Nënë Tereza, shqiptarja e përbotshme…

J L

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe

Nënë Tereza

Sa herë përkujton Nënë Terezën, skedon, kërkon burime të tjera, në kujtesë të vetëtijnë kujtime të dëgjuara apo të lexuara të dhimbjes njerëzore, qoftë dhe përtej së realitetit, mbushesh me motivin për të shkruar diçka për nyjen më të rëndësishme të njerëzimit, për dhimbjen, sepse të ndodh një dilemë e çuditshme. Kush e motivoi dhe ç’e ushqeu fuqinë e një gruaje të brishtë shqiptare, për t’u përfshirë, për t’u zhytur, për të marrë në jetën njerëzore të globit një “protagonizëm” të tillë, për t’i shërbyer dhe për të lehtësuar dhimbjen njerëzore, në cakun ekstrem ku vdekja shfaqej dhe shfaqet me “vullnetin” e saj më të ashpër? Kjo dilemë, të imponon për të kërkuar një histori të tillë bashkëshoqëruese si ajo e Nënë Terezës, që sado e kërkon nuk e gjen. Pastaj ka edhe një “dyshim” të çuditshëm në raportin e njeriut me ekzistencën, në raportin dhe mundësinë e komunikimit të një njeriu tokësor me perëndinë apo djalin e perëndisë Krishtin, sepse përmasa e kësaj nëne të botës e ka zhbërë teorinë e përmasës që ka metafora, ajo është një realitet.

Monografi i shquar i Nënë Terezës, publicisti dhe gazetari Renzo Allegri është përpjekur të depërtojë brenda botës dhe ndjeshmërisë së natyrshme të saj në disa gjendje jetësore dhe veprimtare të saj; dhe kur ajo ishte në ditët optimale, dhe kur ishte në udhëtimet e largëta, në mjediset dhe meshat kishtare, ku adhurohet dhe bisedohet me perënditë, dhe kur ishte pushim, dhe kur ishte në shtëpinë e shenjtë të Vatikanit, me njerëzit e thjeshtë të rrugës, dhe mes motrave të misionit të saj. Në të gjithë këtë marrëdhënie të saj, që përgjatëroi gjithë jetën, duket se një ‘sentencë’ e “Misionareve të Karitasit” na njofton një dimension interesant, sublim dhe që Nënë Tereza e mbarti gjithë jetën e saj, kur thuhet: “Ne Misionaret e Karitasit duhet të vuajmë së bashku me Krishtin”, metafora e të cilit ka në themelin e vet shërbimin që biri i perëndisë i bëri njerëzimit sakrificën për të tjerët. Siç edhe kuptohet, “sakrifica e Krishtit” ka qenë dhe ka mbetur një motiv i brendshëm mbijetues që e ka kurajuar Nënë Terezën dhe misionaret që kontribuan bashkë me të në veprimtarinë e saj në disa dekada.

Në personin e Nënë Terezës, ka diçka fatlumnisht të përafërt me daljen në dritë të Krishtit, si një njeri i njerëzimit dhe i perëndisë, një urë lidhëse mes tyre në mënyrë të përjetshme. Ka një diçka jetike dhe njerëzore, diçka tokësore si kumt i njerëzve të thjeshtë, të cilët perëndia i ka prerë për të qenë zëdhënësit/et e saj në tokë. Rrugëtimi jetësor i Nënë Terezës e tregon mjaft mirë këtë. Perëndia dhe Krishti kanë qenë një vegim i hershëm në shpirtin dhe zemrën e madhe të Nënë Terezës, por rruga e saj për ta bërë shërbesën e saj te njerëzit ka qenë e gjatë dhe e vështirë. I tillë ka qenë dhe formimi i saj, i përditshëm, i rast pas rasti, për shkakun e tendencës dhe veprimtarisë së saj për të ndihmuar njerëzit në të katër anët e globit, pa asnjë kufizim, vetëm me një formulë hyjnore, se të gjithë njerëzit, dhe ata që janë të veçuar nga shoqëria (lebrozët), dhe ata që janë në grahmat e fundit të jetës, janë të dashurit e Zotit. Kjo përbën një shkollë të përditshme, në të cilën ka mësuar Nënë Tereza dhe misonaret e tjera që e ndoqën nga pas. Dhe ashtu siç e njohu njerëzimi Nënë Terezën, qe kjo lidhje e fortë e saj me këto shtresa të dhimbshme të shoqërisë njerëzore, për ta parë atë si nën të njerëzimit.

E lindur në Shkup, në një familje të pasur shqiptare, por e përballur me dhimbjen familjare që në moshë të njomë, Gonxhe Bojaxhiu kishte një prirje për t’u gjendur pranë të varfërve. Ka qenë një thirrje e brendshme, si një njoftim, si një sinjal i ardhur nga lart, një dritë që i qëndronte ndezur në shpirt, në zemër dhe në sy kësaj vajze të brishtë, e cila hyri në komunikim me zonën e epërme të komunikimit hyjnor. Ajo tregon se në moshën 12-vjeçare, ka kuptuar se është për një mision të tillë. “Është e pamundur të përcaktosh kur të thërret Perëndia. Ka të ngjarë që prirja lind përmes një dialogu intim me Zotin dhe krijesës së Tij, i cili zhvillohet në thellësi të shpirtit dhe fillon qysh në çastin e parë të jetës”. Një jezuit, i ardhur nga India, ku ishte misionar, i cili flet për misionin e tij, e ka rrëmbyer vajzën e brishtë shqiptare, Gonxhe që në moshën fëminore.

Familja Bojaxhi dhe familjet e tjera shqiptar të Shkupit ishin të lidhura ngushtë me kishën katolike e sidomos me klerikët Ndre Mjeda, Shtjefen Gjecovi, Lazër Mjeda dhe Zef Ramaj famullitari i kishës, të cilët bujtnin në shtëpinë e tyre. Shpesh babai e këshillonte Gonxhen: “Bija ime, kurrë mos e shtie asnjë kafshatë në gojë pa e nda me të tjerët”.

Janë shkruar mjaft artikuj e libra monografikë për jetën dhe shenjtërimin e Nënë Terezës  por ende në to ka një zbrazëti të madhe. Në vitet ’90, së pari e takuam Nënë Terezën në Romë, në Vatikan, së bashku me Nermin Vlora Falaski, Tafë Previzi e Sinjor Fortina. Aty mësuam se të parët e saj e kishin origjinën nga Prizreni dhe ishin marrë me tregti, ndaj një pjesë e familjes Bojaxhi ishin vendosur në Shkup e të tjerë ne Shkodër e Misir.

Kolë Bojaxhiu në Shkup, vazhdoi traditën e tregtisë dhe u bë mjaft i njohur edhe në Selanik, Janinë, Nish e Stamboll, por edhe në Itali me firmën e famshme “Morten”, në Venedik. Marrja me tregti bëri që Kolë Bojaxhiu të shëtiste tërë Europën. Ajo kujtonte një çast të bukur historik, 28 Nëntorin e vitit 1912. Në shtëpinë e saj në Shkup, për të kremtuar këtë ditë të shënuar ishin mbledhur familjet shqiptare më në zë të qytetit si: Logoreci, Palucaj, Shkupi, Berisha, Naraçi etj. Atë natë në shtëpinë e tyre kishin bujtur edhe atdhetarët e njohur: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Sabri Qyteza etj. Ajo sillte ndër mend se babai i saj, Kolë Bojaxhiu zotëronte disa gjuhë të huaja: serbo-kroatisht, frëngjisht, turqisht, italisht, shqip dhe greqisht.

E lidhur fort me besimin, por dhe me punën dhe shkollën,  Nënë Tereza ka marrë një shkollim të mirë. E shkolluar për histori dhe gjeografi, ajo nuk ndiehet rehat. Shpirti i saj kërkon diçka tjetër, diçka që ta mbush dhe që shpirti i saj të bëhet njësh me të tjerëve, ashtu siç predikon shpirti dhe vepra e madhe e perëndisë dhe e Jezusit. Këtë porosi dhe vlerë hyjnore ajo e ka manifestuar gjatë gjithë jetës. E anuar nga publiciteti dhe kontaktet me gazetat botërore, punën dhe veprën e saj e vlerëson me një thjeshtësi të jashtëzakonshme. Ajo thotë: “Unë nuk jam veçse ditëbardhë në duart e Zotit. Nëse kam bërë diçka të mirë, nuk është merita ime. Unë kam ndjekur vetëm rrugën, dhe, sipas mundësive të mia, kam kryer mirë e më mirë thirrjen e Zotit. Prandaj nuk duhet të flitni për mua, por për Veprën, të cilën ma frymëzoi Perëndia”.

Rrugëtimi i Nënë Terezës është dramatik. I ati i saj është vrarë për shkaqe politike, i helmuar nga regjimi i Beogradit, për shkakun e lidhjes së fortë me historinë shqiptare. Me keqësimin e marrëdhënieve që familja e saj kishte në Shkup me pushtetet politike sllave, e ëma Drania dhe motra Argata detyrohen të ikin për të jetuar në Tiranë, ndërsa vëllai i saj Lazër Bojaxhiu, pas shkollimit jetoi deri në fundin e jetës në Itali. Gonxhe Bojaxhiu, në moshën 18-vjeçare, duke mos e përballur tundimin nga ndjesia dhe “thirrja” e perëndisë, vendos të hyjë në manastir. Bëhet murgeshë e Kongregacionit Loreto Abbey. Nënë Tereza deri në vitet ‘90-të ka foluar shumë pak për familjen e saj, veçmas për nënën dhe motrën që jetonin në Shqipëri, për shkakun e sistemit politik antibesim në Shqipëri. Gjithsesi, familja e saj, veçmas nëna dhe motra, të cilat u përballën me vuajtje të shumta dhe në Tiranë, mbetën një plagë e thellë në shpirtin e saj të madh. Në një letër që e ëma i shkruante asaj bie në sy lutja e saj për vajzën Gonxhe, e cila i kujtonte asaj: “Dua të të shoh para se të vdes. Është e vetmja lutje ime te Zoti!

Pavarësisht një shkollimi të mirë, thellësisht Nënë Tereza kuptonte se misioni i saj ishte jashtë manastireve dhe kolegjeve katolike, ku kishte dhënë mësim për gati 18 vjet, po kaq sa kishte pritur të bëhej shërbëtore e Zotit. Ajo donte të bindej, sepse parimi i rëndësishëm i jetës dhe edukatës në manastir ishte “të shenjtërohesh përmes bindjes”.

Jeta e Nënë Terezës dhe veprimtaria e saj ka treguar se atë e frymëzonin Jezusi dhe njerëzit e mirë në tokë. Gandi i Indisë ishte një shembull i shkëlqyer për ta motivuar nënën e njerëzve, e cila pëlqente dhe i shërbente njerëzimit përmes doktrinës fundamentale “jo dhunës”, një mishërim i këshillimit hyjnor për njerëzit në tokë. Për t’u përballur me një realitet të egër, jo vetëm në Indi, por në gjithë botën, asaj iu desh të frekuentonte “Ushtrimet shpirtërore”, të cilat kishin një bazë të hershme praktike për misionarët e perëndisë, në të cilin përmbaheshin meditime për vdekjen, mëkatin, qëllimet e fundit të ekzistencës dhe metoda praktike lutjesh, si dhe kontroll të ndërgjegjes. Pas një ushtrimoreje, ndoshta më të rëndësishmet, kur murgesha Nënë Tereza,  mësuesja e kolegjeve më të  mira të Indisë, në Darjelingun, një vend të lartë të këtij shteti, ajo kishte marrë mesazhin e qartë dhe kishte vendosut të ikte nga manastiri dhe të jetonte me të varfrit. Në vitin 1946 ajo braktis manastirin dhe jetën e luksit për t’u përballur me sfidën e përjetshme të saj mes të varfërve dhe njerëzve në nevojë.

Nënë Tereza është modeli i njeriut dhe personalitetit njerëzor, ku shquajnë treguesit themelorë, tiparet dhe vetitë e njeriut afër perëndisë, e cila konsiderohet e përkryer. Dalja në një lloj pavarësie institucionesh siç ishin kolegjet dhe manastiret përbëjnë një marrëdhënie tjetër me Jezusin dhe parimet hyjnore. Ajo thotë diku: “Unë e dija që Jezusi më “urdhëronte” të ikja nga manastiri. Pra, në thellësi të shpirtit tim “dija” se çfarë duhej të bëja, por nuk “dija” si ta bëja”. E sapodalë mes njerëzve të varfër, ajo ka një model të rëndësishëm. një model që lëshonte kumte nga qielli, për të cilën ajo flet me një adhurim të pafund. “Maria, e pranuar në qiell me trupin e vet, ishte pikërisht dëshmia e rëndësisë së trupit për të krishterët. Trupi, na mëson Kisha, është tempulli i Shpirtit të Shenjtë. Trupi do të shfaqet sërishmi i ndritshëm. Jezusi përmes dashurisë dhe vdekjes, i ka shpëtuar njerëzit, pra trupat dhe shpirtrat”, – thotë Nënë Tereza.  Dhe jeta e saj ndryshe, jashtë manastirit është një sfidë e vërtetë e një “hyjneshe” në tokë. Ajo tregon: “Ndryshimi ka qenë shumë i rëndë. Në manastir jetoja pa i njohur vështirësitë. Nuk më mungonte asgjë. Tani gjithçka është ndryshe. Flija ku të mundja; haja çfarë hanin ata, për të cilët kujdesesha. E zgjodha këtë jetë, për të zbatuar në praktikë Ungjillin në shpirtin dhe vendin e tij, sidomos atje ku thotë:”Isha i uritur dhe më dhatë të haja, isha lakuriq dhe më veshët, isha i burgosur dhe erdhët të më gjeni”.

Veprimtaria e Nënë Terezës nisi në lagjet e varfra, ku pllakoste varfëria, sëmundjet, krimi, uria të Kalkutës. Sfida e saj filloi kur ajo ishte e vetme në misionin e saj të përjetshëm. Ajo kishte parimin për të qenë atje ku vuajtja njerëzore ishte e pashpresë, atje ku i varfëri dhe i sëmuri ishin braktisur nga të gjithë. Krah saj filluan të vijnë dhe murgeshat e tjera, të kolegjit ku ajo kishte dhënë mësim.  Duke e konsideruar vdekjen sikur të kthehej në shtëpi, ky moment merr një rëndësi të madhe në veprimtarinë e saj humane. E quajtur “shtëpia e moribndëve”, ajo bashkë me murgeshat e tjera të misionit, kryesisht të strehës së përkohshme të njerëzve që vdisnin rrugëve pa një njeri para syve në këtë moment të fundit të jetës. Kalkuta ishte një varrezë e hapur, vdekjet nuk kontrolloheshin dot.

Fëmijët e braktisur kanë mbetur një dramë dhe tragjedi e trishtueshme në historinë e botës. Kjo ishte dhe mbeti një dhimbje e përjetshme e Nënë Terezës. Në vështrimin e saj, ajo e konsideron të tillë këtë dramë: “Drama e fëmijëve të braktisur është një ndër dramat pakuptim. Asnjë kafshë nuk e braktis pjellën e vet. Në kundërshtim me ta, njeriu e bën këtë gjë…”. E përkushtuar për jetën, nën shembullin e shenjtë të shembujve hyjnor, pasi dhe misionin e saj Nënë Tereza e filloi në Krishtlindjet e vitit 1948, ajo u kthye në një lloj shprese për këta fatkeqë, që shfaqen në të gjithë globin, kështu që, kur ajo thotë se: “Unë jam nëna e mijëra fëmijëve të braktisur (duke i mbledhur në trotuare, në koshat e plehrave, në rrugë etj), pa dyshim, kumti hyjnor i jetës është aty.

Po ashtu edhe një shtresë tjetër e shoqërisë, e cila për shkakun e një sëmundje të rëndë si lebroza, gjeti një ndihmesë të madhe në misionaret e Nënë Terezës, për të cilat ajo ka një gjykim realist, të mbështetur në parimet kristiane, përballë 4 milionë lebrozëve, për të cilët thotë: “Këta njerëz ishin fëmijët e Perëndisë, njësoj si të gjithë njerëzit e tjerë. Jezusi kishte vdekur mbi një kryq për ta, sepse ata dalloheshin nga vuajtjet e tmerrshme dhe jetonin në kushte të këqija jetese”. Nënë Tereza dhe misionaret e saj jetuan intensivisht dhe me një dhimbje të përjetueshme dramën e gjithë shoqërisë njerëzore të kohës së saj, duke qenë edhe një nga arsyet se deri në vitin 1992 ajo kishte rreth vetes dhe misionit të saj 3500 murgesha, të cilat jetonin në 445 qendra të mëdha të shpërndara në 92 vende të botës, për t’i dhënë ndihmë shtresës së varfër të globit.

Përmes parimit fundamental, mbi të cilin u ngrit gjithë ajo që ajo bëri për botën se “Pasuria jonë është varfëria!”, e ktheu atë në Nënën e Botës, një nga njerëzit me autoritetin absolut të humanizmit dhe mbështetjes që nga Vatikani e deri në liderët politik të botës. Përgjatë regjimit totalitar në Shqipëri, pakëz Nënë Terezë e kemi pasur në Shqipëri. Shumë personalitete të dijes dhe të kulturës e dinin këtë fakt, e njihnin Justina Shkupin, dhe pse ishin të shtrënguar ta mbanin të fshehur. Mjafton të sjell një ngjarje interesante, e cila edhe pse ka ndodhur pas viteve ‘90-të, ajo ka një lidhje të qartë me periudhën totalitare. Kur, pas viteve ‘90-të Nënë Tereza erdhi në Tiranë, mua më telefonoi Jorgjia Truja (shoqe klase me Nermin Vlorën), e cila më thotë, se Nënë Tereza kërkon varrin e Justina Shkupit. Justina Shkupin e kisha takuar disa herë me Petro Markon. Më krijoi një sadisfaksion të madh ky moment. Kisha dëgjuar se Nënë Tereza kishte mbetur zemërthyer për nënën dhe motrën e saj në Tiranë. Madje dija se ajo kishte tentuar t’i merrte jashtë vendit, përmes ambasadës franceze në Tiranë, por nuk kishte mundur, edhe pse për familjen kishte folur shumë pak, dhe nuk kishte dhënë informacion kurrë. Petro  Marko e kishte shumë të njohur Justinën, luftëtaren e brigadave antifashiste të Spanjës, mikeshën e nënës dhe motrës së saj.

Mbaja mend edhe një rast tjetër, kur Petro Marko më thotë, se do të shkojmë te Justina. Petro Marko e konsideronte Justinën një heroinë, një infermiere e rrallë në spitalin e Tiranës. Kur vajtëm te shtëpia e saj, ajo sapo e pa Petron, i tha: – Ah, vëllai im Petro, kam qenë shumë rëndë kësaj radhe, por duket më kanë bërë mirë ilaçet”. Petro e shihte me një dashamirësi të madhe, dhe ajo e kuptonte ndjesinë e njeriut të madh të letrave shqipe, brenda të cilit qëndronte edhe një shpirt brilant njeriu. Justina vazhdoi t’i tregonte akoma Petros: – Unë tashmë nuk jam vetëm, shoqet më blenë një pasqyrë të bukur. Sa herë shoh pasqyrën flas me to! Në krah të pasqyrës kishte një foto, ku shquhej Nënë Tereza, foto e bërë në Shkup, në fëmijërinë e tyre.

Petro Marko kishte një nderim të jashtëzakonshëm për familjen e Nënë Terezës në Tiranë, duke ditur sa e vështirë ishte dhe për njërën palë edhe për palën tjetër. Mbaj mend, kur Petro Marko botoi romanin “Nata e Ustikës”, shkuam së bashku të merrnim honorarin te shtëpia botuese. Ai mbajti vetëm 2 mijë lekë të vjetra, të tjera i përdori për varrin e Justina Shkupit. Për Justina Shkupin ka detyrim një komb i tërë, thoshte ai, pasi krahas veprës së shquar që ka bërë i ati i saj, i cili në vitin 1912 ka ngritur flamurin në Shkup, vetë Justina ishte një humane e jashtëzakonshme, pa llogaritur veprën e përbotshme të Nënë Terezës së Kalkutës. Dhe pas takimit me Nënë Terezën dhe misionaret e saj te rruga “Budi”, së bashku me Nënë Terezën shkuam në varreza, ku ajo bëri nderime për Justina Shkupin, duke shqiptuar fjalët: “Motër, ti i fale jetën njerëzimit se i fole me zërin e lirisë”.

Nënë Tereza u nderua në gjithë botën me çmime dhe tituj honorifikë, ajo pati një autoritet shpirtëror të pallogaritshëm, ndërsa në vitin 1979 laurohet me Çmimin Nobel për Paqe. Pak vite më parë Vatikani e shpalli një nga shenjtoret e tij të përjetshme. Sa herë sjellim ndër mend këtë madhështi të Nënë Terezës dhe veprës së saj humane edhe çastet e lumturimit të saj me marrjen e Çmimit Nobel për Paqen, më 11 dhjetor 1979, kur deklaron botërisht me krenari për origjinën  saj shqiptare:

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqyptar. Shumë luti Zotin që Paqja e tij të vijë në zemrat tona, në gjithë familjet tona, në gjithë botën. Lutem shumë për fukaratë e mij dhe për mua dhe motrat e mia. Unë lutem për juve.

M. Tereza Bojaxhi”

Pas këtij çasti, emri i Nënë Terezës u bë i përbotshëm si një shqiptare e madhe. Presidenti i SHBA – Bill Klinton në qershor 2002 deklaroi: “Nënë Tereza ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar. dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të Lirisë”.

Tiranë- Vlorë, gusht 2019

Share This Article
3 Comments
  • Nene Tereza dhe Papa Vojtila jane dy ENGJEJT MBROJTES te Kosoves martire.
    Ate qe nuk e beri DHIA E ZGJEBOSUR ME BISHTIN PERPJETE(shqiperia e enver hoxhes) e beri Kosova.Ne vitin 1979 me bie ne dore nje numur i gazetes Rilindja te Prishtines,me nje alamet perkushtimi kushtuar shqiptares nobeliste Nene Tereza e Kalkutes,lindur ne Shkup si Gonxhe Bojaxhi.
    Ketu vetem heshtje varri,cmire e zeze.
    Enver hoxha po kalbej me paranojen e vet,.
    Ai qe degjonte edhe pordhen e nje shqiptari jasht sketerres qe kishte sajuar,bente sikur nuk e perfillte nene Terezen.E torturonte me nenen dhe motren qe kishte lene ketu.Dobicin paranojak e brente cmira e zeze per famen e nene Terezes.
    Pse hesht Bardhosh Gace per keto maskaralleqe qe i punoi DHIA ZGJEBOSUR ME BISHTIN PERPJETE,,apo je nga keta gjys opingat qe solli enveri gjylo cucit ne Tirane?

  • Profesor -doktorat duhen te meren me shkence , nese vertet e meritojne ate titull . Perndryshe ka te tjera “variante “, si prift , hoxhe , baba teqeje ,”ate katolik” a si i thone , budist , jahova , murg , etj etj , mashtrruea , qe me zotin nuk kane asnje lidhje .

  • Me flani se dija, kush ka vulle aty, ne gazeten “Dita”qe te tillet duan te na e bejne”nate”.Komentet e mia akoma i fshini…me cudisni..sidomos ata, ‘gjysme opingat”, e bene shqiperine-shqiperi..”IVONI”komentues-pershendetie….
    Dhimbia e madhe popull.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *