Teksa dalldia e festimeve të njëqindvjetorit të pavarësisë i ka dehur të gjithë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të zi e kudo ku ka shqiptarë, zëra të kthjellët dëgjohen më rrallë se kurrë, të mbytur nga kore brohoritjesh emocionale të një tifozerie masive që ka pushtuar çdo cep të hapësirës publike. Duke nisur prej politikanëve, analistëve, gazetarëve, e me rradhë shkrimtarë, artistë, sportistë, humoristë, prestigjatorë, ustallarë, prostituta, tutorë, skafistë, spaçatorë deri tek i fundit qytetar a përdorues droge nga profesionet e mësipërm, shihet e njëjta gjuhë, që ripërsërititet në të njëjtën mënyrë si një refren i mësuar mirë përmendësh, pa patur nevojë t’ia dimë kuptimin. “Katërkëmbësh mirë, dykëmbësh keq”, – është formula e duhur divulgative, e riprodhuar nga Orwell-i, në gjuhën e “Fermës së kafshëve”. Kjo është e vetmja mënyrë sesi delet mund të motivohen të përvetësojnë artin e të qenit popull.
Ajo që mungon seriozisht në këtë 100 vjetor, e që mungon në çdo përvjetor festiv, të cilitdo lloji tek shqiptarët, është klima e nevojshme për reflektim. Mungon kultivimi i vetëdijes së kthjellët mbi rrugën e përshkruar deri më tani dhe mbi atë që mbetet në vijim. Sot pas 100 vjetëve, historia e shqiptarëve mbetet ende e pazbardhur dhe, si kurrë më parë, një mollë sherri tejet e kafshuar dhe mbllaçitur në debatin publik. Akoma dhe më e ngatërruar është e ardhmja e shqiptarëve, paqartësinë e së cilës, secili sipas rradakes së vet, përpiqet ta projektojë tashmë tek një idhull i ri që quhet Europë, por pa ditur se si e qysh. E megjithatë, ne festojmë. Si gjithmonë, pa e ditur qartë motivin e festës, siç kemi bërë rregullisht për ditë vere, vit të ri, netët e bardha, e me rradhë. Arsyeja pse festojmë nuk qendron tek festa. Për shqiptarët, festa nuk ka fare rëndësi, rëndësi ka të festuarit. Kjo është shenjë e gatishmërisë së individit shqiptar për t’u përfshirë në turmë, për t’u shkrirë me të, në mungesë të një identiteti dhe vetëdijeje individuale. Kjo është shenjë e dorëheqjes prej mendimit në shoqërinë shqiptare. Ajo çfarë njerëzit duan, është të mos mendojnë. Ndryshe nuk kanë sesi ta përballojnë brazëtinë e tyre.
Patriotizëm erotik
Këngëtarët janë sot semaforët që sinkronizojnë lëvizjet uniforme të pakuptimta të turmave. Ata janë si policë trafiku që i orjentojnë turmat për atje ku urdhërojnë padronët e tyre. Artistët, masivisht janë sot tellallët më të mirë të pushteteve. I sheh të rendin në çdo fushatë politike, për të bërë të mundur përmbushjen e oreksit të popullit për argëtim. Nuk besoj se ka njdonjë vend ku mercenarizmi artistik gjendet në një shkallë të tillë inflacioni e masivizimi. Me pesë lekë në Shqipëri mund të blesh tërë armatën e figurinave karikatureske që nxijnë faqet e rubrikave gossip. Në përpjestime të frikshme, muzika këtu nuk është gjë tjetër vetëm se industria e rrjetave të peshkimit të turmave për hesap të pushtetit politik, ekonomik, kulturor a ideologjik.
Masa dërrmuese e artistëve, e sidomos muzikantëve sot në Shqipëri zotërojnë një kulturë të cekët e sipërfaqësore. Në një masë jo të vogël madje, ata vijnë nga shtresat më të paarsimuara të shoqërisë. Shumica prej tyre nuk ka asnjë bindje, ideal apo orientim, shoqëror, kulturor, ideologjik a estetik. Ata kanë vetëm nuhatjen për të ndjekur trendin e pushtetit duke riprodhuar atë çfarë kërkohet në main stream. Detyra e tyre është të përvetësojnë e riprodhojnë skemat, formulat, klishetë, stereotipet, duke i ripërsëritur ato pafundësisht, derisa deleve t’u nguliten mirë në mendje: ‘’Katërkëmbësh mirë, dykëmbësh keq’’. Kjo është arsyeja përse një mori hitesh muzikore me subjekt Pavarësinë e Shqipërisë, kanë vërshuar këta muaj nga do lloj çingieje të ekraneve shqiptare. Patriotizmi është bërë befas në modë dhe duhet integruar doemos në menynë e përditshme në pazarin e tingullit.
Duke nisur që nga adoleshentët repistë që promovojnë modelin e horrit halabak të lagjeve apo ekuivalentit të tij femëror, që promovon kurvërinë si modelin ideal për jetën njerëzore, e që në mungesë të tingullit, shet më shumë imazhet fizike të linjave harkore që u fal kirurgjia plastike… të gjithë janë turrur tashmë të pozojnë plot bujë patriotizin e tyre të zellshëm. Shqiponja e shkretë ka shëtitur gjatë këtyre muajve, në mënyrë inflamative nëpër mijëra hapësira trupore nga më patetiket dhe më intimet, në ekranet televizive apo kibernetike, duke u shndërruar në një aksesor dekorativ pornografik nga më erektivët të momentit.
Nëse përmbledh kolazhe tekstesh apo edhe imazhesh nga ikonografia e këngëtarëve në vijimësi mund të krijosh kontraste fantastike në komizmin e tyre. Nuk di sesi mund të integrosh në një profil tangat, kofshët femërore apo gjinjtë e ekspozuara pornografikisht mbi banaqe pub-esh e brigje plazhesh me përkrenaren e Skënderbeut, mjekrën e bardhë të Ismail Qemalit apo siluetën e shamisë mbi kryet e Nënë Terezës. Kjo mund të ndodhë vetëm në gjellën e përditshme të artit barbar me të cilin ushqehen shqiptarët.
Por nuk është vetëm muzika, i tillë është thuajse kudo realiteti shqiptar. Muzika është vetëm demonstrim, në mos kuzhinë, e turlisë shqiptare, të gatuar në kushtet e një kaotizmi infomativ e kulturor, që përplas dhe ngjiz tek individi copëza ndikimesh pa lidhje, të cilat formulojnë paradoksalitetin shqiptar në çdo skaj. Për ta konkretizuar, më thonë se në shkollën 9-vjeçare Osman Myderrizi stafi pedagogjik organizon një festë për fëmijët me rastin e 100 vjetorit, duke kënduar këngën më të fundit të Adrian Gaxha-s, «Ngjyra e kuqe fort i ngjan». E kuqja, së cilës i këndohet këtu, është ngjyra e tangave në të ndenjurat femërore që intrigon imagjinatën erektive të audiencës mashkullore, e cila sot tërheq më shumë se ngjyra e flamurit, ndonëse përcjellin të njëjtën frekuencë valore të dritës. Nuk dihet nëse kërkesat patriotike të drejtorisë janë aq minimaliste sa të mjaftohen me përmendjen e ngjyrës së kuqe në tekst (shoqëruar kjo edhe me një sens minimalizmi edukativ duke pasur parasysh moshën e audiencës), apo nëse shijet ideo-estetike të drejtuesve të shkollës prodhojnë ndonjë asosacion në subkoshiencë midis tangave që kënga kërkon të ulë dhe llojit tjetër të pëlurës së kuqe, që Ismail Qemali e ngriti demonstrativisht në Vlorë, por dihet me siguri se ky skandal i shkon për mrekulli paradoksalitetit shqiptar gjenial. Konotacionet që rrjedhin prej këndej mund të ofrojnë një subjekt për vepra të tëra letrare, të përfshirjes së erotizmit në patriotizëm dhe patriotizmit në erotikë, në një dialektikë të tillë ulje-ngritjesh flakëruese.
Larg festës
Përkundër gjithë kësaj panorame, një këngë e nxjerrë së fundmi nga grupi Jericho, duket se ka vendosur ta prishë perfeksionin e këtij paradoksaliteti. Kënga synon të prodhojë një emocion krejt ndryshe, një emocion të vërtetë që nuk provokon hare dhe fishekzjarre, as shpalosje krenarish fodulle e krekosje e bajate që demonstrojnë forcën e munguar ndaj armiqve, madje nuk ofron as ekspozime qesharake statujash pompoze që fanepsen masivisht si objekte totemike mbi kafkat bosh të shqiptarëve të sotëm. Kënga e quhet «Nëntor i ftohtë» dhe ka vendosur një tjetër dimension përkujtimi mbi këtë datë të rëndësishme të një fati jopak dramatik siç është ai i shqiptarëve. Në mes të këzaj zhurmaje të nxehtë nga bataret e ekzaltimit masiv grupi Jericho, – pa dyshim, grupi më i mirë i rock-ut shqiptar aktualisht, i cili, ndër të tjera i ka kushtuar prej vitesh pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij ndjeshmërisë mbi problemet e kombit dhe shoqërisë shqiptare, – na solli një zë të kthjellët që mundohet të godasë ndërgjegjen njerëzore mbi realitetin e vërtetë të rrugës që kemi përshkuar deri më tani. Jericho-t kanë hequr dorë nga festimet, duke na sjellë një copëz reflektimi mbi fatet e këtij kombi. E në këto kushte, kënga nuk mund të mos zgjojë trishtim dhe revoltë, përkundër haresë apo krekosjes festive të nacionalizmit futbollistik që dyndet jashtë në turma.
A ka një kujtim të më ngrohë, në këtë ditë për mua?
A ka ndonjë udhë e si burrë ta kthejë kokën t’shikojë?
A ka një kujtim, të na japë një kuptim, a s’më thua?
A më tregoni, ku ta gjej forcën sot të këndoj?
Akoma të freskët e kam at shikim të përbuzjes
Akoma të freskët të ftohtin e dhimbjes në asht
Akoma të freskta edhe gjurmët që këmbët i lanë rrugës
Syri më mbeti i ngrirë në shtëpinë që më kurrë nuk e pashë
Ky është patriotizmi i vërtetë, patriotizmi analkolik i mendjeve dhe zemrave të kthjellëta që arrijnë të ndjejnë temperaturen e vërtetë të mjedisit ku jetojnë. Ky është patriotizmi i njerëzve që nuk projektojnë kombin tek vetja si një tatuazh i modës, por projektohen tek kombi, duke gjetur aty një motiv të mirë për të ndërtuar shtëpinë e përbashkët. Ky është nacionalizmi që u mungon shqiptarëve, nacionalizmi që kërkon një projekt të vërtetë për kombin, një projekt që synon të ndërtojë vlerat themelore të një shoqërie të shëndetshme. E ky është një projekt krejt tjetër nga ai që paraqet histeria e turmave të etura për spektakël, të hipnotizuara nga prestigjatorët e pushtetit ideologjik e kulturor, që na rrëfejnë legjenda folklorike, ëndërra boshe.