E hoqën nga puna. I kishte shkruar Bujar Nishanit sepse e kishin mashtruar edhe me paratë e varrimit të së bijës. Humbi të bijën 19 vjeçare në shpërthimin e Gërdecit. 3 vjet më parë u vetëvra edhe i shoqi. E pushuan nga puna se “votoi Partinë Socialiste”… Tragjedia e Gërdecit dhe kalvari i vdekjeve në familjen Osmani
Sipas policisë Tushe Osmani helmoi veten duke pirë një sasi të madhe ilaçesh mbrëmjen e së martës. Gruaja është gjetur në banesë mëngjesin e së mërkurës nga djali dhe nusja e tij, të cilët e kanë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku edhe ka ndërruar jetë.
Mësohet se gruaja ishte pushuar nga puna vetëm tri ditë më parë. Punonte si pastruese. Disa ditë më parë asaj i ishin ndërprerë dritat në shtëpi për shkak të pamundësisë për t’i paguar.
Vetëvrasja e Kujtim Osmanit
Kujtim Osmani ishte punonjës i Bashkisë së Vorës. Në shtator 2009 e hoqën nga puna. Më pas vrau veten. Atëkohë bashkëshortja e tij, Tushe Osmani, e vetëvrarë dje kishte deklaruar se shkaku kryesor që burri i saj vdiq ishte largimi nga puna.
“Kur ishte ai në punë, e përballonte dhimbjen që na vdiq vajza, por pasi e hoqën nga puna i dukej vetja i padobishëm”, – tregonte ajo, duke u shpreh se pas vdekjes së të bijës në Gërdec kishte filluar të pinte alkool dhe të ishte i shqetësuar gjatë gjithë kohës. “Kur kthehesha nga puna e gjeja duke qarë para fotografisë së vajzës”, pati treguar për mediat e shoqja, pasi i vdiq bashkëshorti.
Kujtimi punonte në sektorin e pastrimit dhe Tushes i kishte thënë vazhdimisht se kishte frikë mos e largonin nga puna, pasi në zgjedhje kishte votuar për të majtët… “Më thoshte se kishte frikë se do e hiqnin nga puna” tregon ajo, “thoshte se në Bashki dyshonin se kishte votuar për Partinë Socialiste në zgjedhjet e Qershorit”. Pas disa ditësh, e hoqën dhe i kishin thënë se po e largonin si pasojë e procedurave të reja në Bashki.
“Në Bashki e dinin cila ishte gjendja e tij. E dinin që atij i kishte vdekur vajza në Gërdec dhe ishte në gjendje të vështirë financiare. Unë punoj në të zezë, im bir punon kur gjen mundësi, nuk ka punë të përhershme. Largimi i tij nga puna i shtonte dhe më shumë problemet tona. Kryetari i Bashkisë e shpërbleu për gjithë punën që ai i kishte bërë duke e hequr nga puna. Unë këtë nuk ja fal Fiqiri Ismailit”, – u shpreh në atë kohë për mediat Tushe Osmani. Bashkia e Vorës tha në atë kohë se ngjarja s’kishte lidhje me politikën dhe se Osmani u largua nga puna, “sepse kontrata e tij me Bashkinë e Vorës përfundoi”.
Kërkesë për paratë e varrimit Bujar Nishanit
Tushe Osmani ka rrëfyer para vetëvrasjes se “na premtuan se paratë e varrimit të vajzës sonë që u vra në Gërdec do na i jepte qeveria. Ato nuk na u dhanë kurrë”. Ajo tregoi se kërkesën për paratë e varrimit të vajzës ja bëri ministrit të brendshëm të asaj kohe, Bujar Nishanit. Në disa raste kishte kërkuar dhe takim me ministrin por asgjë nuk kishte ndodhur. Sipas saj dhënia e parave për varrimin, në shumën e 200 mijë lekëve të reja, ishte me vendim të Këshillit të Ministrave. “Kur kërkuam paratë e varrimit në Bashkinë e Vorës na thanë që fondet për familjarët e viktimave të Gërdecit kanë mbaruar. Më pas nuk kërkuam më”.
Tragjedia e familjes
Tushe Osmani pati deklaruar se qeveria s’u dha as lekët e varrimit. Në bashki u kishin thënë se fondet për familjarët e viktimave të Gërdecit kishin mbaruar. Tashmë familja Osmani shënon tre të vdekur: vajza 19-vjeçare e vrarë në Gërdec, dhe nëna e babai të vetëvrarë.