Nëna ime Shqipëri

J L

1.

Shqipëri, o yll e hënë,

Jo më kot të quaj nënë,

Se, pas nënës, s’kam të dytë,

Ndaj të kam si të dy sytë.

 

Ç’më ke thënë e ç’të kam thënë,

Më ke bijë e të kam nënë,

Që kur bota është zënë,

Nënat dhe shqiponjat s’flenë.

 

2.

Malet e tua të rënda,

Flori jashtë e flori brenda,

I shikoj e ma ka ënda,

Sa një mal më bëhet zemra.

 

Moj e bukura-përrallë,

Më jep krenari të rrallë,

Emrin tënd shkruaj në ballë,

Këngë e zemër m’i mban gjallë.

 

3.

Shqipe je, po je dhe lule,

Halle shumë e pak pekule,

Por ti kokën nuk e ule,

Si flamur në shkëmb u ngule.

 

Flamurin në shkëmb e vure,

Fluturon shqiponja-nure,

Po dhe unë, që të kam nënë,

Zemrën në flamur kam vënë.

 

4.

Moj e rritura me vesë,

Më dhe emër, më dhe besë,

Jehojnë këngët e mia:

S’ka në botë si Shqipëria!

 

S’ka në botë e rruzullime,

Se është Shqipëria ime,

Se është nëna jonë e gjirit,

Dritë e vezullim i syrit.

 

 

Ndaj me shihni kaq krenare,

Se jam vajzë shqiptare,

Se këngën dhe bukurinë

I kam veç për Shqipërinë.

11 tetor 2008

 

Eva me Adamin

 

1.

Eva me Adamin,

Kur ju bënë magji,

Qen’ vëlla e motër,

Ranë në dashuri.

 

Eh, fati i tyre,

U pre, si me drapër,

Kur Evës i foli

Në vesh ai gjarpër.

 

Ky mëkati i parë,

Ishte, padyshim,

E, që atëherë,

S’ka e s’ka mbarim.

 

I miri, i ligu,

S’çan kokë asnjëherë,

Vazhdon mëkaton

Dhe pse shkon në ferr.

 

2.

Po mua me duken

Mundime të kota,

Pa këto mëkate

Si do bëhej bota!

 

Eva me Adamin,

Gjer këtu arriu

Mëkati i vjetër,

Mbeti më i riu.

 

11 tetor 2008

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *