“Negociatat? Duhet punuar më shumë për të bindur skeptikët. 28 milionë euro për vijimin e reformave”

redaktor

Në një intervistë për Euronews Albania, komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi siguroi se Komisioni Europian do t’i qëndrojë rekomandimit për hapjen e negociatave me Shqipërinë por kërkoi ndihmën e autoriteteve shqiptare për të bindur shtetet anëtare që ta pranojnë rekomandimin.

Varhelyi: Nuk na duhet ta japim rekomandimin sërish, pasi rekomandimi është në tryezë dhe ne i qëndrojmë atij rekomandimi, pasi për mendimin tonë të dyja këto shtete (Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut) janë gati për të çelur negociatat me BE-në. Por duhet të angazhohemi më shumë me shtetet anëtare për t’i bindur ato, prandaj jam edhe këtu sot për të bashkëbiseduar me autoritetet shqiptare për të më ndihmuar që t’i bindim shtetet anëtare.

Në emisionin Ilva Now, përballë gazetares Ilva Tare, Varhelyi theksoi se rruga që duhet të ndjekë Shqipëria, është të zbatojë në praktikë reformat që deri tani i ka shkruar në letër

Varhelyi: Më e rëndësishme për Shqipërinë tani është që të vazhdojë me procesin e reformave dhe të angazohet plotësisht me shtetet anëtare për të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me reformat. Pra, jo thjeshtë që të hartohen ligjet, por edhe zbatimi i këtyre reformave, ligjeve. Po ashtu jam këtu që të flas për atë që quhet baza minimale e përbashkët kombëtare, për të biseduar me të gjitha partitë politike, qoftë brenda dhe jashtë kuvendit, në mënyrë që të kemi një marrëveshje të përbashkët kombëtare për të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE.

Varhelyi përshëndeti tryezën për reformën zgjedhore dhe u shpreh se në Bruksel do të çojë mesazhin e vullnetit dhe hapjes së partive për të bashkëpunuar dhe për të ecur përpara me përmbushjen e objektivave për integrimin

Varhelyi: Së pari, e kam mirëpritur këtë arritje. Për mendimin tim është skajshmërisht e rëndësishme dhe e shoh si një sinjal apo shenjë të rëndësishme për të ardhmen dhe kam besim që në bazë të kësaj arritje ne do të mund të punojmë më tepër. Jam shumë i kënaqur që të promovojmë dhe inkurajojmë këtë mënyrë pune. Mesazhi që marr sot nga Tirana është që ka vullnet për t’u angazhuar gjithnjë e më shumë dhe për të dhënë rezultate për reformat. Dhe ky është mesazhi që do t’u jap shteteve anëtare.    

Megjithatë reformat e ndërmarra sipas Varhelyit nga Shqipëria për Brukselin janë të mjaftueshme aq sa për t’i stimuluar më tej duke dhënë si shpërblim 28 milionë euro për vijimin e tyre.

 

d.a. / dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *