Nëpër burgjet fashiste, nga Korça në Porto Romano

DITA Online

 

Dhimitra (Buqo) Gjoka

Quhej “Porto Romano”, nuk e di pse, ai vend në rrethin e Durrësit, ku fashistët italianë ngritën një kamp përqendrimi, me qëllim që të izolonin dhe asgjësonin elementët revolucionarë e patriotë, të cilët luftonin për dëbimin e okupatorit. Nuk jam në dijeni, sa të pafajshëm, antifashistë, patriotë e komunistë u torturuan e u asgjësuan në këtë kamp, nga fashistët italianë. Do tregoj vetëm kujtimet dhe eksperiencën time.

Arrestimi

Në pranverë të vitit 1943 armiku pësoi goditje të mëdha nga njësitet guerile të qytetit dhe forcat partizane jo vetëm në qarkun e Korçës por në gjithë Shqipërinë. Të tërbuar nga disfatat dhe shtrirja gjithnjë e më shumë e luftës nacionalçlirimtare, fashistët vendosën që të bënin arrestime në masë dhe në këtë mënyrë të kapnin e të asgjësonin udhëheqësit e Partisë e të luftës. Kjo ishte një nga format për arritjen e qëllimit të tij për të krijuar panik në popull e për të dekujaruar aktivistët e rezistencës antifashiste.

Komiteti Qarkor i Partisë u informua se do të bëheshin kontrolle dhe për të mbrojtur shokët, lajmëroi të merrnin masa për të mos rënë në dorë të armikut. Kështu u bë dhe shumë nga shokët e shoqet nuk flinin në shtëpitë e tyre, por në popull, në familje që nuk dihej se merrnin pjesë në luftën nacionalçlirimtare. Kështu bëra edhe unë. Rreth orës 9 në mbrëmjen e datës 20 mars 1943 u rrethua i gjithë qyteti dhe filluan kontrollet njëkohësisht në të gjitha lagjet e qytetit. Fashistët, kishin disa emra të atyre që kishin zbuluar se ishin komunistë, antifashistë ose aktivistë të luftës, por kur nuk i gjenin në shtëpi arrestonin pjestarë të tjerë të familjes: nënën, babanë, motrën apo vëllanë. 140 vetë u arrestuan në Korçë gjatë këtij rrethimi. Kjo gjendje vazhdoi 4 ditë. Qyteti i gjithë ishte në alarm, por populli i mbrojti shumë nga shokët e shoqet, pjestarë të luftës. Unë u strehova në një familje ku u mendua se fashistëve nuk do tu shkonte në mend që të më kërkonin. Atëherë kishte një urdhëresë, që çdo familje të kishte të afishuar mbrapa derës listen e pjestarëve të familjes. Familja ku unë u strehova para pak kohësh kishte martuar një vajzë, pra unë do të qëndroja si vajza e tyre. Por për çudinë tonë një skuadër kontrolli erdhi më kërkoi me emër. “Myftari” (kryeplaku i lagjes) që i shoqëronte, Dhimitër (Mitkë) Dishnica mbasi qe informuar se ku isha fshehur unë, i udhëhoqi fashistët të më kapnin dhe kështu u bë. U befasova dhe nuk munda të largohem nga shtëpia megjithëse masat i kasha marrë. Myftari i lagjes, që bashkëpunonte me fashistët, i ndihmoi ata të kapnin disa shokë e shoqe në lagjen tonë. Në atë kohë asnjeri nuk e dinte se çfarë do të bëhej me të burgosurit, por një gjë ishte e sigurtë se, dokumenta për aktivitetin tonë, fashistët e veglat e tyre nuk kishin. Të burgosurit ishin me bindje e pikpamje politike të ndryshme, gjithashtu dhe me aktivitet e pa aktivitet. Kishte komunistë, të rinj komunistë, antifashistë e patriotë, prindër partizanësh, por kishte edhe ballistë e spiunë, sarafë, tregtarë etj. Nga celula e jonë ishim tre vetë: unë, Marika Leshnja e Stathulla Zeqo. Nga grupet edukative të partisë ishte Shega Uçi, kurse nga të rejat komuniste Dhurata Kërënxhi, Eleni Mitace, Menkë Vërleni. Aktiviste të tjera ishin Vanthi Karoli, Dhora Karoli me gjithë djalin, Piron e vogël, Jalldëz Myteveli me gjithë vajzën Floreshën e cila më vonë u vra partizane, Aliqi Shamo etj. Nga celulat e tjera ishin Vaskë Nasi, Skënder Gjata, të rinj komunistë ishin: Dhori Shkodrani, Koci Sherko, Pandi Allabashi, Ylli Poloska, Skënder Dedi, Misto Nuke, etj. Te tjere antifashistë, patriotë e pa parti ishin: Isuf Gjata, Hysen Meteveli, Sotir Koci, Kristaq Cepo, Skënder Vila, Petraq Pepo, Vani Furxhiu, Sabri Vërleni, Kristaq Faberi, Sado Pojani, etj. Nga tregëtarët u arestuan Pandi Nova, i cili u provua që qe spiun (Ky mbas çlirimit mori pjesë në një grup armiqësor dhe u pushkatua), Petraq Katroja, Qazim Frashëri (ose Sarafi), Telo Kondili e disa të tjerë të cilët nuk kishin të bënin fare me luftën antifashiste. U arestuan edhe persona të tjerë si Batua serektar i Prefekturës, dr. Konduri, Foto Bala i biri i prefektit, Dhimitër ose Loni Kristo, disa ballistë e social demoraktë, Shpresa Frashëri e Lirika Plluska e plot të tjerë, të cilët jo vetëm që nuk ishin antifashistë por fashistët i arestuan për qëllime të tjera, që nuk kishin të bënin aspak me luftën.

Me këto arrestime armiku nuk ia arriti qëllimit për të dekurajuar popullin, përkundrazi popullin e revoltoi dhe e nxiti për një pjesëmarrje më aktive e më të gjërë në luftën nacionalçlirimitare gjë që e vërtetoi vetë koha.

Në burg në Korçë

Si burg fashistët përdornin ish internatin (konviktin e liceut të Korçës). Në atë godinë ku kishin jetuar dhe mësonin të rinj të ardhur nga gjithë Shqipëria tani u bë burg për patriotët dhe antifashistët. Na izoluan nga gjithë bota, nuk merrnim kontakt me asnjë njeri dhe nuk furnizoheshim as me ushqime e shtresa nga familjet. Shega Uçi kish dy djem të vegjël Alfredin dhe Maksin, i shoqi ishte në internim në Itali, fëmijët e saj mbetën vetëm. S’ka dyshim se shoqet e shokët u kujdesën për ta, por nëna i la vetëm. Në njërën prej atyre ditëve duke u munduar të shihnim nga dritarja e vetme që kishim, të cilës i pengohej shikimi nga muri i lartë rrethues, hipnin në supin e njëra tjetrës dhe shihnim përjashta. Nuk më kujtohet se kush i kishte sjellë djemtë e Shegës aty, të cilët thërrisnin nënën. Ne të gjitha u rrëqethëm, por nëna trime u jepte kurajo dhe porosi, megjithëse zëri i saj nuk arrinte deri atje. Ky ishte takimi i fundit i Shegës me djemtë deri sa ajo u arratis nga kampi i Burrelit dhe u takua me ata në mal tek partizanët. Unë po në atë mënyrë pashë motrën, Gallatën me teto Efigjenin (tetka i thoshim ne), të cilat kishin ardhur të na jepnin ndonjë plaçkë e ndonjë gjë për të ngrënë. Këto ishin fytyrat e fundit që pamë nga njerëzit e lirë deri sa përfundoi internimi. Jeta në burg ishte shumë e rëndë. Gdhiheshim gjithë natën pa gjumë, sepse as që kishim ku flinim, por edhe sepse fashistët gjithë natën vazhdonin presionet e torturat si të tërbuar, bënin zhurmë të madhe dhe sillnin të arrestuar të rinj. Kur na morën në pyetje kërkonin që ne të tregonim shoqet e shokët, të pohonim se merrnim pjesë aktive në luftë. Sipas udhëzimeve që kishim nga Partia duhej të mohonim çdo gjë. Prandaj unë mohova çdo gjë që ata donin të pohoja, duke thënë se lëvizjet e shumta me pako e plaçka në shtëpinë time bëheshim për të qepur rroba, gjë që shpesh herë as klientët nuk i njihja. Por pati edhe tortura më të rënda. Një shok mbasi e rrahën e xhveshën lakuriq dhe për tërë natën e mbajtën të mbyllur ashtu lakuriq në nevojtoren e burgut e cila ishte pis prej ditësh duke qenë e përdorur nga të gjithë të burgosurit. Megjithë këto kushte qëndrimi i të burgosurve ishte i mirë, morali i tyre i lartë. Nuk pati asnjë tradhëti.

Internimi

Në datën 4 prill 1943 që në orët e para të mëngjezit, në burg u dëgjua një zhurmë e madhe. Në koridoret e burgut, duke përplasur fort këmbët, lëviznin karabinierët të armatosur dhe me kamzhik në duar. Na urdhëruan të dilnim pa zhurmë nga burgu dhe të hipnim në kamiona. Ne protestuam dhe kërkuam shpjegim, por jo vetëm nuk na u përgjigjën, por na shtynë e na kërcënuan duke na kaluar midis dy rreshtave me karabinierët bërë gardh deri në makinë. Gjatë gjithë kohës që nga momenti që na zgjuan ishim shumë të tronditur.

Nuk mund të harroj kurrë emocionin që ndjeva kur po largoheshim nga qyteti, nga Korça jonë e dashur, nga shokët e nga shoqet, nga populli që na donte. Gjatë rrugës menduam shumë gjëra. Na vinte keq për Korçën, për shokët e shoqet, për të afërmit që nuk do ti shihnim më, por mbi të gjitha na vinte keq kur mendonim se kjo burgosje na mënjanonte nga aktiviteti revolucionar dhe ishim shkëputur nga lufta. Veprimtaria që bënim, mbështetja e njerëzve që na donin dhe që përkrahnin aktivitetin tonë dhe padyshim orientimet që mernim nga Partia, na kishin edukuar që kudo dhe në çfarëdo kushtesh që të ndodheshim të ruanim vetëmohimin, qëndrueshmërinë, vendosmërinë dhe të ishim të gatshëm deri në sakrificën supreme. Ideali për të cilin ishim angazhuar ishte mbi ekzistencën tonë personale. Luftonim për çlirimin e atdheut nga okupatori dhe për çlirimin e të gjithë shoqërisë nga shtypja sociale dhe nga skamja. Ne ishim të përgatitur shpirtërisht dhe psikologjikisht, se edhe në kushtet e burgimit e të internimit të vazhdonim luftën. Këto mësime dhe idetë na dhanë forcën dhe ne i vumë vehtes detyrë që të qëndronim lart moralisht dhe për më tepër të jepnim shembullin personal tek të burgosurit e tjerë. Pasi e biseduam me të tria shoqet dhe diskutuam për situatën e krijuar vendosëm për detyrat që na dilnin dhe punën e filluam që gjatë rrugës. Mëngjesi na zuri në udhëtim. Pas disa ndalesave u hap fjala se po na çonin në Durrës, po që nga Durrësi për ku do të na nisnin? Në Itali apo në Porto Romano. Asgjë nuk dinim. Shpesh herë na shkonte nëpër mend se mund të ndalonin diku e mund të na pushkatonin. Kishte nga të burgosurit të lidhur dy e nga dy me zinxhirë. Ne mendonim se ata ishin më keq se ne, që nuk ishim të lidhura. Nga mesdita iu afruam Durrësit. Por kamionët me të burgosur nuk hynë në qytet por u kthyen në një rrugë në të djathtë. Për ne u bë e qartë se po na shpinin në Porto Romano. Do fillonte për ne jeta e të internuarve brenda kampeve fashiste ose edhe mund të na pushkatonin që në kamp.

Kampi fashist i përqendrimit

Kampi Porto Romano nuk ishte si kampet fashiste të shfarosjes në masë, por sidoqoftë ishte kamp përqendrimi armik dhe i pari në vendin tonë, prandaj dhe shqetësimi ishte i madh. Ai ishte vendosur në një fushë të rrethuar me tela me gjemba. Fusha gjendej rrëzë një kodre, përpara shtrihej këneta e Durrësit dhe deti Adriatik. Komunikimi ishte i mundshëm vetëm përmes së vetmes rrugë, e cila ruhej nga forcat e armatosura. Në çdo qoshe të rrethimit ishin ndërtuar kulla betoni, në të cilat qëndronin rojet e armatosur. Brenda këtij rrethi, në distancë nga 1 deri 1, 5 m, ishte vendosur një tel tjetër i ndarë në pjesë të vogla që i vinte rrotull gjithë kampit. Këto ndarje në kunja hekuri i shërbenin për të lidhur qentë të cilët kishin një zinxhir të gjatë sa të takoheshin me njeri tjetrin. Qentë i vendosnin çdo natë, shpesh i linin edhe ditën. Në këtë mënyrë ishte e pamundur t’i afroheshe rrethimit e të dilje. Në hyrje të kampit ndodheshin disa ndërtesa një katëshe që shërbenin për administratën e kampit dhe fjetoret e mensat e rojeve. Më vonë pranë tyre ndërtuan dhe burgun e kampit, disa qeli ku torturoheshin ata, që silleshin të rinj, komunistë e të tjerë që konsideroheshin të rrezikshëm. Nasi (Gjoka) thoshte se edhe Margarita me Kristaq Tutulanin u suallën e u torturuan atje. Po kështu në një qoshe të kampit u ndërtua një burg tjetër izolimi, ku u futën ata që treguan aktivitet më të madh në kamp. Burgu përbëhej nga një dhomë e cila në gjysmën e lartësisë ishte i ndarë me një dysheme me dërrasa. Në secilën prej kateve mund të qëndronin 15 deri 16 vetë. Kjo ndërtesë kishte një oborr të vogël dhe ruhej në mënyrë të veçantë duke e izoluar nga pjesa tjetër e kampit. Brenda kampit ishin ndërtuar Baraka të gjata e të mëdha të vendosura me radhë dhe në të djathtë pak më larg një barakë e madhe për gratë e izoluara me tela nga pjesa tjetër. Barakat e burrave ishin të ndara me kate me dysheme dërrase në gjysmën e lartësisë. Dritaret ishin të vogla dhe në lartësi gjë që e bënte të pamundur që të shihje se çfarë ndodhte përjashta.

Njohja me të internuarit e tjerë dhe organizimi

Kur kamionët hynë në kamp ne dalluam në dritaret e barakave disa fytyra njerëzish të cilët na shihnin me sy të tmerruar. Në fillim na u dukën si të marrë dhe menduam se atje do të ishte ndonjë spital të çmëndurish, ku ne na shpinin për të na mbytur. Kur u njohëm me ta pamë se ata ishin të internuar nga popujt e Jugosllavisë, kosovarë, maqedonas e të tjerë nga Shqipëria. Përveç nesh sollën të burgosur nga Vlora, Gjirokastra, Elbasani, Durrësi, Dibra, Fieri, Tirana etj. Edhe nga qarqet e tjera kishin sjellë komunistë si psh. nga Gjirokastra Gaqo Floqin e Halim Budon, nga Vlora Ymer Alikon e Hito Çakon kurse pjesa tjetër e të internuarve ishte e përzier. Nga Korça kishte patriotë, antifasishtë por edhe ballistë e tregtarë e spiunë. Nga Dibra ishte Bexhet Doda i cili mbante një qëndrim të paepur. Ishin edhe dy vajza kosovare bashkë me babanë e tyre por emrat e tyre nuk i mbaj mend. Midis të internuarve përveç tregtarëve dhe elementëve të tjerë borgjezë, ballistë, çetnikët dhe reaksionarët e tjerë, SIM-i kishte futur edhe agjentët e tij.

Ne komunistet, të vendosura siç ishim për të vazhduar luftën menjëherë u mblodhëm dhe shtruam problemin e organizimit të rezistencës. Kuptohet se neve nuk e njihnim të gjitha njëra tjetrën, prandaj punën e filluam midis të njohurave. Unë njihja Dhurata Kërënxhi dhe Eleni Mitace (dëshmore) sepse këto vinin të mësonin për të qepur në shtëpinë time dhe kishim krijuar lidhje për punën që bëhej me të rejat që mësonin për të qepur. Eleni ishte vajzë e shkathët dhe e vendosur, e patrembur dhe e pa përtueshme. Nëpërmjet Elenit njohëm dhe të tjerat të rejat komuniste. Me Shega Uçin kishim qenë në një grup edukativ, unë dhe Marika Papi, prandaj me atë nuk e kishim të vështirë komunikimin e hapur. Vanthi Karolin gjithashtu e kishim aktiviste që punonte në lagjen e saj. Tani mbetej të njiheshim me shokët. Unë njihja vetëm Manol Konomin, por ai ishte i mendimit se nuk duhej të punonim, por duhej të ruheshim sepse kishte disa lista për të na liruar, ndërsa lëvizja jonë mund të bëhej shkak që të mos na lironin. Ai e shtronte problemin se ishte më mire të na lironin se të rrinim brenda në burg. Kështu që shokët nuk na mbështetën por ne vazhduam punën tonë me gratë dhe bënim me ato biseda për tu rritur moralin. Me jugosllavet mbanim marrëdhënie miqësore duke pasur parasysh eksperiencën tonë dhe fakti që përbëria ishte heterogjene, ne mundoheshim ti njihnim, megjithëse s’ua dinim gjuhën. Mbas një jave gjendja ndryshoi. Në kamp erdhi një grup tjetër nga Korça. Ne morëm kontakt me disa shokë që njihnim. Këtë grup e internuan sepse atë ditë që na internuan ne, në qytet u organizua një demonstrate e madhe proteste ku pjesëmarrja ishte kryesisht me gra e të rinj. Fashistët kishin shtënë me armë kundër demonstruesve dhe plagosën disa prej tyre. Në grupin që erdhi ishte dhe Nasi Gjoka, komunist që me grupet komuniste dhe anëtar i Partisë me një here me themelimin e saj. Ai u shqua që në fillim dhe kërkoi e krijoi lidhje me Marika Leshnja (Papi), nga e cila u informua për gjendjen në barakën e grave dhe dha udhëzime se si ne të punonim. Në radhë të parë ne u mblodhëm si celulë dhe caktuam detyrat. Kuptohet se atje detyrat ishin të kufizuara, por sidoqoftë edhe atje duhej organizim. Shoqet menduan që detyrën e sekretares së organizatës bazë të partisë ta kryeja unë, Marika do të merrej me organizimin e Gruas dhe problemet ekonomike të grupit. Ajo si nikoqire që ishte çdo gjë që kishim ose pakot që vinin në kamp i ndante me drejtësi të madhe, gjë që i kënaqte të gjitha të burgosurat. Stathulla merrej me rininë. Detyrat tona kryesore në ato kushte ishin të mbanim lart moralin e të internuarve, të sqaronim situatat që krijoheshin çdo ditë në kamp, duke interpretuar dhe parrullat që përhapte vetë armiku. Neve duhej ti rezistonim çdo shantazhi, kërcënimi e torture, të kundërshtonim çdo gjë që donin të na impononin fashistët. Mbledhjen e celulës e bënim rregullisht, diskutonim e merrnim vendime. Mbanim lidhje të rregullta me shokët. Morëm kontakt edhe me jugosllavet, maqedonaset e kosovaret. Në kamp u bë gjithashtu një punë e organizuar për ngritjen tonë ideopolitike. Këto probleme i trajtonim në mbledhje të celulës, në biseda e diskutime me njëri-tjetrin, përdornim edhe material të shkruar. Një rol me rëndësi në këtë drejtim luajti buletini i Kampit “Arma e të njoftuarit” i cili përgatitej dhe shpërndahej në mënyrë të fshehtë. U bënë disa përkthime nga libra të futur ilegalisht nga të internuarit jugosllavë në thasët e ushqimeve sepse duhet thënë që atyre u ishte lejuar të merrnin me vete disa thasë me sallo, proshutë etj. , të cilat ja shtonin ushqimit. Letra për tërë këtë material që shkruhej sigurohej nga pakot me ushqime. Interesante është dhe forma si përgatitej dhe si shpërndahej ky material. Letrën e pakove mbasi e hekurosja natën në shtrat poshtë mbulesës e qepja në formë fletoreje dhe ua dorëzoja shokëve duke e futur në mes të këmishëve që ne ua lanim, ua hekurosnim dhe u kthenim të palosura.

Lidhjet me shokët jashtë kampit u krijuan nëpërmjet shoferit të makinës që furnizonte me ujë të pishëm, sepse uji tjetër që përdorej për të larë ishte i kripur nga deti. Të mbaje lidhje me jashtë ishte një punë e rrezikshme dhe e guximshme prandaj kryhej me shkathtësi, kujdes e kurajo. Komiteti Qarkor i Durrësit punoi mjaft mirë për të krijuar këto lidhje. Lajme nga jashtë sillnin dhe të internuarit e rinj që sillnin kohë mbas kohe. Këto lajme na jepnin forcë.

Kur erdhi lajmi se nga burgu i Tiranës qenë arratisur gjithë ata shokë, shpërtheu gëzim i madh në tërë kampin. Por kishte edhe lajme që kërkonin interpretim. Herë pas here na binte në dorë fletushka e fashos “Bashkimi i Kombit”. Kur u shpërnda Internacionalja e III – të kjo gazetë botoi në faqe të parë një fotografi të Stalinit dhe një lajm fare të thatë. Menjëherë ne u mblodhëm e komentuam dhe nxorëm në thelb po atë konkluzion që nxori dhe partia.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *