Blerina Kapajt i shkëlqejnë sytë. Tani le t’i thonë mendjemadhe. Tri ditë më parë u vlerësua nga Ministria e Shëndetësisë si një nga dhjetë nënat e vitit. E përzgjedhur mes 5000 nënave, ajo ndihet krenare. Për më tepër që tashmë ka të drejtë të kundërshtojë ata që i jepnin mend si duhet të edukonte fëmijën e saj. Sepse, siç thotë edhe vetë, është shumë përzgjedhëse në këshillat që i japin, gjë që ua këshillon edhe nënave të tjera… Me poshtë intervista e plotë e saj, dhënë për gazetën “Dita”…
E fillojmë nga dita e enjte. Jeni shpallur një nga dhjetë mamatë e vitit. Si ndiheni?
Tani jam e qetë sepse ky titull më konfirmon që jam në rrugën e duhur, por 20 minutat e para, kur sapo me njoftuan, emocionet ishin shumë të mëdha.
Çfarë do të thotë ky çmim për Blerinën?
Çmimi sigurisht që ma përkëdhel sedrën sepse tashmë kam argument për ata që nuk dua t’jua dëgjoj këshillën.
Si e ushqen Blerina fëmijën, që arriti të marrë një çmim?
Për të qenë e saktë do duhet të riprodhoj të gjithë formularin e konkursit duke qenë se aty pyetjet kërkonin zbërthimin në detaj të mënyrës së ushqyerjes, por shkurtimisht mund të them se përdor ushqime të ndryshme, duke i prezantuar çdo muaj me një radhë të caktuar sipas lejueshmërisë së tyre. P.sh. ka disa fruta dhe perime që lejohen në muajin gjashtë, pastaj shtohen disa të tjera çdo muaj e kështu me radhë. Njësoj edhe me mishin dhe peshkun. Ka disa MOS të mëdha në produktet që mund t’i jepen fëmijës në vitin e parë si qumështi i lopës, mjalti, e bardha e vezës, kripa, sheqeri, etj. Ka disa ushqime të tjera që duhen me PATJETER që i bëjnë shumë mirë shëndetit të fëmijës. Çdo ditë ka supë me lëng mishi ose peshku ose thjesht me perime, drithëra si dhe zemra të vogla me fruta, ndonjë biskotë apo kos mes vakteve. Janë realisht gatime shume të thjeshta, zierje, grirje dhe kaq. Në fillimet e ushqyerjes, aty nga muaji i 6-të kishte edhe homogjenizantë të ndryshëm, për fat të mirë tregu të ofron shumë lloje, por gradualisht deri më sot gjithçka kaloi në produkte sa më natyrale …gjithsesi nuk dua të marr vendin e ekspertëve këtu ndaj po e lë me kaq. Dua të konfirmoj vetëm që 6 muajt e parë ushqimi ishte edhe më komod – vetëm qumësht gjiri, pastaj morëm tasat dhe lugët dhe u ulëm në karrige.
Mendon se një çmim i tillë është stimul për ty?
S’ka nevojë për stimuj të jashtëm për të qenë nënë. Në fakt doja të theksoja se çmimi në fjalë është pjesë e një projekti të Ministrisë së shëndetësisë dhe United Nations që ka për qëllim të promovojë mënyrat e duhura të ushqyerjes së fëmijëve për pasojë titulli “10 nënat më të mira të vitit” nuk duhet të përkthehet si “nënat e tjera s’janë të mira”. Më pëlqen ideja që jam në dhjetë të zgjedhurat mes 5000 aplikantëve.
Cili është roli i bashkëshortit tënd në këtë çmim?
Bashkëshorti im është i mrekullueshëm dhe nuk po bëj shaka, në shtëpi punojmë të dy thuajse njësoj. Është padyshim një baba i denjë por nuk harron të jetë edhe bashkëshort, ka qenë një suport i jashtëzakonshëm që në shtatzani dhe më ka befasuar madje. E kemi shijuar shumë këtë eksperiencë sepse jemi kujdesur bashkë për Robin që kur lindi.
Është e vështirë të rritësh siç duhet një fëmijë?
Nuk e di ende, jam në fillimet e rritjes por duket impenjative. Për ta rritur mund të jetë e thjeshtë por besoj që e vështirë është të rritet mirë për më tepër që edhe modeli i “rritjes së mirë” ka inerpretime të ndryshme.
Cila ka qenë sfida më e madhe?
Sfida më e madhe ka qenë dhe është refuzimi me takt i këshillave të gabuara, por kësaj sfide s’ia kam dalë mbanë akoma. Unë besoj që një pjesë të mirë të modeleve të rritjes i kemi të gabuara ndaj e gjej veten shpesh duke reaguar ndaj këtyre modeleve kur më imponohem. Për më tepër gjykoj që nuk është e drejtë të rezervohem për hir të sikletit se do bëj “figurë të keqe” nëse jam e sigurtë për diçka që është në dëm, apo thjesht s’është në dobi të tim biri. Nëse doni shembuj, s’e kuptoj pse një grua e panjohur në rrugë duhet të pretendojë të ndukë në faqe tim bir?!!!!!!!! Dikush të më thotë se çdo bënte një i rritur nëse papritur dikush do ti hidhej e do t’i shkulte faqet në mes të rrugës. Por jo vetëm kaq, ka shumë tentativa për objektizim të bebeve në forma të ndryshme.
Sa ka ndihmuar shkolla tek ti (ke mbaruar psikologjinë me rezultate shumë të larta)?
Besoj që shumë, në fund të fundit kam zgjedhur psikologjinë për një jetë më të mirë dhe jo për profesion direkt. Formimet e mia pas fakultetit janë menaxhim dhe marketing dhe psikologjia ka qenë veçse ndihmë për të kuptuar më mirë natyrën njerëzore duke filluar nga vetja ime. Planifikimi i një fëmije përfshinte pikërisht këtë, përgatitjen psikologjike për t’u bërë prind dhe mu desh ca kohë për këtë.
Ti ke bërë lindje natyrale, po të ktheheshe mbrapsht do zgjidhje ndryshe?
Jo sigurisht që jo. Lindja ka qenë një eksperiencë plot emocione shumë intense dhe gjithçka ndodhi më shpejt seç e mendoja..paradite isha në punë e pasdite im bir ishte në prehrin tim, nuk ishte një fjalë goje por ishte e paharrueshme.
Je në punë, ke një fëmijë dhe prapë merr një çmim. Si ia ke dalë mbanë?
Është e mundur sepse s’jam vetëm. Kur jemi në punë edhe unë edhe bashkëshorti me djalin është dadoja, një grua e mrekullueshme dhe shumë e dedikuar dhe kur jemi në shtëpi i ndajmë punët me njëri-tjetrin, kur të rritet çuni do na ndihmojë dhe ai J. Nëse miqtë na e gjejnë shtëpinë rrëmujë, në fund të fundit jemi të justifikuar se rrëmujën e bën çuni.
Ndërsa puna ime është shumë e bukur për të qenë një peshë, shefja ime është femër dhe natyrisht që mirëkupton faktin që nuk rri dot me orare të zgjatura, të paktën në vitin e parë (që po mbaron). Kolegët e mi janë gjithashtu të mrekullueshëm dhe bashkëpunues, madje shumica janë nëna të reja dhe kanë qenë e janë këshilluese shumë të mira, ishte fati im që Ilda dhe Vanja kanë lindur para meje dhe që janë nëna “bashkëkohore”.
Të tha njeri mendjemadhe?
Ndoshta kanë thënë por s’i kam dëgjuar se isha e zënë duke u mburrur.
Je mama, por edhe në formë… Sekreti?
Përmasat trupore u kthyen siç ishin para lindjes vetëm 6 muaj pas lindjes. S’kam qenë ndonjëherë tipi i palestrës por ama nuk rri dot në një vend, pra lëvizja dhe mbajtja e trupit në aktivitet të vazhdueshëm besoj që ka ndikuar. Ushqimi vazhdon të jetë normalisht dhe i rregullt, ndërsa sekreti i vërtetë duhet të jetë lindja natyrale dhe ushqyerja me gji, e thonë edhe mjekët.
Një këshillë për mamatë e tjera?
Mendoni gjithçka para se të merrni vendim për të patur një fëmijë ose në pamundësi sapo të mundeni. Hulumtoni, informohuni, konfirmoni në disa burime informacionet që keni dhe merrni një vendim për metodën tuaj të prindërimit, dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për ushqyerjen, por edhe për çështje të tjera që kam përmendur më sipër dhe që kanë mbetur si modele të gabuara e zbatohen automatikisht. Mos merrni të mirëqëna traditat që ju thonë gratë e tjera dhe mos kini turp të refuzoni këshilla që i gjykoni të gabuara. Pasi të keni bërë të gjitha këto vazhdoni të qeta “punën” tuaj të prindërimit, jeni ju dhe vetëm ju që keni përgjegjësinë dhe privilegjin e rritjes së fëmijës suaj (ju dmth mami dhe babi) dhe askush tjetër nuk mund të zërë vendin tuaj. Fëmijët kanë nevojë edhe për gjyshër edhe për teze, halla, dajo e xhaxhallarë, etj, por këta duhet të ruajnë rolin e tyre që nuk është prindërimi paralel.
Te lumte Blerina! Te uroj shendet dhe mbaresi!