Në zyrën e opozitës kibernetike në katin 14 kishte rënë qetësia. Brenda ishte Doktori që rrinte vetëm. Hyj unë me Kastriotin, Doktori ngre kokën dhe ngeli me dhëmbë hapur duke na parë gjithë kureshtje…
– Çfarë ka ndodhur? Kush ju ka masakruar kështu?!
– Lëre lëre Doktor. Nuk është për t’u treguar…
– Mos e kanë bërë këta fashistët e kuq, se do e ngre popullin uragan që t’i marri përpara me kuç e me maç, u kanë masakruar se e dinë që jeni ajka e opozitarizmit demokratik!
Mori telefonin edhe ulërinte:
– Luli, hajde në zyrë këtu për 5 minuta, e mbushën kupën ata, do ua tregoj unë tani!
Unë mbaj Doktorin e Kaçi mundohej të mbyllte telefonin duke u përpjekur ta sqaronim se nuk ishte ajo që mendonte ai.
– Doktor, – i thoja unë, – dale të tregojmë, mos e digj Shqipërinë kot përsëri pa na dëgjuar.
– Mbylle telefonin, – bërtiste Kaçi nga ana tjetër, – se do na bësh rezil në sy të botës ore!
Po ku dëgjonte Doktori. Në telefon i bërtiste Lulit, unë mbaja Doktorin dhe Kaçi mundohej t’i merrte telefonin. U përleshëm për nja 20 minuta, deri sa arritëm ta ndalonim.
– Dale të sqarohemi, – i bërtita unë.
– Nuk dua sqarime, – ulërinte doktori, – ai që ju ka bërë juve kështu, do i paguajë të gjitha, ja rregulloj unë atij drogaxhiut me demokratët e Mamurrasit, do e nxjerr nga zyra lakuriq!
– Ore po duro të shkretën, – i flisja unë.
– Bobo si të paskan bërë Hysni, ti ca je i shëmtuar vetë, po ata të paskan bërë qe edhe karikaturisti më i madh i globit nuk të pikturonte dot…
Drejtohej nga Kastrioti, që kishte manikota në çdo cep të fytyrës: – Po ti qenke bërë si gazetë more Kastriot i dashur!
Andej nga ana tjetër ishte dhënë alarmi dhe dëgjojmë zhurmë në hyrjen e zyrës. Dukej që militantët kishin marrë lajmin dhe po vërshonin drejt komandantit për të marrë vesh të vërtetën.
Nuk patëm më asnjë minutë kohë për të sqaruar Doktorin, pasi dera u hap me forcë dhe njerëzit vërshuan brenda duke u drejtuar nga Doktori. Na shtypën me këmbë mua e Kaçin që edhe pa ta në kurriz, të mbaruar ishim.
Dëgjoheshin vetëm shprehjet: “A je mirë or burrë”, “A çfarë ndodhi bre Sali”, “A duhet me i marr armët tani a jo”… Doktori vuri qetësinë dhe rregullin duke bërtitur. Ra qetësi.
Doktori mori fjalën: “Dëgjoni vëllezër… Ka ndodhur një akt i rëndë, më i rëndi në këto 23 vjet…”
Të gjithë kishin ngrirë! Doktori vazhdonte: “Mafiozët e kuq, fashistët e kuq kanë masakruar ajkën e opozitës kibernetike…”
– Heeeuuuu! – dëgjohen zërat. – A si ka ba vaki or ti?!
– Shikojini vetë, – foli Doktori.
Njerëzit shikonin njëri-tjetrin në sy me dyshim duke kujtuar që Doktori nuk ishte mirë nga mendtë e kokës. Doktori përpiqej të na tregonte ne. Nuk po na gjente gjëkundi. Dhe thirri: – Hysniiii, Kastrioooot!
As unë e as Kaçi nuk flisnim dot, se na kishin zënë njerëzit nën vete dhe na kishin shtypur.
Doktorit i vajti mendja dhe ulëriti: – Shikoni poshtë këmbëve se keni dy burra.
U bë një zallamahi. Arritën të na gjenin në atë pyll njerëzish e të na nxirrnin lart. Na shtrinë në tavolinë e na hodhën ujë. U përmendëm e morëm veten.
– Shikojeni si i kanë bërë! – sqaronte Doktori.
– A mos i kena shtip ne hë burr? – u dëgjua kori.
– Jo jo, kështu ishin kur erdhën, – sqaroi Doktori.
– Kuuuku, na paskan korit! – dëgjoheshin ulërimat.
– Jep urdhër Doktor! – dëgjoheshin zëra.
E pashë rrezikun unë edhe i fola Doktorit:
– Ore po aman, nxirri këta jashtë për 5 minuta, dëgjomë mua të sqaroj para se të japësh komandën “ZJARR”!
Doktori u qetësua dhe pranoi.
– Dilni jashtë, – u tha. Salla u boshatis si me sustë.
– Hë Hysni!
– Dëgjo, – i thashë unë, – ne nuk erdhëm dje në zyrë se vendosëm të bënim intervista për të marrë një zëdhënëse si na premtove ti. U vendosëm të dy në një zyrë. Ishte më keq se kur bëhet “Amerikan Idol”. Kandidatët vinin. Ne i pyesnim edhe u thonim se do ju kthejmë përgjigje. Kërkesa kishte shumë o Doktor, jam i sigurt se po të hapet ndonjë degë universiteti për zëdhënës, ta dish se nuk do studiojë njeri në degë tjetër. Ne nuk dinim kë të zgjidhnim, atë që pëlqeja unë s’e donte Kaçi, atë që pëlqente Kaçi s’e doja unë. Dhe… e shqepëm njëri-tjetrin në dru!
Doktori ngeli me gojë hapur, pastaj kapi veshin me dorë:
– Po pse nuk më sqaruat që në fillim?!
– Ore po ne po mundoheshim, po ti e kishe mendjen të gjeje sebep të bëje revolucion.
– E mirë… Ju drejtua Lulit:
– Ti Luli, dil e thuaju atyre të kthehen në shtëpi, se revolucioni u anullua.
– Po si t’i sqaroj? – mërmëriti Luli me gjysmë zëri.
– Nuk kanë nevojë për sqarim ata. U thuaj shtyhet revolucioni për një ditë tjetër.
– Po sikur nuk shkon, – vazhdonte Luli si ndër dhëmbë…
– Ore do dalësh ti apo ta bëj surratin si këpuca unë?!
– Mirë, mirë, – tha Luli dhe doli.
U tha ato që tha doktori. U dëgjua një “Heuuu breeee burrë” dhe hapat që tregonin se po largoheshin.
– Ngrihuni! – foli Doktori.
– Ku të vemi? – folëm një zëri.
– Mos t’ju dëgjoj më të kërkoni zëdhënëse personale.
– Ke të drejtë doktor, – folëm ne të dy që e ndiem veten fajtor për revolucionin që desh e shkaktuam. Një opozitar me shumë plumb për armikun.