Lënia pas dore e vizitave mjekësore ka çuar në rritjen e numrit të pacientëve që detyrohen t’i nënshtrohen trajtimit të mundueshëm të dializës. Autoritet shëndetësore thonë se çdo vit mbi 400 pacientë të rinj shfaqin probleme të rënduara me veshkat, duke i shtuar në listat e marrjes së shërbimit të dializës kapacitetet e të cilit janë të kufizuara.
Pranvera Kola
Mungesa e kontrolleve periodike tek mjeku po u kushton shumë rëndë shqiptarëve. Ndonëse thirrjet nga ana e bluzave të bardha për kthimin në rutinë të kontrolleve mjekësore kanë qenë të shpeshta gjatë viteve të fundit, sërish pjesa dërrmuese e pacientëve shqiptarë po i zbulojnë problemet shëndetësore në stade të rënduara, kohë në të cilën nis dhe shfaqja e simptomave të para të dukshme. Ndërkohë që në të vërtetë sëmundja mund të ketë shumë vite që zhvillohet në heshtje.
Një shqetësim i tillë pohohet nga mjekët e shërbimit të nefrologjisë, e veçanërisht pavijonit ku kryhet dializa. Janë me qindra shqiptarë që përballen me komplikacione të rënda të veshkave, zgjidhja e vetme e të cilave mbetet marrja e shërbimit të dializës, në të kundërt shëndeti i tyre vihet në rrezik.
Vetëm pranë shërbimit të dializës marrin trajtim 400 raste të reja çdo vit si rrjedhojë e humbjes së funksionit të veshkës, çka i detyron ata që t’i nënshtrohen trajtimit me dializë për të ruajtur parametrat jetësorë. Ndërkohë që kjo shifër mund të ishte shumë herë më e ulët nëse pacientët do ishin treguar të kujdesshëm dhe do të kishin shfrytëzuar pak minuta për kryerjen e analizave të paktën një herë në vit. Shtimi me ritme të shpejta i numrit të pacientëve të rinj që kanë nevojë për marrjen e dializës çdo vit, po vë në kushte të vështira edhe shërbimin e QSUT-së, i cili nuk mund t’i përballojë të gjitha këto raste. Burime pranë këtij shërbimi bëjnë me dije se një pjesë e konsiderueshme e pacientëve vijnë nga rrethet apo vendet fqinje, çka shton edhe radhët e pritjes. Njëkohësisht pohohet se janë të shumtë edhe pacientët që kanë marrë për një kohë të gjatë këtë shërbim, ndërkohë që kanë të nevojshme kryerjen e transplantit të veshkave.
“Çdo vit shkojnë 400 në dializë, numri po rritet shumë shpejt në tre vitet e fundit”, thuhet nga ekspertët e dikastereve shëndetësore, të cilët kanë menduar që të zgjerojnë bashkëpunimin, me qëllim që pranë qytetarët të sensibilizohen nga mjekët e familjes për kryerjen e analizave të thjeshta në stade të hershme. E në rast se simptomat kapen që në stade të para të shfaqjes së sëmundjeve, ato mund të trajtohen fare mirë duke eliminuar marrjen e trajtimit me dializë apo nevojën e transplanteve, trajtime këto të mundimshme e shumë të kushtueshme.
Për të zbuluar në kohë sëmundjet tinëzare të veshkave, rekomandohet që të paktën një herë në vit çdo qytetar duhet të jetë i kujdesshëm dhe të kontrollojë diabetin, yndyrat, hipertensionin etj. Kjo procedurë duhet kryer detyrimisht nga personat që kanë pasur edhe histori të tjera në familje të anëtarëve të prekur nga komplikacionet në veshka.
Një veshkë e patrajtuar shton riskun për sëmundje kardiovaskulare të parakohshme
Nëse sëmundjet e veshkave kalojnë në stad kronik, atëherë shqetësimet me të cilat përballen pacientët janë edhe më të mëdha, ku nuk mënjanohen as pasojat fatale. Neglizhenca e veshkave çon në shtimin e komplikacioneve të tjera, siç mund të jenë sëmundjet kardiovaskulare të parakohshme. Këto sëmundje mbajnë vendin e parë sa i takon shkaktarëve të nivelit të vdekshmërisë në vendin tonë.
“Ndaj duhet të vëmë theksin tek zbulimi i hershëm i sëmundjeve të veshkave dhe trajtimi i tyre në kohë. Mjekët duhet të ndihmojnë pacientët që t’i kushtojnë më shumë rëndësi aparatit urinar duke bërë një kontroll të paktën një herë në vit. Kjo është mënyra më e mirë për të parandaluar një sërë sëmundjesh renale”, thuhet në rekomandimet që u janë dhënë mjekëve të familjes si hallka e parë e sistemit të parandalimit të këtyre sëmundjeve. Kontrollet periodike pakësojnë rrezikun që krahas sëmundjeve të veshkave pacienti të preket edhe nga sëmundjet kardiovaskulare.
Edhe fëmijët të prekur
Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet shëndetësore në QSUT, rezulton se në regjistrin kombëtar për problemet e insuficencës renale kronike (mosfunksionimi siç duhet i veshkës), janë të shumtë edhe fëmijët që përballen me këto komplikacione. Konkretisht në këtë dokument janë të regjistruar më shumë se 100 të sëmurë, të cilët në mënyrë graduale do të shkojnë drejt një insuficence renale terminale, çka i detyron ata që të marrin detyrimisht edhe shërbimin e dializës.
Kontrollet e thjeshta që mbajnë larg nevojën për dializë
Mjafton kryerja e ekzaminimeve të thjeshta për të mbajtur larg këto komplikacione, si dhe për t’i kursyer vetes shumë mundim e kosto financiare. Ndër analizat e para që këshillohen të kryhen të paktën një herë në vit, është ajo e urinës, e cila tregon praninë e shumë elementeve të rëndësishme për vendosjen sa më të shpejtë të diagnozës trajtuese në rastet kur konstatohen shqetësime. Këshillohet bërja e një urokulture për të parë praninë e infeksionit në veshka. Analizat e gjakut komplet gjithashtu janë të rëndësishme që të shihet nëse ka apo jo në leukocitozë shenja të infeksionit. Më tej në varësi të dhënave të raportuara nga kryerja e këtyre analizave, vendoset edhe diagnoza se çfarë ekzaminimesh të tjera specifike duhet të ndjekë pacienti.