Janë 19 piktura të famshme, që, megjithëse ruhen në fondin e Galerisë së Arteve, të pajisura edhe me një farë pasaporte (relacion, dërguar organeve kompetente) që në vitin 1967 nga artistët tanë të njohur Odhise Paskali, Foto Stamo e Vilson Kilica, që flet për rëndësinë dhe kujdesin që duhet treguar ndaj tyre, nuk janë ditur ose nuk janë trajtuar si të tilla në vite. Mes këtyre veprave mendohet se janë edhe dy kryevepra botërore origjinale, tabloja e mjeshtrit italian Ticiano Vecellio titullohet “Adami dhe Eva” dhe tabloja e Rubensi me titull “Shën Sebastiani” Këto tablo janë bërë pjesë e fondit të Galerisë së Arteve në fillim të viteve ’80 dhe janë sjellë aty nga Pallati i Brigadave.
Historinë e këtyre dy pikturave e sqaron një dokument që ndodhet në Arkivin Qëndror të Shtetit, i përpiluar 47 vjet më pare nga Odhise Paskali, Foto Stamo e Vilson Kilica mbi 19 vepra arti tepër të rëndësishme, që ruheshin në Pallatin e Brigadave që nga koha e arredimit të tij në vitin 1941-1942, kur në këtë pallat u vendos për të jetuar familja Francesco Jacomoni, mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanuel.
Në qoftëse provohet që këto vepra janë origjinale, ky është një lajm i madh jo vetëm për botën e artit, por për të gjithë ne shqiptarët, që kemi në gjirin tonë pasuri të tilla, pasi ato kanë një rëndësi jo vetëm artistike dhe historike, por për gjithë sistemin e artit dhe historinë e artit botëror, sepse janë pjesë e këtij sistemi.
Më poshtë po e njohim lexuesin me dy piktorët e mëdhenj dhe dy pikturat e ndodhura në Galerinë tonë të Arteve.

Ticiani
Ticiani (Tiziano Vecellino) lindi më 1477 apo 1488 në Pieve di Caldore, Beluno; vdiq më 27 gusht 1576 në Venedik, Belluno. Ishte jo vetem nje nga artistet me te medhenj venecianë te shekullit te 16-te, por me fame boterore qe la ndikimin e tij ne art. Punët e tij të hershme mendohen se janë të influencuara nga Giovanni Bellini, piktor i njohur i kohës. Madje mendohet se Bellin përdorte shumë piktura të Ticinit si të tiat. Bashkëkohësit e vet e quanin “Dielli mes yjeve të vegjël”, sipas vargut final të Parajsës së Dantes. Tiziano ishte piktori më i gjithanshëm, me portretet, peizazhet, mitologjinë dhe subjektet fetare. Metodat e tij të pikturimit, sidomos në aplikimin e përdorimin e ngjyrave, ndikuan shumë jo vetëm piktorë të tjerë të Rilindjes Italiane, por edhe brezat e mëvonshëm të artit perëndimor. Veprat e para të tij janë të destinuara në ambiente private. Ticiani vdiq në shtëpinë e tij në Venecia në 1576 dhe u varros pranë kishës Santa Maria Gloriosa për të cilën kishte bërë disa nga punimet e tij më të mira.
10 vjet për të restauruar një vepër të Ticianit
Më shumë se 10 vjet mjeshtrat e Muzeut Ermitazh (Hermitage) të Shën Petersburgut janë angazhuar me restaurimin e tabllosë “Arratia në Egjipt” e Tiziano-s (“La fuga in Egitto” di Tiziano). Tablloja “Arratia në Egjipt” u pikturua nga Tiziano në vitin 1507, në kohën kur ai punonte në atelienë e Giorgione-s. Sipas mendimit të Irina Artemieva-s, bashkëpunëtores së vjetër shkencore të Departamentit të Artit Perëndimor Evropian të Muzeut Ermitazh, është tejet e vështirë të mbivlerësohet rëndësia e pikturës “Arratia në Egjipt”: sepse ajo është e para nga veprat e gjetura origjinale të Tiziano-s dhe pejsazhi i parë grandioz në historinë e Rilindjes italiane. Tabloja “Arratia në Egjipt” u pikturua për Pallatin e Andrea Loredana në Venecia, por deri më sot nuk dihet se kur dhe në ç’rrethana vepra e tij ndërroi për herë të parë të zotin. Në vitin 1768 Perandoresha ruse Ekaterina e Madhe ia bleu tabllonë “Arratia në Egjipt” trashëgimtarëve të Kontit Heinrich von Bruhl, i cili konsiderohej si një prej koleksionistëve më të mëdhenj të kohës së vet, dhe që nga ajo kohë tablloja hyri në “listën e pikturave më të rëndësishme të galerisë së krijuar prej Madhërisë së saj Perandoreshës”. Por me kalimin e kohës lindën dyshime në lidhje me autorësinë e Tiziano-s, meqenëse stilistikisht vepra nuk ishte e ngjashme me pikturat e tjera të mjeshtrit të penelit, të krijuara prej tij në moshë të pjekur. Gjatë restaurimit u krye studimi i detajuar i pikturës dhe gjetën përgjigje të gjitha pyetjet që kishin të bënin me autorësinë. U hoqën të gjitha shtresat shumëshekullore të penelatave të huaja, u përforcua shtresa e bojërave dhe u eliminuan deformimet. Është interesant fakti, se fillimisht Tiziano kishte ndërmend të bënte një kompozicion me subjekt, temë tjetër – “Adhurimi i Fëmijës”: kjo u zbulua pas rrezatimit të pikturës me dritë infra të kuqe.
Rubens
Paul Peter Rubens lindi në vitin 1577 në Siegen të Vestfalisë. Nisi të studionte pikturë që në moshë të vogël. Ticiani, Mikelanxhelo dhe Rafaeli, si dhe skulptura greko-romake, ndikuan në krijimin e stilit të tij. I ati, një avokat gjaknxehtë nga Antwerpi, u largua për në Gjermani në vitin 1568 për t’i shpëtuar persekutimit fetar. Por pas vdekjes së tij familja u kthye sërish në Antwerp, ku Peter Paul Rubens mori mësimet e para si artist. Në moshën 21-vjeçare ai shkoi në Itali për të përfunduar edukimin. Gjatë 8 vjetëve të punës si piktor i sallës së gjyqit për dukën e Mantuas, ai mori mësimet e mjeshtërve të Rilindjes italiane dhe më pas kreu edhe një udhëtim në Spanjë, që pati një ndikim të madh për thellimin e karakteristikave të artit barok tek ai. Ai qëndroi disa kohë edhe në Romë, ku realizoi disa nga pikturat e tij më të rëndësishme për Kishën e Kryqit të Shenjtë të Jeruzalemit, si dhe Kishën e Re, dy kryeveprat e tij të para. Ndërsa reputacioni i tij ishte përcaktuar tashmë, Rubensi u kthye në Antwerp, ku u bë menjëherë një figurë dominuese artistike në Holandën spanjolle.
Mjeshtri i madh i nudove
Nuk ka asgjë tjetër në koleksionin e pikturave të Rubensit që të krahasohet me mjeshtërinë e tij në realizimin e nudove. Ai përdorte leksionet e plastikës në skulpturë si një model kompozicioni, por këmbëngulte që gjithçka në një pikturë nudo të dukej po aq origjinale sa ishte në të vërtetë. Studiuesit e pikturës kanë deklaruar se ai krijoi një brez të tërë grash, që përçonte dashuri, paqe, mirësi dhe lumturi nëpërmjet pikturave të tij. Duke shkrirë në veprën e tij traditën realiste të pikturës flamande me temat klasike të Rilindjes italiane, ai arriti të rigjallëronte dhe t’i jepte një drejtim të ri pikturës europiane. Edukimi i tij pasqyronte konfliktet fetare të kohës në të cilën jetoi, një fakt ky që kishte rëndësi shumë të madhe për karrierën artistike të tij. Ngjyrat flakëruese dhe drita që përflaket në telajon e tij u dhanë jetë kompozicioneve si “Ardhja nga Kryqi” me një stil karakteristik barok. Dashuria për një formë monumentale dhe efektet dinamike janë më të dukshme në skemat dekorative që ai realizoi në vitet 1620, përfshi këtu edhe ciklin prej 21 pikturash që paraqet jetën e Maria de Medici, të gjitha të pikturuara për Pallatin e Luksemburgut. Për të realizuar shitjen e pikturave të kësaj natyre, Rubens ngriti një studio ku artistët shumë të kualifikuar realizonin piktura për mjeshtrin e madh edhe me ndihmën e tij. Prodhimtaria e tij fenomenale u ndërpre kohë pas kohe nga detyrat diplomatike që i ngarkuan padronët e tij mbretërorë, arkiduka Ferdinand dhe arkidukesha Isabela, për të cilën ai kreu negociata në vitin 1625 për t’i dhënë fund luftës mes Holandës spanjolle dhe Republikës Holandeze dhe më pas ndihmoi në nënshkrimin e traktatit të paqes mes Anglisë dhe Spanjës në vitet 1629-1630. Gjatë dekadës së fundit të jetës së tij Rubens nisi të pikturonte më shumë portrete, natyra të qeta, peizazhe.