Neni 7, ”arma bërthamore” e BE-së kundër Hungarisë së Orbanit

DITA Online

 

Neni 7 i BE-së, i aktivizuar të mërkurën nga eurodeputetët kundër Hungarisë, është procedura më radikale kundër një vendi që nuk respekton rregullat europiane, që në teori mund të sjellë një pezullim të së drejtës së votës.

Ky mekanizëm, që ishte aktivizuar deri tani vetëm kundër Polonisë (me iniciativë të Komisionit Europian), konsiderohet si alternativa e fundit përballë një vendi që kryen shkelje të rënda dhe të vazhduara të vlerave të BE-së, përfshirë këtu edhe ato për shtetin e së drejtës.

Neni 7 cilësohet shpesh herë si “arma bërthamore”, institucionale, sepse në fund mund të sjellë një pezullim të të drejtës së votës në Këshillin e BE-së, institucioni ku 28 vendet punojnë për përgatitjen e legjislacionit europian.

Në krahasim, procedurat për shkelje që mund të ndërmarrë Komisioni kundër vendeve që shkelin ligjet e BE-së, shumë më të shpeshta, në fund mund të sjellin vetëm sanksione financiare.

Por, neni 7, që eurodeputetët kërkuan të mërkurën që të aktivizohet gjatë një votimi në Strasburg (448 vota pro, 197 kundër, 48 abstenim) është vetëm në fazën që quhet parandaluese dhe ende nuk ka arritur në atë që parashikon sanksione.

Ky mekanizëm paraprak synon që të bëjë konstatimin zyrtar se ka një rrezik real për shkelje të rëndë të vlerave europiane në Hungari, sikurse e vlerëson Parlamenti Europian për shkak të shumë reformave të qeverisë së konservatorit, Viktor Orban.

Pas kërkesës së eurodeputetëve të mërkurën, i takon krerëve të shteteve anëtare që të miratojnë këtë konstatim me një votë prej katër të pestave të anëtarëve të Këshillit (institucioni që mbledh 28 vendet, minus vendin e prekur).

Nëse Hungaria nuk i plotëson shqetësimet e BE-së pas një vote të tillë, një mekanizëm që quhet “sanksione” mund të aktivizohet me kërkesë të një grupi shtetesh anëtare apo të Komisionit.

Të mbledhur në samit, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së (pa përfshirë vendin e prekur) duhet të votojnë njëzëri që ekziston një “shkelje e rëndë dhe e vazhduar” e vlerave europiane në Hungari dhe jo vetëm një “rrezik” për shkelje.

Nëse kjo etapë kalohet, vendet anëtare mblidhen në nivel ministrash për të miratuar sanksionet, përfshirë pezullimin e së drejtës së votës për Hungarinë.

a.s/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *