim që dukej në fundbreg dhe diellin që vijonte të këmbëngulte në nxehtësinë e tij.
Nuk e humba kënaqësinë për të notuar. As shoqërinë e një gote verë të bardhë me peshkun që zgjodha vetë në banakun plot akull në një restorant fare pranë detit. Nuk isha i vetëm. Plazhistë, fëmijë që luanin, një parashutist që mezi sa dukej…
Pasditja në Vlorë ishte po aq e mbushur. Gjithçka e paradites më kishte lënë shijen e mirë, ndaj e nisa me një tjetër kafe tek i njëjti lokal. Dita nuk kishte më nxehtësinë e disa orëve më parë dhe në qiell kishte pak re. Pranë skenës karriget ishin rreshtuar dhe shumë shpejt vendi u mbush plot. Festivalistët sollën po të njëjtën energji. Flamuj, muzikë, kostume, ngjyra dhe kënga vlonjate sërish ndërthurej me copëza të tjera notash të prura nga ta. Sa keq që shiu nuk la më tepër se pak minuta në skenë. Filluar befasisht me pika të mëdha, veshjet e holla detyruan njerëzit të gjenin strehën më të afërt… Por çuditërisht mbrëmja vijonte të mbarte muzikë. Një tjetër skenë ftonte. Shiu kishte triumfuar, por unë bashkë me shumë të tjerë e sfiduam, duke kërcyer në Skelë me Silva Gumbardhin e grupin Ali Pashë Tepelena, në një muzikë që të rrëmbente e çonte peshë.
Entuziazmi më kishte përfshirë. Ishte kaq e bukur mbrëmja në Vlorë. Fliste shqip, këndonte shqip, kërcente shqiptarçe.
Në të njëjtin hotel ishte edhe një ansambël nga Librazhdi. Energjinë e festivalit, ata e ndikuan edhe aty. Kërcyem deri vonë në diskon ngjitur, e të nesërmen shiu nuk m’u duk aq i trishtë sa aty ku jetoja gjithnjë. Nga lokali më dhanë me vete pak revani (një ëmbëlsirë të njohur aty në qytet). KIshte shije të mirë. Ashtu siç edhe fundjava në Vlorë.