Nënshkruhet kontrata për fillimin e ndërtimit të segmentit Qukës-QafëPlloç

Dita

U firmos sot midis Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe kompanive Joint VentureSintram Albania dhe Combined Group kontrata e fillimit të punimeve për segmentin Qukës – QafëPlloç.

“Sot konkludojmë kontratën  për punimet në rrugën Qukës-Qafëplloç, një vepër e rëndësishme e infrastrukturës rrugore shqiptare, një segment shumë i rëndësishëm i Korridorit 8-të, që përmirëson ndjeshëm lidhjet e Shqipërisë me fqinjët jugorë dhe jug-lindor, e veçanërisht i shërben ekonomisë dhe turizmit të zonës, por i shërben shumë edhe punësimit të gjithë banorëve të zonës së Quksit, Mokrës dhe Pogradecit, pasi është një vepër e cila kërkon angazhime të mëdha si në fuqi inxhinierike ashtu edhe në kapital njerëzor për realizimin e saj” – tha Ministri Haxhinasto.

Ministri vuri theksin në rëndësinë që ka aplikimi i standardeve dhe cilësisë në punimet e këtij segmenti, duke kërkuar nga kompanitë që të dorëzojnë veprën brenda afateve dhe me standardin me të lartë dhe u shpreh se do të aplikohet monitorimi rigoroz gjatë ndërtimit të kësaj vepre. “Rrjeti ynë rrugor tashmë është në fazën e standardizimit, të rritjes së cilësisë së tij, pasi qytetarët dhe  ekonomia e vendit sot kërkojnë nivelin më të lartë të cilësisë të shërbimit në rrugë. Për herë të parë në këtë vepër do të aplikojmë standard të ri, me gjerësi të rrugës 12 metra” – tha ai.

Projekti i ndërtimit të rrugës Qukës – Qafë e Plloçës, pjesë e korridorit rrugor Tiranë – Korçë (Korridori VIII), së bashku me ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan do të sigurojë një lidhje më të shpejtë midis portit të Durrësit e vendeve të tjera të Ballkanit, duke e bërë Shqipërinë vend më të përshtatshëm për të kryer tranzitin e transportit nga vendet e Ballkanit drejt Evropës dhe anasjelltas. Kjo rrugë shërben, gjithashtu, si një bypass për qytetin e Pogradecit, një nga kryeqendrat turistike të Shqipërisë Juglindore, duke shmangur kështu ndotjen e qytetit dhe liqenit, si pasojë e tranzitit të mjeteve të rënda, duke çuar në rritjen e komoditetin turistik në këtë rajon duke sjellë rritjen e numrit të turistëve.

Gjatësia e segmentit Qukës – Qafë e Plloçës është 43.4 km, me kosto totale të projektit rreth 152.75 milionë USD dhe financim të  Bankës Islamike për Zhvillim (IDB), Fondit Saudit për Zhvillim (SFD) dhe Qeverisë Shqiptare. Kohezgjatja e realizimit te ketij projekti eshte 3 vjet plus 1 vit garanci punimesh. Puna parashikohen  të fillojnë në Maj 2015.

 

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *