Pavarësisht vendit nga kanë ardhur, të gjitha barnat që qarkullojnë në tregun tonë farmaceutik po i nënshtrohen një kontrolli të rreptë sa i takon sigurisë që krijojnë për pacientin. Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë në terren një grup inspektorësh, të cilët po kalojnë në sitë të gjitha medikamentet që kanë hyrë në vendin tonë gjatë muajve të fundit. Sipas autoriteteve të shëndetësisë objekt i veçantë i kontrollit që tashmë është drejt mbylljes janë bërë të gjitha barnat e importuara në vend për periudhën korrik-nëntor të vitit të shkuar, për shkak të dyshimeve të ngritura rreth procedurave të regjistrimit të tyre.
Konkretisht bëhet fjalë për rreth 400 medikamente të llojeve të ndryshme, për të cilat është bërë zhdoganimi, por që ende nuk janë hedhur në tregun farmaceutik, si rrjedhojë e vlerësimit që po i bëhet origjinës dhe sigurisë së tyre. Zyrtarët e drejtorisë farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë, bëjnë me dije se këto barna nuk janë lejuar që të hidhen në treg për shkak të faktit se grupi i punës i ngritur është në mbyllje të kontrollit të rishqyrtimit të regjistrimit, ku në shumë raste është vënë re se barna të caktuara janë regjistruar edhe brenda pak orësh, çka është në kundërshtim të plotë me legjislacionin e barnave. Numri një i kësaj drejtorie Ardiana Çapi shprehet se që në import janë vënë filtra sigurie, nëpërmjet të cilave janë kapur disa barna që nuk janë regjistruar konform formës dhe mënyrës që përcakton ligji dhe rregulloret përkatëse.
Ndërkohë që kjo problematikë është konstatuar edhe në kontrollet e kryera në tregun farmaceutik. Sipas saj në një rast është marrë edhe masa e largimit të një medikamenti nga tregu, si pasojë e dyshimeve të ngritura mbi të. Sipas saj kompanitë duhet të kenë si personel të tyre edhe një person të farmakovigjilencës, i cili është i specializuar në pasqyrimin e këtyre problemeve, dhe në rastet kur këto vërehen që jashtë territorit, ata mund të lajmërojnë strukturat përkatëse për të mos lejuar më tej hyrjen e këtyre barnave në vendin tonë. Pak ditë më parë ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka deklaruar se me hartimin e projektligjit të ri parashikohet krijimi i një situate të rregullt për sigurinë e 4900 tipeve të ndryshme të barnave që qarkullojnë tashmë në tregun farmaceutik shqiptar.
Ndërkohë që në një fazë të dytë projektligji i ri i barnave, që aktualisht është në fazën e diskutimeve me grupet e interesit parashikon që pas kontrolleve të rrepta që do të bëhen në procesin e regjistrimit, nën vëzhgim të kalojë edhe procesi i tregtimit nëpër farmaci. Kjo nëpërmjet shtrirjes së recetës elektronike. Megjithatë sa i takon sigurisë së barnave Çapi këshillon që dhe vetë pacientët të tregohen të kujdesshëm, duke vepruar vetëm me blerjen e barnave që janë të pajisura me pullën e sigurisë, si dhe të mos veprohet me blerjet online të barnave, pasi në shumë raste mund të mos jenë të sigurta.
