Paraqitja me Barcelonën ia ka rritur vlerën Neimarit dhe tani ai kushton 22.5 për qind më tepër se një vit më parë, ose më saktë 67.4 milionë euro. Shifra është llogaritur nga Pluri Consultoría, kompania me seli në Sao Paulo të Brazilit, e cila ka fituar famë vitet e fundit me studimet e saj të sakta mbi vlerën e futbollistëve në merkato.
Studimi i saj i fundit analizon vlerën e 100 futbollistëve më të shtrenjtë brazilianë dhe shpresa më e madhe për skuadrën pritëse të botërorit qëndron në vendin e parë. Ai ka qenë më i shtrenjti që prej dy vjetësh dhe me kalimin e kohës vlera ka ardhur në rritje.
Në vendin e dytë është një tjetër sulmues, Hulk i Zenitit, i cili vlen 46.2 milionë euro. Rënie të ndjeshme ka pësuar futbollisti tjetër i Barcelonës, mbrojtësi Dani Alvesh, kartoni i të cilit tani vlerësohet 23.3 milionë euro. Vlera e lojtarëve ndryshon në bazë të paraqitjes së tyre, ndaj mund të quhet e çuditshme ulja e çmimit të Thiago Silvës, ndër mbrojtësit më të mirë në botë, ndërkohë që është rritur vlera e mbrojtësit tjetër, Markinjo.
Momente të mira po përjeton mesfushori Fernandinjo, i cili shkëlqen te skuadra angleze e Manchester City dhe tani ai kushton 29.4 milion euro, dy herë më tepër se një vit më parë kur renditje i 30-ti midis brazilianëve.
