Pas vitesh të tëra diskutimesh, propozimesh e debatesh, Federata Shqiptare e Futbollit organizoi sot takimin e parë serioz dhe konkret me qëllim diskutimin e krijimit të Ligës Profesioniste të futbollit në Shqipëri. Në prezencën e përfaqësueseve të klubeve të elitës së futbollit shqiptar, nën drejtimin e kreut të FSHF-së, Armand Duka.
Ashtu sikurse ishte njoftuar nga vetë drejtuesit përkatës, në këtë mbledhje kanë munguar përfaqësuesit e klubit të Kukësit dhe të Flamurtarit, ndërkohë që përfaqësoheshin tetë klubet e tjera, të cilat gjithashtu kanë firmosur për krijimin e Ligës.
Një iniciativë, që në vend që të vinte me kërkesën e vetë klubeve, të cilat supozohet të jenë strukturat direkte të interesuara dhe përfituese, edhe një herë tjetër, është menaxhuar dhe administruar si një nismë e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Si një institucion dhe strukturë e re, në futbollin shqiptar, Liga Profesioniste, shfaq shumë të panjohura në mënyrën e funksionimit, përgjegjësive, detyrimeve dhe rregullave, ndonëse synimi kryesor për krijimin e saj është rritja e nivelit të menaxhimit të garës sportive, çka do të sillte një produkt më cilësor për sportdashësit i cili rrjedhimisht do të prodhonte më shumë të ardhura edhe për klubet.
Sikurse bëhet me dije nga drejtuesit e FSHF-së, Liga Profesioniste do të jetë zyrtarisht aktive për funksionim duke nisur nga data 1 tetor 2017, kur do të bëhet edhe regjistrimi i saj në Gjykatë, ndërkohë që më datë 30 do të zhvillohet Asambleja e Ligës Profesionistë, e cila do të miratojë strukturën dhe organet e saj drejtuese.
Pas kërkesës për anëtarësim, në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së në mars të 2018-ës, Liga do të jetë zyrtarisht anëtare e Federatës Shqiptare të Futbollit.
