Nëna e këngëtares Eda Zari akuzon këtë të fundit se i ka marrë pronat përmes falsifikimit të dokumenteve. Zhane Zari thotë në një intervistë për gazetën “Panorama” se përmes dokumentesh false, këngëtarja e njohur i ka marrë një apartament në Durrës dhe një dyqan 64 metra katrorë në lagjen “21 Dhjetori” në Tiranë.
“Bëhet fjalë për një apartament në Durrës dhe një dyqan 64 metra katrorë në lagjen “21 Dhjetori” në Tiranë. Për apartamentin në Durrës m’u desh të kërkoja dokumentet e kontratës së shitblerjes që im shoq, i cili tashmë nuk jeton më prej pesë vjetësh pasi humbi jetën në një aksident tragjik, e kishte blerë në emrin e tij. Apartamenti kushtoi 50 milionë në atë kohë dhe ne i paguam në dorë personit që na e shiti vetëm 20 milionë. Pjesën tjetër ramë dakord ta shlyenim me këste mujore, që ishte 1 milion e gjysmë të vjetër në muaj. Të gjitha faturat u paguan nga im shoq, Ismaili, kur ishte gjallë, ndërsa këstin e fundit të shtëpisë e pagoi Eda. Para 1 muaji, kur hapa dokumentet e shtëpisë, pashë që ajo me shkrim dore kishte shtuar emrin e saj Eda, para Ismail Zari, që është babai i saj, i cili kishte blerë shtëpinë. E telefonova dhe i kërkova të më jepte sqarime se përse e kishte bërë një veprim të tillë pa më thënë mua dhe ma preu shkurt, që shtëpia ishte e saj, pra e kishte blerë ajo. Unë me të drejtë i kërkova të më thoshte arsyen, se më kishte marrë dokumentet origjinale, të cilat i kishte falsifikuar, duke shtuar para emrin të babait emrin e saj. Pra nga blerësi Ismail Zari, ajo e kishte bërë Eda Ismail Zari, dhe mua në shtëpi më kishte lënë vetëm fotokopjet. Kur ia thashë në telefon u nevrikos shumë, ndaj nuk di se si ta gjej të vërtetën dhe gjuhën me të”, thotë ajo.
Zhane Zari thotë se duke u përpjekur të gjejë një avokat në Tiranë, historia nuk mbeti vetëm brenda familjes dhe tashmë ajo e sheh të arsyeshme ta bëjë vetë publike. Ajo rrëfen se si e bija e saj i ka përvetësuar dy pronat e familjes duke falsifikuar dokumentet dhe ndërprerja pas kësaj e komunikimit me të bijën e famshme.”E kam të vështirë më besoni, se jam një grua që i ka kaluar të ’70-at dhe kurrë s’e kam menduar se do përballesha në këtë moshë me vajzën time të vogël, Edën, të cilën bashkë me bashkëshortin e çuam që 17 vjeç në Gjermani, ku filloi studimet në Muzikë, pra i mundësuam një jetë ndryshe për ta çuar më tej talentin e saj. Arsyeja është që unë konstatova se Eda ka përvetësuar padrejtësisht dy prona të familjes, duke falsifikuar dokumentet, dhe kjo më çuditi. I kërkova sqarim në telefonon, po ajo u mërzit shumë dhe tashmë nuk komunikojmë më fare”
Pyetjes në lidhje me dyshimet që mund të hidhen mbi pretendimet e saj, në një kohë kur këngëtarja fiton mirë nga koncertet jashtë vendit, Zhane Zari i përgjigjet: “Unë kam punuar si banakiere kur kam qenë e re, ndërsa im shoq ka qenë ushtarak, por më vonë jemi marrë me biznes. Ne kemi pasur një dyqan 64 metra katrorë në lagjen “21 Dhjetori” në Tiranë, që më vonë e bëmë supermarket. Madje kishim mundësi ekonomike që të çonim Edën që 17 vjeç në Gjermani për studime, vajzën më të madhe e çuam pas saj po ashtu në Gjermani që të kujdesej për Edën, ndërsa djalin, që sot është 50 vjeç, e çuam në Holandë. Kur ikën ata në Gjermani, menduam që këtë pronë ta ndanim mes vajzave, por donte pjesë edhe djali. Me anë të një notereje e hodhëm shtëpinë si pronë të Edës, e cila në mirëbesim do ia dhuronte pjesën motrës më të madhe, pasi ajo nuk mund të ishte e pranishme në Tiranë. Por, edhe pjesën time edhe të burrit të dyqanit Eda e hipotekoi si pronë të sajën, të cilën e kishim lënë me qira 800 mijë lekë në muaj. Madje ajo tani i ka thënë qiradhënësit që të mos m’i japë më mua paratë e qirasë, por asaj, sepse është ajo pronarja e shtëpisë dhe kështu kam ngelur pa para, të vetmet të ardhura që kisha”.