Nënat e reja dhe adoleshentët më të rrezikuarit nga karantina

Ornela

Pranvera Kola

Pas Covid-19, bie edhe një tjetër këmbanë alarmi. Kjo pasi karantina e ka përkeqësuar së tepërmi shëndetin mendor të shqiptarëve. Shifrat e raportuara nga Urdhri i Psikologut pas vlerësimeve të kryera në popullatë, nëpërmjet konsultave psikologjike online të ofruara përgjatë këtyre dy muajve, flasin për të dhëna shqetësuese sa i takon përjetimit të izolimit nga qytetarët. Ngarkesa më e madhe është konstatuar tek moshat e reja, edhe pse këto të fundit klasifikohen si më pak të rriskuara nga pasojat e Covid-19.

Ndryshe nga sa mendohej, femrat (në veçanti nënat e reja), si dhe adoleshentët rezultojnë të jenë ndër kategoritë që e kanë përjetuar më rëndë izolimin, ku është dashur edhe ndërhyrja e psikologut.

Përkundrejt kësaj situate, Urdhri i Psikologut bën me dije se është e domosdoshme që të nisë depistimi i popullatës për problemet e shëndetit mendor, rëndimi i të cilave ka ardhur për shkak të mbivendosjes së traumave të shkaktuara, jo vetëm nga Covid-19, por edhe nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar. “Janë marrë në total 756 telefonata në rreth 50 ditë shërbim psikologjik online pa pagesë, dhe përpunimi i të dhënave është bërë mbi këtë shifër totale të konsultave psikologjike”, sqarohet nga Urdhri.

 

Rreziku tek moshat e reja

“Lidhur me moshën e individëve, të cilët raportojnë se kanë përjetuar me më shumë ngarkesë emocionale këto muaj të karantinës, kemi një përqindje që në total shkon deri në 74 për qind për moshën deri në 35-vjeç, me përqindjen më të lartë të raportuar nga mosha 30-35 vjeç.  Ajo çfarë është interesante për t’u studiuar më tej, është fakti se edhe në situatën e krijuar nga tërmeti i 26-nëntorit me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, ku pati 51 viktima, ishin pikërisht moshat e reja, deri në 30-35 vjeç, që e përjetuan më shumë në nivel traume tërmetin dhe zhvilluan më pas edhe simptoma të Çrregullimit të Stresit Post Traumatik. Përjetimi i ngarkesave kaq të mëdha emocionale dhe mosaktivizimi i mekanizmave mbrojtës dhe aftësive resiliente, duhet të bëhen objekt i një studimi të thelluar”, bën me dije Presidentja e Urdhrit të Psikologut, Valbona Treska.

Sipas saj, këto të dhëna duhet të merren në konsideratë për hartimin e politikave sociale, që kanë në qendër nënat e reja me fëmijë, apo femrat në tërësi në këtë grupmoshë, të cilat, në popullatë, shfaqin aktualisht problematika të ngarkesave të larta emocionale dhe të ankthit.

Edhe pse mosha më e riskuar nga Covid-19 ka qenë mbi 60 vjeç, vërehet një përqindje thuajse e pallogaritshme në total të qytetarëve të kësaj moshe që kanë kërkuar ndihmë. Një ndër faktorët që është analizuar për këtë përqindje të ulët të moshës mbi 50 vjeç që ka kërkuar ndihmë, është edhe mentaliteti jo i hapur ndaj profesionit të psikologut në tërësi, apo edhe i aksesit në rrjetet sociale , për të evidentuar listat e psikologëve. Pyetja që ngrihet nga këto rezultate është: përse moshat e reja edhe pse më pak të rriskuara nga Covid-19, shfaqin disa fish më shumë problematika psikologjike në krahasim me moshën mbi 50 vjeç që është realisht më e rriskuar nga infektimi me Covid-19.

Po ashtu një përqindje të konsiderueshme  të kërkesave për ndihmë e zënë edhe të miturit, të përfshirë në një fashë moshore 10-18 vjeç. Me miratimin paraprak të prindit, ka patur konsulta të drejtpërdrejta me të miturit. Numri i tyre është shtuar gjatë 3 javëve të fundit të shërbimit.

Shqetësimet në rritje tek femrat

Nga Urdhri raportohet se në dy ditët e para të shërbimit, ka patur një fluks më të lartë të telefonatave nga individë meshkuj, tendencë e cila u përmbys menjëherë pas ditëve të para. Në përfundim të shërbimit, pjesa më e madhe e personave që kërkuan asistencë ishin femra me 70 për qind në total.

Pjesa më e madhe e qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë kanë qenë nëna të reja. Është konstatuar, se kjo kategori ka qenë ndër më të prekurat nga izolimi. Kjo pasi atyre u është dashur që të menaxhojnë njëherësh, mësimet online të fëmijëve, mirëmbajtjen e shtëpisë, kujdesin ndaj familjes në tërësi, si dhe ngarkesat që kanë ardhur si pasojë e shkëputjes nga aktiviteti punësor i përditshëm, apo mungesa e kohës për veten. Përpos këtyre impenjimeve dhe problematikave të përditshme, shtohet edhe ngarkesa e ardhur specifikisht nga frika e COVID-19.

Frika e shfaqjes së problemeve tek meshkujt

Nga ana tjetër vlerësohet se numri i ulët i telefonatave nga meshkujt mund të vijë, ndër të tjera, edhe si pasojë e mentalitetit dhe tendencës për të mbajtur për vete shqetësimet emocionale, çka rrit riskun e mosmarrjes në kohë të ndihmës për problematika të shëndetit mendor. Në këtë drejtim, gjinia femërore vlerësohet se e ka pasur më të lehtë aksesin tek psikologu.

Rreziku i shtuar tek adoleshentët

Po ashtu një tjetër kategori e rriskuar janë edhe adoleshentët. Urdhri raporton se: “Kemi patur fluks të shtuar të konsultave të kërkuara nga adoleshentë. Mungesa e fashave të orareve për ta, për të dalë nga banesa, frika nga Covid-19, problematika të hasura me mësimin online, mungesa e kontakteve të drejtpërdrejta sociale të domosdoshme për një adoleshent, të cilat i janë mbivendosur problematikave të moshës, kanë rezultuar me një përqindje të lartë të nevojës për konsulta me psikologun.

Ky rezultat, vlerësojmë si një këmbanë alarmi dhe se i duhet kushtuar veçanërisht vëmendje kësaj grupmoshe me politika sociale dhe aktivitete që kanë në fokus mirëqenien e tyre psikologjike.

 

Qarqet ku janë konstatuar më shumë shqetësime

Tre qarqet me numrin më të lartë të kërkesave për këshillim psikologjik gjatë kësaj periudhe janë: Lezha me 23.7 për qind, Tirana me 22.1 për qind dhe Durrësi me 19.4 për qind.

Kjo e dhënë e përftuar vërteton faktin se popullata që ka përjetuar tërmetin e 26 nëntorit, është shumë më e rriskuar për problematika të shëndetit mendor. Trauma e Covid-19 i mbivendoset traumës së patrajtuar të shkaktuar nga tërmeti. Diferenca kaq e dukshme në nevojën e këtij target grupi për suport psikologjik, lidhet ngushtësisht me tërmetin.

Ndonëse ky ishte një konstatim i bërë nga psikologët rast pas rasti, është hera e parë që kemi të analizuara të dhëna të qarta për traumat e mbivendosura për këtë popullsi. Gjithashtu vlerësohet se ky numër i lartë telefonatash për konsulta, shkon gjithashtu në korrelacion të drejtë edhe me numrin e rasteve të infektimeve nga Covid-19 në këto zona.

“Ne vlerësojmë gjithashtu se shërbimi psikologjik që këto zona morën nga psikologë të Urdhrit të Psikologut në ngjarjen e tërmetit, i ka bërë të jenë më shumë të hapur ndaj profesionit të psikologut, të kuptojnë përfitimet e ardhura nga asistenca psikologjike dhe në këtë mënyrë, të kenë më të lehtë të mposhtin barrierat e mentalitetit për kontakte me psikologun. Shkodra, e cila rezulton me 13.1 për qind të telefonatave, pati një rritje të telefonatave gjatë dy javëve që numri i të infektuarve pësoi rritje, por sërish është në distancë në të dhëna nga tre qytetet që përjetuan tërmetin”, bën me dije Urdhri i Psikologut.

Në vijim të kësaj analize, vërehet se edhe Vlora, Elbasani apo Korça, të cilat patën vatra infektimi, kanë patur numër të ulët telefonatash krahasuar me Lezhën, Tiranën e Durrësin. Kjo përforcon vlerësimin se kemi grup popullsie me risk të lartë të problematikave të shëndetit mendor, si pasojë e traumave të mbivendosura dhe të patrajtuara, të ardhura nga tërmeti.

Më tej bëhet e ditur se në periudhën e nisjes së karantinës, një pjesë e prekur e popullsisë në Lezhë e Durrës po trajtoheshin psikologjikisht për problemet e stresit post trauma, apo të tjera problematikave të gjeneruara nga tërmeti. Shkëputja e menjëhershme e trajtimit për shkak të një tjetër traume kolektive, rrit dukshëm riskun e, problemeve të shtuara të shëndetit mendor dhe regresit. Ndihmë nëpërmjet konsultave online kanë kërkuar edhe shqiptarët jashtë vendit. Në shifrën totale të telefonatave të marra, kjo përqindje shkon në 4.6 për qind në total.

Shqetësimet më të shpeshta të hasura

  • Ajo që vërehet është një përqindje shumë e lartë e konsultave, të cilat janë bërë specifikisht për probleme me ankthin, të shoqëruara rast pas rasti edhe me atak paniku.
  • Pjesa më e madhe e telefonuesve ka lidhur ankthin e gjeneruar nga situata e pandemisë, me atë të gjeneruar nga tërmeti i 26 nëntorit. Ankthi ka qenë problematika dërrmuese e referuar dhe konsultuar nga psikologët.
  • Urdhri vlerëson se edhe në studimet e mëparshme të bëra mbi efektet e karantinimit në vende të tjera të botës, si Kinë apo Kanada gjatë vitit 2003 për shkak të SARS, apo në disa fshatra të Afrikës në vitin 2014 për shkak të shpërthimit të Ebolës, ankthi, ngarkesa emocionale apo çrregullime të gjumit tek popullata, kanë qenë ndër problematikat më të referuara. Në këto kushte, të dhënat që janë gjeneruar për Shqipërinë, krahasimisht edhe me të dhënat e përftuara nga të tjera studime të mëparshme në popullata më të kufizuara, ishin të pritshme
  • Ajo që vihet re në këtë situatë është një referim i shpeshtë i problematikave bashkëshortore, të cilat shkojnë në nivelin 8 për qind të totalit të telefonatave. Kjo e dhënë e përftuar dhe kjo problematikë rezulton të jetë bërë gjatë këtyre ditëve prezente edhe në median vizive dhe të shkruar për shtim të numrit të rasteve të denoncimeve për dhunë në familje. Urdhri vlerëson se karantinimi ka përkeqësuar dhe ka nxjerrë më shumë në pah konflikte mes bashkëshortëve tek familje, në të cilat kontraditat kanë qenë prezente prej kohësh. Në familjet përgjithësisht të shëndetshme përpara Covid-19 kjo problematikë nuk është hasur në nivele të larta.
  • Po ashtu referuar grafikut vërehet një përqindje domethënëse e depresionit, si dhe problematikave të tjera të shëndetit mendor. “Kemi konstatuar se një numër i lartë individësh, ka patur më parë problematika të shëndetit mendor për të cilat është diagnostikuar, përfshi depresionin dhe çrregullime të tjera të personalitetit. Karantinimi ka përkeqësuar dhe regresuar shëndetin e tyre psikologjik, por ritheksojmë se këto problematika nuk i ka sjellë specifikisht karantinimi. Në vijim të referimit të këtyre të dhënave, vlerësohet se kjo përqindje e problemeve të shëndetit mendor të diagnostikuar në popullatë është e lartë.
  • Ajo çfarë konstatohet problematike për ne është fakti se, këta persona me çrregullime të shëndetit mendor kanë referuar rast pas rasti në telefonatat e kryera se nuk trajtohen me terapi tek psikologu, apo se kanë ndërprerë, apo kanë nisur trajtim me medikamente, pa konsultën e mjekut psikiatër. Në këto kushte kemi emergjente depistimin e popullatës për problematika të shëndetit mendor. Kemi gjithashtu emergjente ndjekjen e ecurisë së individëve të cilët janë tashmë të diagnostikuar me problematika të shëndetit mendor.
  • Në përfundim të analizimit të këtyre të dhënave, vlerësojmë se mund të gjenerohen të tjera të dhëna në vazhdim mbi variablin e problematikave dhe atij të moshës së individëve që kanë kërkuar asistencë psikologjike, mbi problematikat dhe qarqet, gjinisë dhe problematikave, etj. Aktualisht ne kemi analizuar vetëm të dhëna të përgjithshme mbi problematikat e hasura.

 

 Rekomandimet për masat që duhet të marrin institucionet

 

Përkundrejt këtyre të dhënave shqetësuese, nëpërmjet një shkrese zyrtare të dërguar Kryeministrisë, Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe Ministrisë së Brendëshme, Urdhri i Psikologut rekomandon:

 

  • Nisjen e fushatave sensibilizuese për popullatën për marrjen e shërbimeve psikologjike.
  • Nisjen e fushatave sensibilizuese për bashkërendimin e punës dhe të punuarit në ekipe multidisiplinare, mjek i familjes-psikolog-psikiatër.
  • Nevojën imediate për depistim të popullatës rreth shëndetit mendor.
  • Nevojën imediate për shtim të numrit të psikologëve të punësuar pranë qendrave të shëndetit mendor në rang vendi për të ofruar ndihmë falas për popullatën, po ashtu e njëjta masë duhet të merret edhe në spitale, si dhe pranë bashkive që mbulojnë çerdhet dhe kopshtet.
  • Ndihma e psikologut është e domosdoshme edhe në shkollat e arsimit të detyruar dhe gjimnaze.
Share This Article
1 Comment
  • durresi tirana dhe lezha kane perqindje te larte tani pasi kane njohje dhe akses ne sherbimin psikologut online, qysh gjate termetit.
    pjesa tjeter e shqiperise nuk u ekspozua ndaj ketij sherbimi ndaj nuk ja ka idene. Sa me te vjetra moshat aq me pak mundesia ta njohin kete sherbim te ri, aq me teper online.
    pergezoj gazeten per publikimin e lajmeve te tilla

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *