Klubi i Federatës. Pranë tavolinës qendrore rri ulur me shokun Fadil
– Kam dashur që personalisht t’ua dorëzoj librin e xhirimit.
– Au – uuu, po kjo qenka e hollë! Të them të drejtën as atë të parën nuk kam arritur la lexoj. Ia dorëzova edhe letrën. Duke lexuar, shoku Fadil u errësua.
– Do ta ndaloj xhirimin. Le të mos punohet fare – tha papritmas, krejt i qetë.
– Nuk betohem. Nëse filmi xhirohet sipas këtij skenari nuk mund të jetë i keq dhe do të mbetet një dokument historik nga Lufta Nacional Çlirimtare dhe e popullit të Kosovës. Mbi njëqind njerëz – aktorë, skenografë, kostumografë, elektricistë, rekuizitor, gardërobist – do të punësohen. Duke punuar do të mësojnë si krijohet filmi. Prandaj ju lutem që të mos e ndaloni xhirimin e filmit.
– A nuk mundesh të paktën rolin ta luash? Kur duhet të shkosh në operimin e syrit? – Më njëzetë mars 1979. Kjo do të jetë m’u në mes të xhirimit sipas planit të tashëm..
E shikova filmin. Nuk u dashtë ta lus shokun Fadil që të mos e ndalojë xhirimin. Fatkeqësisht, nuk ka mbetur asnjë pjesë nga ajo, për të cilën kemi ëndërruar dhe në çka kemi punuar derisa e kemi shkruar skenarin. Njerëzit nga pushteti dhe politika e Kosovës e dëbuan pionierin e filmit kosovar, Abdurrahman Shalën, me arsyetimin se e “ka keqpërdorë pozitën e drejtorit”, sepse ka luajtur disa episode në disa filma. Ai është njëri ndër aktorët tanë më të mëdhenj, laureat i “Arenës së artë”, i cili na ka lënë në trashëgimi Teatrin profesional popullor shqiptar, të parin në historinë e Kosovës. Si drejtor i “Kosova filmit”, na ka lënë dy realizime të shkëlqyeshme: “Uka i Bjeshkëve të Nemuna” dhe “Si të vdiset”. E çka na kanë lënë ata pas tij? Sa dhe çfarë filmash? Me çfarë jehone artistike? Koha e sukseseve të organizuara ka kaluar.
Përse jo si suedezët e norvegjezet
Mihiz, intelektual i çmuar lartë, me flokë të rralla të krehura përpjetë, me gishta të verdhë nga nikotina,e shtroi në mënyrë delikate, një “pyetje të vogël” për Kosovën, që në fund dhe ta përmbyll temën: “Kosova kredo, kur patjetër do të bashkohet me Shqipërinë. Kjo është ndarje artificiale. Ai është popull i njëjtë, me zakone të njëjta, me gjuhë dhe kulturë ” – shtoi. “Si janë ndarë normalisht suedezët dhe norvegjezët? Ashtu edhe ne!”.
Më bëri të qeshem, por edhe më shtyri në mendime. E kam shënuar në notesin tim: 17 shkurt 1981, ora 14:30.
Shtëpia e sindikatave. Po e përcjelli festivalin e filmit dokumentar. Në holl e takoj Petar Bozhoviqin dhe Faruk Begollin, i cili më njofton me Milorad Vuçeliqin.
Slobodan Novakoviq, shkrimtar i dramës “Alisa në botën e çudirave progresive”, që është shfaqur në JDP (Teatrin jugosllav të dramës), na u afrua dhe tha me buzëqeshje: “A keni dëgjuar për demonstratat në Prishtinë? Komedi e vërtetë. Këtu mbahen fjalimet mbi vëllazërim- bashkimin, në tribuna me stafetën e shokut Tito, e në pesëqind metra nga aty tymon lotsjellësi dhe milicia e trajnon ashpërsinë mbi studentët!”
Duke mos i dhënë rëndësi kësaj, kaluam në restorantin e Press klubit. Duke darkuar, Milorad Vuçeliq flet: “E dini çka po thonë “udbashët” e Rankoviqit? Na jepni ju këtë neve në duar. Do t’i rregullojmë për njëzetë e katër orë.” Shokët u qeshën. Mua nuk më binte ndërmend kjo.
Telefonoj në Prishtinë. Motrat janë shumë të brengosura. Vëllezërit dhe dhëndëri ishin nëpër fakultete. Duke u gjetur në mes të studentëve dhe kordonëve të milicisë, me kolegët e vet, i kanë këshilluar studentët të kenë kujdes dhe të ruhen nga rreziku që u kanoset nga njësitë e bashkuara speciale të Federatës.
Mesnatë. Serish telefonoj. Vëllezërit kanë arritur në shtëpi.
– Çka është duke ndodhur?- Arritëm pak më parë. I kanë rrahur pamëshirë studentët. Ende po e dëgjojmë vajtimin e tyre.
– Po vij.
– Mos! Këtu janë vëllezërit tu. Nëse nevojitet të lajmërojmë – më tha Shpresa. Në kokë më sillet dhurata “shpirtmadhe” e Mihizit: “Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkohen”. Mendohem – përse ma tha këtë?
“Çka do të ndodh me Jugosllavinë, pas Titos? “, më pyetën në botën e jashtme. M’u kujtua edhe Xhejms Bondi italian, ligjërata e Bzhezhinskit dhe se Lufta e tretë botërore do të nis në Kosovë? A thua nisi?
Askush nuk e shtroi pyetjen, lidhur me shkaqet e demonstratave. Të gjithë i atakuan shqiptarët, Kosovën dhe Kushtetutën e vitit 1974. Në Prizren dhe Gjakovë, në takimin e luftëtarëve dhe komunistëve, gjenerali në pension, tash anëtar i Presidencës së RSFJ, (Nikolla) Ljubiçiq, u kërcënua: “Mos t’i mbathi serish çizmet.”
“Nëse ti do t’i mbathësh çizmet, unë do t’i mbathi opingat!” iu përgjigj Fadil Hoxha.
Kosova gjoja është qetësuar
Tregimet që i dëgjova ishin shumë shqetësuese. Milicia nga Serbia ka dashur menjëherë të futet në Kosovë. Komandanti i Mbrojtjes Popullore Territoriale, ua ka zënë rrugën. “Këtu unë jam komandant!”, Xhavid Nimani ka refuzuar “ndihmën” e milicisë serbe. Policia e Kosovës veç e ka krye detyrën e vet. I ka dëbuar demonstruesit nga rruga dhe i ka futur në konviktet e tyre. Gjithçka ishte nën kontroll dhe ka nisur qetësimi. Kjo dikujt nuk i konvenoi.
Shumë shpejtë Njësitë speciale të Serbisë u riemëruan në Njësi speciale federale, të cilat të vetmet kanë mundur të ndërhyjnë në Kosovë, prandaj Franjo Herljeviq, ministër i Punëve të Brendshme i Federatës menjëherë i ka dërguar drejtë konvikteve të studentëve, ku e nisën ndërhyrjen e tyre brutale. Qarkullonin llafe jozyrtare (të cilat me siguri i kanë plasuar vet kryesit): “Me kërbaçë ua kemi shkyer mitrën studenteve, me një fjalë, nuk do të lindësh më kopil shqiptari”. Studentët në terr kërcenin nga dritaret. I kanë thyer këmbët, duart… Të helmuar e të verbuar me lotsjellës kanë ikur pa krye.
Jashtë i prisnin “specialit”. Kjo ishte nata e 26 marsit të vitit 1981, kur klithma e vashave çirrej deri në qiell. U dëgjua kjo edhe në Beograd.
Detyra e secilës milici është që t’i dëbojë demonstruesit, t’i fus në godina dhe ashtu t’i izolojë. Milicia e Kosovës këtë e bëri. Plani i kujt ishte që studentët të dëbohen nga konviktet? Planifikuesit e kanë ditur çka bëjnë.
Prindërit, të cilët nga goja e kanë ndarë për t’i shkolluar fëmijët e vet, u ngritën më 1 prill… Më dy prill 1981, u vërsulën tanket e APJ nëpër rrugët e kryeqytetit të Kosovës, derisa në Beograd jetohej qetë dhe pa brenga…
- Roli i Kolës në filmin kushtuar Nënë Terezës
– Jam drejtor i filmit “Majka Tereza” (Nëna Tereze) nga ” Jadran filmi”. Italianët po xhirojnë film, kurse ne po u ofrojmë shërbime teknike. Do t’ua dërgojmë librin e xhirimit. Roli juaj është i Kolë Bojaxhiut, baba i Nëne Terezës. Do të vij të ju marrë nesër në të njëjtën kohë, ora 14:00.
Në vitin 1956, në “Malcinskom teatru” (Teatrin e vogël) në Shkup, nga kolegët e nacionalitetit shqiptar dëgjova për emrin e Kolë Bojaxhiut. Ai me partnerin nga Venecia, në fillim të shekullit të XX e ka ndërtuar, m’u aty, teatrin hyjnor.
Skenari – i shkëlqyeshëm. Baba Kola, tregtar, kryebashkiak, ka familje të mrekullueshme. Janë të besimit katolik. Shkojnë rregullisht në kishë dhe këndojnë në kor. E bija, Gonxhja, dallon nga të tjerët. Nëna shpesh e merrte me vete në kodrina, ku i shëronte të afërmit e sëmurë, e më vonë edhe të plagosurit. Një mbrëmje babën e sollën në shtëpi me karrocë, të helmuar.
I tronditur thellë Gonxhja, e vetmuar, në maje të malit, përjeton ndriçim, dhe me tërë qenien i dorëzohet besimit.
Xhirimi i skenës për Pashkë. E tërë familja Bojaxhiu është e tubuar në veshmbathjet e bukura popullore, me muzikë, këngë e valle. Gazmend i përgjithshëm. Regjisori i entuziazmuar. Fatkeqësisht, filmin kurrë nuk e kam parë, e është shfaqur edhe në Festivalin e filmit, në Venecia.
Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze nga Kalkuta, me dekada ka punuar me mund të madh, me shumë vetëmohim, i ka shëruar më të sëmurit dhe më të varfrit. Tri herë kanë bërë tentim atentati kundër saj, herën e fundit kur njerëzit gërbulë nga rruga i ka futur në tempullin budist. Erdhi policia. Nëna Tereze iu drejtua atyre me fjalët: “Nëse nuk kanë të drejtë të jetojnë si njerëz, kanë të drejtë të vdesin si njerëz!” Ato fjalë bënë jehonë dhe policia i la rehat. Përfundimisht, me meritë e fitoi Çmimin Nobel për paqe..
Pas çerek shekulli…
Ditë e bukur, me diell nëntori. Përpara Teatrit Popullor në Prishtinë, më takoi drejtori Hazir Miftari, ndryshe koleg më i ri. Më ofroi ta luaj Hamletin. Refuzova. Faruk Begolli me regjisorin nga Zagrebi Zhorzh Paro e ka punuar Hamletin mbi një vit. Drejtori më bind se Paro dhe Faruk kanë heq dorë nga projekti. – Kur ai këtë të ma konfirmojë personalisht, mund të bisedojmë, por jo në rrugë. Pas një muaji, m’u lajmërua drejtori dhe e caktoi takimin në “Manjezh”, në Beograd… Faruku e konfirmoi se ka hequr dorë. Të gjithë më bindin që ta pranoj.
Kam pasur mbi 45 vjet. Koha më ka shkelur për atë rol. Ama m’u duk se megjithatë mund ta gjej çelësin dhe e pranova. U morëm vesh, më 5 janar 1982, nisim me provat. Premiera do të jetë më 5 prill të vitit të njëjtë.
Ja, pas çerek shekulli arriti oferta e parë e Teatrit Popullor Krahinor nga Prishtina. E pranova rolin nga dy arsye: propaganda antishqiptare në mënyrë shumë perfide mori hov në të gjitha mediat. Dëshirova që me anë të krijimtarisë artistike të përpiqem ta ndryshojë imazhin e klishetizuar që është krijuar mbi shqiptarët. Gjithashtu desha ta punojmë shfaqjen, e cila do të jetë shembull si duhet punuar në një tempull siç është teatri dhe eventualisht ta nxisim vetëdijen dhe entuziazmin e të rinjve.
Bufeja e teatrit. Kafene e vërtetë ku pihet dhe hahet meze. Drejtori me sekretarin e vet, Xhevdet Lilën, më njoftoi me regjisorin nga Anglia Xheremi Jang… Me shtrëngim të tepruar të dorës dëshiroj të lë përshtypjen e njeriut të fuqishëm. Nuk kaluan as pesë minuta prej se u ulë, pas pyetjeve dhe përgjigjeve konvencionale, e hodhi dorën mbi supet e mia dhe tha: “Ju do të jeni Hamlet fantastik”. E shikova direkt në bebëzat e tij, si uji i kaltër. E largoi dorën nga supet e mia. E kuptoi shikimin.
E pyes drejtorin si kanë arritur deri tek ky regjisor.
– I biri i Ragip Loxhës jeton në Londër. Ai edhe e ka rekomanduar.
Më 5 janarin e ftohtë të vitit 1982, i nisem provat me lexim. I tërë ansambli është i tubuar. Ndjej kënaqësi të pakufishme. Pas çerek shekulli u gjeta me kolegët me të cilët e kam nisur karrierën prej aktori. Më në fund aktroj në gjuhën amtare.
Më habit që as pas shumë provave të leximit, regjisori nuk tha asgjë mbi vizionin e tij të shfaqjes, as që dha çfarëdo eksplikacioni. Përshtypja ime – ai është zanatli.
Telefonoj në Londër. Pyes për atë. M’u përgjigjen se kurrë nuk kanë dëgjuar për atë emër. Nuk kaloi asnjë javë dhe veç qarkullon barsoleta: ! Au – uh ! Na mbyti Bekimi, duke punuar me vetveten.”
Me ndihmën e lektorit, dr Rexhep Ismajli, ia dola që për dhjetë ditë ta zotëroj përkthimin e bukur dhe të begat të Hamletit në gjuhën shqipe nga Fan S. Noli.
Xhevad Qorraj, aktor i talentuar, nuk po përpiqet t’i lirohet theksimit jo të drejtë; ose, në vërejtjen e vogël rreth theksit logjik, primadona dhe aktorja e bukur sy zezë, Melihate Ajeti, reagoi ashpër. “Mos na mëso! Edhe ne dimë diçka.” Kam pritur bashkëpunim në ide dhe kritika konstruktive.
Gjatë një prove, Jang, nxënësen e gjimnazit, e cila e luante Ofelinë e quajti lopë. Askush nga të pranishmit këtë nuk e kuptoi, pos përkthyesit Nevruzit. Regjisori, në mënyrë makinale, më shikoi mua. Ia tërhoqa vërejtjen se ai është mysafir, se është paguar për punën e vet dhe të mos i fyejë kolegët, se unë këtë nuk do ta toleroj.
…Pas tri javësh pune, Jang nuk është i kënaqur. E rikujtova se ne nuk jemi aktorë anglezë.
– Nuk më intereson. S’ka kohë për të humbur!
– Kohë kemi mjaft.
– Unë s’kam. Më dy mars do të duhej të mbahet premiera, sepse më 4 nisin obligimet e mia të reja.
– Thatë me 2 mars?
– Po. Më tre udhëtoj. Kam kontratë të atillë. Jam i paguar që Hamletin ta xhiroj për gjashtë javë. Prandaj, ju lutem, vazhdojmë me provën. – Krejt m’u rrotullua në kokë.
Në zyrë, drejtori i vërtetoi fjalët e Jangut. E pyes si ka guxuar të nënshkruajë kontratë të tillë, kur e di çfarë soji jemi, kur deri më sot as vet nuk e ka mësuar tekstin e rolit? Përse më ka gënjyer? Përgjigjet ishin tipike “vetëqeverisëse”. – Unë këtë nuk mundem për gjashtë javë. Fatkeqësisht nuk i kam ato aftësitë e juaja! – thash dhe i nevrikosur shkova në hotel. Po mundohem të gjej përgjigje në pyetjen: përse? Kot! Cingëroi telefoni.
Drejtori pyet a mund të vijë në vizitë. Erdhi me sekretarin Lila. Më luten që ta vazhdoj punën dhe më bindin se premiera do të jetë më 5 prill. Pyetjes, çka me regjisorin, u përgjigjen: – Mos u merakos fare. Çdo gjë do të jetë në rregull!
Më mundonte fakti se prapa vetes e kam pas një bashkëpunim të pasuksesshëm me Azem Shkrelin. Si të lejoj të dështojë përpjekja edhe me teatrin? Si të bashkëpunoj me regjisorin arrogant, ndaj të cilit tek unë ekziston versioni?
Inspicienti, Basri Çitaku, i ftoi aktorët në skenë. Drejtori dhe sekretari u ulën pranë meje. Erdhi edhe regjisori Jang, e hodhi shikimin kah salla dhe në atë çast më vërejti. Nuk u ul. Nisi të shëtisë përpara skenës. Pas disa rrathëve, iu drejtua drejtorit, duke kërkuar që të më largojë nga salla. Ky nuk e kuptoi. Mezi u përmbajta. Në fund, në insistimin e Jangut, Nevruzi përktheu. Në ajër hetohej konsternacioni. Në skenë. Në sallë. U shtanguam. Pres reagimin e nikoqirit apo të ndonjë anëtari të teatrit. Qetësi. Në mua nisi të vlojë. Askush, ama bash askush, nuk e hapi gojën. Drejtori, në vend që t’i thotë: “Zotëri Jang, ju jeni të paguar të bëni regjinë, e kush do të ulet në sallë kjo është kompetenca ime”, në vend të kësaj – ai m’u drejtua mua.
– Bekim, të lutem, eja të dalim që të mos shpërthejë ndonjë skandal. Pa fjalë u ngrita. Tek porta i thashë:
– Aferim. Ta uroj!
Dola jashtë, në dritën e diellit me dhëmbë kah fundi i janarit. Çfarë njerëz janë, këta kolegët e mi? Ku e kanë dinjitetin, njerëzor, artistik? A ka mundur diç ngjashëm të ndodh në ndonjë teatër tjetër kombëtar? Kurrë në jetë nuk jam ndier aq i poshtëruar, aq i vetmuar. Gufoi lumi i zi i turbullt, i cili merrte me vete trupa të shkulur dhe cofëtinat e fryra i hidhte në breg… Ashtu bashkëpunimi ynë përfundoi palavdishëm.
Bisedë e vështirë me Uliksin
Vërej tek kolegët dhe shokët e mi: po ndryshojnë ngadalë, por sigurt.
Faliks Pashiq, kritik teatri, e ka punuar TV-emisionin “Si i ka pranuar Beogradi shqiptarët? “. A keni pasur ndonjë rast të keq apo telashe?”, pasuan pyetjet e Pashiqit. Përse Feliks Pashiq, gazetar i jashtëzakonshëm, me të cilin jam shoqëruar shpesh, nuk e ka bërë emisionin apo të paktën të shtronte pyetjen çfarë kontributi i japin shqiptarët Beogradit, nën muret e të cilit kanë luftuar për mbrojtjen dhe çlirimin e tij.
Besa është besë. Mendoj se kjo do të ishte temë interesante. Rezultatet e punës time në filma kanë qenë gëzim dhe krenari e të gjithë qytetarëve të RSFJ. Përmendja nga unë e emrit të Beogradit dhe Serbisë në filmin “Dezertori”, të Paramauntos, do të mbetet e shënuar përgjithmonë. Këtë e ka bërë shqiptari! Ai film me emrin e Beogradit, e ka kaluar gjithë botën. Për fat unë e kam pas një mundësi të tillë.
Derisa në Kosovë frika është futur tek njerëzit, tek shqiptarët në Beograd veç ishte ngulitur thellë. Bakoçeviq, politikan “për të gjitha kohërat”, tha: “Beogradi është qytet i lirë i të gjithë qytetarëve”. Njëkohësisht, vitrinat e shumë ëmbëltorëve të shqiptarëve ishin demoluar për disa herë me radhë. Djaloshi i ri, shqiptar, rri në hollin e kinemasë “Odeon”. E lus në shqip, për një qese leblebi dhe fara. Përgjigjet, me frikë në sy: “Nuk di të flas shqip!”
Erdha në shtëpi. Branka ma hapi derën. Është e shqetësuar. Thotë se Uliksi ka përjetuar shok në shkollë. Më lutet të jem i kujdesshëm. Në përshëndetjen time mezi u përgjigj.
– Thuaj babit – i tha butë Branka.
– Babi, a është e vërtetë se mjekja shqiptare, në Prishtinë, shtatzënave serbe e malaziase me rastin e lindjes po ua nxjerrë bebet nga stomaku?
– Kush ta ka thënë këtë?
– Arsimtarja e serbokroatishtes. Sot e kemi pas lëndën mësimore për poetin Esad Mekuli. Arsimtarja na tha: “Shikoni fëmijë çfarë poet i mrekullueshëm, kurse bashkëshortja e tij i mbyt fëmijët e pa-lindur serb e malazias… ”
– Jo, Uliks! Kjo nuk është e vërtetë. Kjo është rrenë! Ajo mjeke quhet Sadete Mekuli. Ajo edhe në këto momente i shëron dhe i lind serbët dhe shqiptarët. U ndihmon të gjitha grave. Sikur kjo të ishte e vërtetë, atë do ta arrestonin dhe kurrë më nuk do të mund të merrej me atë punë. Për atë fliten rrena, për shkak se natën ka shkuar nëpër rrugë me automobilin vet dhe i ka transportuar vajzat dhe djelmoshat shqiptarë, të cilët i ka arrestuar milicia, dhe i ka shëruar në spital. Më beso, Uliks, kjo është rrenë e vërtetë. Këtë mund t’ia thuash arsimtares tënde në fytyrë! Orteku i krijimit të urrejtjes ndaj shqiptarëve është futur edhe në bankat e shkollës. Rrenën mizore që e ka trilluar arsimtarja e kanë dëgjuar tridhjetë fëmijë… Tridhjetë familje kush e di me sa anëtarë. – Brano, shko në shkollë dhe bisedo… Në qoftë se shkoj unë do të ndodh gjithçka!
Prilli i thyer
Ditë shumë e nxehtë. Më takoi Xhemil Vraniqi, vëllai i shokut tim nga gjimnazi, Veliut. Më pyet nëse do të luaja në filmin francez “Prilli i thyer”, sipas romanit të Ismail Kadaresë, shkrimtarit të njohur evropian nga Shqipëria.
Skenari – i jashtëzakonshëm. E pranova, edhe pse ky ishte filmi i parë i regjisores franceze me prejardhje shqiptare, Lirije Begaj. Producent është Federik Miteran, djali i vëllait të presidentit të Francës, Fransoa Miteran… Ndihmësit të regjisorit dhe drejtorit të filmit u ndihmova gjatë ndarjes së roleve. I propozova kolegët nga Prishtina, Shkupi dhe Gjakova. Një rol është dashur ta luaj Milo Miranoviq nga JDP. I përgjigjej për mrekulli roli i malësorit.
Pos filmit dokumentar të Zdravko Velimiroviqit, askush nuk e ka prekur temën e gjakmarrjes. Ismail Kadare këtë e ka përshkruar në mënyrë brilante në romanin e tij të vendosur në kohën e sundimit të mbretit, Ahmet Zogut, në Shqipëri, më 1931, sipas të cilit tash po xhirohet filmi. Skenar kaq të mirë mbi gjakmarrjen, deri më tash nuk kam lexuar.
Frederik Miteran tri herë i ka shkruar A. Shkrelit dhe “Kosova filmit”, duke kërkuar bashkëpunim. Mbetet pa përgjigje. Ia ofroi edhe “Jadran filmit”. E pranuan. Mirëpo, meqë Batriq- Jovanoviq e shtroi çështjen dhe ngriti shumë pluhur në Kuvendin e RSFJ, si kroatët, respektivisht “Jadran filmi” guxon të xhirojë film mbi Musolinin me Xhorxh Skotin në rolin kryesor, “Jadran filmi” u tërhoq. Nuk deshi të ketë halle politike.
Të rinjtë shqiptarë, numri i të cilëve po shtohet nga dita në ditë, po i mundojnë nëpër burgje. Kontributin e psikozës antishqiptare e dha edhe Maqedonia. Ai është aq i fuqishëm, sa që shqiptarët ikën nga atje dhe erdhën në Kosovë. Në Tetovë autoritetet maqedonase morën vendimin që rreth të gjitha shtëpive shqiptare, nëpër katunde e qytete, të rrënohen rrethojat dhe muret, që janë pjesë e kulturës tradicionale të jetesës në ato hapësira. “Ky është rregullim i ri urbanistik”, thonë autoritetet shoviniste, për hapësirat në Maqedoninë Perëndimore, ku kryesisht jetojnë shqiptarët. Ekskavatorët, në përcjellje të milicisë, e filluan “punën e vet prej ndërtimtari “.
Kjo më prek gjithnjë e më shumë. Deri kur do të zgjas kjo? Po ndihem disi i përgjysmuar. Nuk di çfarë të bëj. Prandaj oferta për të xhiruar film në Francë erdhi në momentin e duhur.
Një natë para nisjes në rrugë, më lajmërohet kolegu nga Gjakova dhe pyet nëse po shkoj për xhirim në Francë. Ia konfirmova.
– Ministri ynë i Kulturës, Sali Nushi, na “ka këshilluar” të mos shkojmë. – Bëni sipas mendimit tuaj! – i thashë.
U iniciua një fushatë e madhe kundër Ismail Kadaresë, pas intervistës së tij mbi ngjarjet e përgjakshme në Kosovë. Pavarësisht nga deklaratat politike të Kadaresë, vendosa të shkoj dhe të marrë pjesë në xhirimin e filmit “Prilli i thyer”. Nuk më ka interesuar veprimtaria politike e Kadaresë, si as ajo e Ivo Andriqit, i cili më 1939 e ka shkruar programin e “zgjidhjes” së çështjes shqiptare në Kosovë.
Nobelisti i njohur jugosllav, Ivo Andriq, si ndihmësministër i Punëve të Jashtme, ka dhënë propozimin në çfarë mënyre Mbretëria e Jugosllavisë mund ta zgjidh atë problem.
“Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për pakicën arbanase në Kosovë, e cila në situatën e re më lehtë do të asimilohej. Ne do të fitonim edhe 200.000 – 300.000 arbanas, por ata kryesisht janë katolikë, ndërkaq marrëdhëniet e të cilëve me arbanasit myslimanë kurrë nuk kanë qenë të mira. Çështja e shpërnguljes së arbanasve myslimanë në Turqi ,gjithashtu do të ekzekutohej nën kushte të reja, sepse nuk do të kishte kurrfarë aksioni të fuqishëm për t’u penguar kjo.”
- I. 1939.
Ivo Andriq – ndihmësministër i Punëve të Jashtme
(Bogdan Krizman: Elaborati i doktor Ivo Andriqit mbi Shqipërinë nga viti 1939, revista për Historinë bashkëkohore. Zagreb, më 1977, faq. 89, numër 2.)
Po, me ndarjen e Shqipërisë çdo gjë do të zgjidhej më lehtë. Vërtetë nuk ia shoh shumë për të madhe këtij shkrimtari të madh. Ka qenë në pozitë të atillë, por megjithatë, thjeshtë më tërheq të them të paktën me shaka: “A edhe ti, bir Ivo?”
