Nëpërmjet “derës” së mjekut, në rrugën e bukur të shkrimtarit Aristidh P. Kolia: “Stacioni i poezisë së shkrimtarit Izet Çulli është atdhedashuria”

J L

Nga DHIMITËR SHTËMBARI

 

Ndërsa ishim duke pirë kafen e zakonshme të mëngjesit, dikush vjen dhe, ende pa na përshëndetur, na drejtohet:

– Mirë tani që jeni bashkë, por pasi të ngriheni, si do ta shtyni kohën?!

Shokut tonë, shkrimtarit, Izet Çulli, kjo pyetje e beftë iu duk tepër fyese. Sapo e dëgjoi, iu drejtua me ton serioz:

– Dhe ju kujtoni se ne vërtet shtyjmë kohën?!

Me sa u kuptua, i porsaardhuri nuk e pat pritur këtë lloj ndërhyrjeje të shokut tonë. Dhe, si për ta zbutur paksa atë çka kishte shprehur, vazhdoi më tej:

– Epo, pensionist hesapi jemi, shoku Izet! Kur thua “pensionist” nënkuptohet se çfarë duhet menduar…

Disi i prekur në sedër, Izeti e ftoi të ulej në një nga ulëset aty pranë dhe, pasi e pa të ishte pranë, nisi t’i shpjegojë, se “pensionist” nuk do të thotë parazit shoqëror dhe as “njeri i nxjerrë jashtë defterit”!

– Ka mjaft njerëz të moshës sonë që sot vazhdojnë të jenë në krye të detyrave më të vështira shkencore, or mik! – iu drejtua atij që kishte folur pa takt.

Dhe vazhdoi më tej:

– Njerëz të moshës sonë vazhdojnë të drejtojnë botën, apo nuk është kështu?

Tjetri dëgjonte. Nuk ishte e vështirë të kuptohej, se i qe dhënë një mësim i mirë.

Vet Izeti gjendet përditë në proces mendimi dhe veprimi të pandërprerë. Deri tani ka botuar mbi 75 vëllime me poezi për të rritur e për fëmijë, si dhe me fabula e përralla. Vetëm gjatë dekadës së fundit ka botuar rreth 25 libra studimorë e artistikë.

Izet Çulli së bashku me Prof. Moikom Zeqo, gazetarin Bedri Islami dhe fabulistin Kastriot Hadëri

Pas studimeve të larta, në universitetin e jetës

 

Në vitin 1967 Izet Çulli mbaroi me rezultate të mira studimet e larta në Tiranë në fakultetin e mjekësisë. Edhe pse ishte nga Tepelena, konkretisht nga fshati Progonat, ministria e Shëndetësisë e emëroi mjek në qytetin e Lushnjes.

– Ishte fat i madh për mua që emërohesha në spitalin e Lushnjes, sepse aty do të gjeja mjek me shumë emër, si Ihsan Çabej, kirurgët Qirjako Lesho e Skënder Hoxha, mjekët e pasionuar Koli Prifti, Afërdita Turku, Manushaqe Nova, Vangjel Stambolliu, Fatbardh Deliallisi, Prrenjo e Vasilika Ymeri e disa të tjerë.

Idealist siç ishte, mjeku i ri nisi e vazhdoi të punonte pa njohur orar. Ato javët e para i qëndronte pranë mjekut gjirokastrit, Çabej. Shihte te ai, siç shprehet Izeti, një psikolog të vërtetë. Gjatë intervistës me të sëmurin, doktor Çabej ndërtonte biseda tepër intime. Sepse kështu, me sa shihej, arrinte të zbulonte shkaqet e sëmundjes dhe të përcaktonte diagnoza të sakta.

Ja, si çiraku prapa ustait – edhe Izeti. Nisi e vazhdoi si doktor Çabej. Mirëpo… zanati nuk paskej patur fund.

– Para një jave keni vizituar pacientin H., i keni dhënë edhe ilaçe, po sot si është gjendja shëndetësore e tij? – i qe drejtuar një ditë Çabej.

– Ç’t’ju them, doktor! Nuk e di… Besoj se i sëmuri do të vijë përsëri dhe do ta mësojmë gjendjen e tij shëndetësore…

Doktor Çabej e pat shikuar në sy sikur të donte t’i thoshte: “Puna e mjekut vetëm sa fillon me vizitën, por ajo vazhdon me kujdesin në familje dhe mbaron kur i sëmuri shërohet plotësisht”.

– Si mendoni ju se duhet të veproj? – i qe drejtuar mjeku i ri doktor Çabejit.

– Ja ku është lagjja, djalë; pesë hapa më tej është. Bëjini vizita në shtëpi dhe do ta ndjeni të lehtësuar ndërgjegjen prej mjeku.

– Që në ato hapat e mia të para doktor Çabej më pat dhënë një mësim të mirë, – shprehet mjeku Izet Çulli.

Pas studimeve të larta në Tiranë, tashmë Izeti kishte nisur universitetin e jetës.

Izet Çulli në Stamboll, duke bërë homazh para varrit të Sami Frashërit

Ndihesha keq ndonjëherë me ndonjë nga shokët e mi, që ishte “qen i lekut”

 

Neuropsikiatri Izet Çulli është nga ata mjekë, që i gëzohet një pensioni të zakonshëm, një apartamenti të thjeshtë diku aty ku ka qenë Parku i Autobuzave në Tiranë, si dhe një nipi e një mbese.

– Dija edhe unë se si mund të bëja lekë gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit, – na thotë Izeti, – por nuk veprova si disa prej shokëve të mi, që kanë vënë goxha prona e pasuri!

Gjatë një bisede të lirshme, bërë kohë më parë, doktor Izeti na pat treguar:

Teksa isha në shtëpi aty në Tepelenë, më njoftojnë se duhej të shkoja me nxitim në një familje në një fshat të largët. Deri diku udhëtova me autoambulancë, ndërsa deri thellë në fshat m’u desh të lëvizja nëpër baltë.

Në shtëpinë e të sëmurës më pritën me ankth tërë pjesëtarët e familjes, që ndiheshin shumë të shqetësuar për fatin e asaj që lëngonte. E vizitova dhe atypëraty e mjekova me barnat që kisha me vete. Në fund, para se të nisesha për t’u kthyer, bashkëshorti i të sëmurës më pyeti për shpërblimin! “Shpërblimin e marrë te paga mujore që më jep shteti” iu drejtova.

Dhe u largova.

Të nesërmen i thashë bashkëshortes të blinte diçka, duke marrë lekë në portofolin tim. “Ja, po marrë këtë mijëshen që paske në xhepin e palltos” më thotë ajo. “Mijëshen në xhepin e palltos?!” iu drejtova i habitur.

E kuptova. Bashkëshorti i të sëmurës, krejt fshehurazi, më kishte futur ato lekë në një nga xhepat e palltos! “Po nisem për te e sëmura, grua, – i drejtohem time shoqe. – Ta vizitoj e ta mjekoj, por t’í kthej edhe lekët”.

Dhe ndërsa tregon këtë ndodhi, e mbyll:

– E kam pas ndjerë veten keq me një nga shokët e mi, që është qeni i lekut!

 

Teksa luftonim për të shpëtuar jetën e Shkurte Pal Vatës

 

Ardhja e një aksionisteje të plagosur rëndë shkaktoi një shqetësim masiv te të gjithë mjekët e spitalit të Lushnjes. Shumë shpejt u mor vesh se një vajzë e re, malësore, ishte aksidentuar rëndë teksa punonte diku në sektorin e Dushkut të Hekurudhës Rrogozhinë – Fier.

– Isha i ri në moshë dhe po kështu, shumë i ri edhe si mjek, – tregon Izeti. Mjekët e talentuar Qirjako Lesho e Skënder Hoxha nxituan të vinin në gatishmëri të plotë pavionin e kirurgjisë.

– Operacioni do të jetë i gjatë dhe i vështirë, prandaj nevojitet gjak i bollshëm, – pat ngritur zërin doktor Qirjakoja.

E ç’mund të bëja unë, një mjek i ri siç isha, para tërë atyre doktorëve me përvojë! Gjithsesi, m’u gjend edhe mua një detyrë: m’u dha urdhër që të shkoja në spitalin e Beratit për të marrë një sasi gjaku. Edhe pse e vjetër, ambulanca, fluturoi për në qytetin fqinj. Kur u ktheva, kirurgët i gjeta duke punuar mbi trupin e dëmtuar rëndë të aksionistes pesëmbëdhjetëvjeçare.

Ndërkohë, autoritetet më të larta shëndetësore, partiake e shtetërore ndiqnin me shumë shqetësim gjendjen e të plagosurës.

Dhe dihet tashmë fati i çikës nga fshati Pecaj i Dukagjinit. Ajo nuk mundi të mbijetojë edhe pse asgjë nuk iu la mangut.

– Gjatë punës që u bë për shpëtimin e jetës së vajzës malësore pash me sytë e mi, se cili ishte shpirti i vërtetë human i mjekëve, – tregon Izeti. – Gjatë atyre çasteve më bëhej sikur më fliste vet Hipokrati.

 

I “sëmurë” për drejtshkrimin e gjuhës shqipe

 

Njihen shumë shkrimtarë të shquar botërorë, madje edhe Nobel – istë, ardhur në letërsi nga fusha e mjekësisë. Shembuj të kësaj natyre ka edhe në Shqipëri.

Njëri prej tyre është edhe heroi i shkrimit tonë, neuropsikiatri Izet Çulli.

U ndodhëm të pranishëm gjatë një bisede telefonike mes Izetit dhe pedagogut të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, Prof. Bardhosh Gaçe:

– Doktor Izeti; kam menduar t’ju jap për korrektim letrar një libër me studime letrare në fushë të poezisë, a jeni i lirë ta kryeni këtë punë?

Izeti e dëgjoi me shumë respekt mikun e tij të hershëm dhe, pa u menduar gjatë, ia ktheu:

– Ky është një nder për mua, por… ju keni tërë ata pedagogë të letërsisë në Universitet, kështu që …

– Po, po; janë disa, madje shumë të aftë, por unë ju kam përzgjedhur juve. Jeni dakord?

– Faleminderit, profesor!

Në rolin e korrektorit, doktor Izeti i ka korrektuar Prof. Bardhoshit disa  libra. Ka redaktuar e korrektuar edhe mjaft libra autorësh të tjerë.

Po përse e lakmojnë për korrektor shkrimtarin Izet Çulli?

E lakmojnë, se ky është i “sëmurë” për drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Nuk lejon fjalë të huaja. E njeh dhe e zbaton shumë mirë normën letrare. Përdor shumë mirë sinonimet, duke i kushtuar rëndësi edhe fjalëformimit.

Izet Çulli gjatë një takimi me shkrimtarin e njohur grek, Dino Kubatis

Me kontribut modest edhe në fushën e studimeve shkencore mjekësore

 

Në veprimtarinë e vet mjekësore prej plot një gjysmë shekulli (1967 – 2017) neuropsikiatri Izet Çuli ka pas botuar që para vitit 1990. Kështu, në vitin 1984 ka pas botuar, me bashkautor, librin studimor “Sëmundjet nervore e mendore të moshës parashkollore e shkollore”’.

Dy vjet më pas ka botuar librin tjetër studimor “Kur flasim për shëndetin”.  “Komat dhe urgjencat neurologjike (tekst universitar)”, botuar në vitin 1988.  “Goditjet në kokë dhe pasojat e tyre”, (me bashkautor), do të ishte libri tjetër me interes shkencor.

Veprimtarinë shkencore ky neuropsikiatër do ta vazhdonte edhe mbas viteve nëntëdhjetë. Në vitin 2003 do të botonte librin “Në çeltirën e shëndetit. I”, ndërsa katër vjet më vonë do të botonte librin e dytë: “Në çeltirën e shëndetit II”.

Ndërkohë, janë të shumë artikujt shkencorë të botuar në buletine të ndryshme shkencore dhe në disa prej organeve të shtypit të përditshëm.

 

Në mbi 75 vëllime poetike ka sprovë mjeshtërore

 

Në qoftë se disa ankohen, se nuk kanë me se ta shtyjnë kohën e lirë, me  shkrimtarin Izet Çulli ngjet krejt ndryshe.

– Nuk gjej dot kohë për aq shumë punë sa kam nëpër duar! – na drejtohet. – Veç ndonjë shkrimi për gazetat e përditshme, kam nëpër duar tre vëllime që planifikoj t’i përfundoj gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm…

Dikush që e dëgjon të flasë kështu, mund ta marrë për mburravec, por nuk është aspak kështu. Do të ishte një listë e gjatë po të shënonim një për një të gjitha vëllimet poetike të këtij shkrimtari. Të shumta janë vëllimet me fabula, për të cilët ka marrë përgëzime deri edhe nga shkrimtarë shumë të njohur.

– Nga e merrnin frymëzimin që shkruani e shkruani pa ndërprerje? – i drejtohemi këtij fabulisti të mirënjohur.

Izeti na dëgjon, ve buzën në gaz dhe, ashtu, me atë zërin e tij të ulët e të butë, na e kthen:

– Më kanë frymëzuar fëmijët, më kanë frymëzuar sidomos nipi im i dashur – Aristotel dhe mbesa ime e ëmbël – Livja.

Janë rreth 20 vëllime me poezi dhe me përralla për fëmijë, të botuara këto në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Madje disa syresh janë përkthyer edhe në anglisht, frëngjisht, italisht e greqisht.

 

I shpërblyer moralisht për çka i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap letërsisë

 

Krijimtaria letrare e Izet Çullit është vlerësuar, madje është nderuar edhe me çmime të ndryshme. Ka fituar Çmimin “Tasim Gjokutaj”, akorduar nga “Toena” në vitin 2002.

Ka fituar Çmimin e parë me librin humoristik “Fajin nuk e ka pasqyra”.

Ka merituar Çmimin e tretë “Nënë Tereza”, akorduar në Selanik në vitin 2005.

Po kështu, ka merituar në Athinë një Çmim të tretë për një libër me fabula të zgjedhura.

Falë punës që ka kryer si neuropsikiatër dhe si shkrimtar, Izet Çulli ka merituar, ndërkohë, edhe mjaft vlerësime, plotësisht të merituara.

Në vitin 1986 i është dhënë Çertifikatë Mirënjohjeje “Për shërbim të mirë të popullit”.

Në vitin 2002 është shpallur “Personalitet i shquar i Qarkut Gjirokastër”.

Një vit më vonë i është dhënë titulli “Veprimtar i dalluar i Shoqatës “Labëria””.

Në vitin 2014 ka merituar titullin “Nder i komunës Frashër”.

Si figurë e shquar, në vitin 2015 është shpallur “Qytetar Nderi i Tepelenës”.

Katër vjet më pas i është dhënë “Çertifikatë mirënjohjeje” nga ana e bashkisë së Divjakës.

 

*     *     *

 

Shkrimtari i njohur Izet Çulli karakterizohet nga një vullnet i hekurt në punën e vet si poet, bashkuar kjo edhe me talentin e tij të spikatur si krijues.

– Edhe kur jam në një veprimtari çfarëdo, – na thotë Izeti, – lapsin dhe bllokun e shënimeve i mbaj me vete. Se motivet letrare më vijnë si zogjtë dhe mua më duhet t’i kap sapo që t’i shikoj që fluturojnë në qiellin e fantazisë sime.

Le ta mbyllim këtë shkrim me një fragment të parathënies në librin poetik “Shpirt i trazuar”, shkruar prej Prof. Nexhip P. Alpan: “Veprat poetike, edukativo – morale dhe kulturore të zotit Izet S. Çulli janë trajtuar nga mjaft shkrimtarë, letrarë dhe mendimtarë, si për shembull, nga Prof. Jup Kastrati, Prof. Bedri Dedja, nga poeti i shquar Dhori Qiriazi, nga Prof. Jorgo Bulo,  nga fabulisti i shquar Ferit Lamaj, nga Kadrush Radogoshi, Naum Prifti, Niko Kacalidha, Zisa Cikuli, Lirim Deda e mjaft të tjerë”.

Share This Article
9 Comments
  • Kush i ka lexuar vellimet e tyre poetike.
    Jane 75 apo 20?
    E vetmja veper qe kam lexuar, eshte qe ka shkruar nje veper me 20 deri ne 75 vellime

  • I nderuari Dhimiter ! Shkrimi juaj, ku dalin vlerat humane si mjek , vlerat si tregimtar e fabuliist i mirenjohur,apo dhe si nje mbrojtes i shkelqyer i gjuhes shqipe jo vetm ne Shqiperine meme ,por edhe ne Kosove e Greqi, isherben lexuesit qe jo vetem te njoh se cili eshte shoku yne i nderuar Izet Culli,por mbi te gjitha vepren e tij artistike ,e cila do te mbetet ne jete te jeteve . Eshte e vertet se ata qe e kane harruar librin ,s’kane mundesi te kene lexuar jo vetem Izet Cullin ,por dhe Ismail Kadaren,Agollin e te tjer shkrimtar… Po mire qe lexojne ndonje rresht gazete kur u bie ne dore. Shkrimi juaj eshte krenari edhe per ne shoket e Izetit,sepse Izeti me modestine e tij do te thote : ” jeni ju ,pa jam une. E ke tepruar pak ” Edhe une i them ; jo Izet ,kete shkrim e meriton ne ditelindjen tende. Edhe 100,Izet! I nderuar qofshi edhe ju ,Dhimiter Shtembari qe s’lodheni duke shkruar per njerezit e thjeshte te punes, artiste e shkrimtare.

    • Se gazeta Dita nuk i do arvanitet edhe Aristidh Kolen sepse Alban Dabulli (qe eshte pronari i gazetes Dita) ka marre urdher nga Ilir Hoxha e Sokol Hoxha qe te mos publikohen shkrime per arvanitet. Ilir Hpxha e Sokol Hoxha ashtu kane urdherua edhe RTSH qe te mos flasi per arvanitet edhe deri kur u perhap interneti shume nga vitet 2008 edhe 2009 gati askush nuk i njihte arvanitet ne Shqiperi. Edhe ne regjimin e Enverit nuk flitej fare per arvanitet. Nuk lejohej te permendeshin arvanitet fare. Megjithese Enveri vet i dinte shume mire te gjitha per arvanitet edhe historine e tyre. Para 1990 nuk lejohej te thuhej qe Athina fliste vetem shqip edhe banohej plotesisht nga arvanitet deri ne 1820. Por edhe me vone shqip flitej ne Athine por dale ngadale arvanitet mesuan greqisht se ashtu urdheroi qeveria e greqise qe te gjithe banoret te flisnin gjuhen greke.

    • Verejtje me vend. Eshte harruar te citohet brenda shkrimit. Aristidh Kola, padydshim, ka qene dhe mbetet nje nga figurat me te shquara ne radhet e arvanitasve, me gjak dhe mentalitet shqiptari. Mbase pikerisht edhe per kete shkak u nda nga jeta! Respekte!

  • Respekte Dhimiter Shtembari per kete shkrim – pasqyre per Izet Çullin. Izetin e njoh nga afer. Eshte i thjeshte, i mençur, i pa lodhur, hulumtues, poet, fabulist, shkrimtar, ka bere edhe libra shkencore. Te gjitha perbejne mbi 75 libra. Ka bere mbi 500 parathenie librash te ndryshem te shokeve e miqve shkrimtare. Ka korrektuar mbi 1000 libra. Ne kete fushe eshte me teper se i jashtezakonshem.
    Shtembari more Mirel thote se ka mbi 75 libra te botuara ne mjaft gjini letrare, por ty te vrau veshin shifra 20. Mos u ngaterro. 20 Dhimitri e kishte fjalen per librat me peralla e fabula.
    Sa i perket Aristidh Koljas, ishte jurist me profesion. Po ai e braktisi zanatin qe mund te behej shume i pasur. Po ai nuk ishte PLEPIST si keta tanet. Ai ishte ne krye te Arvanitasve ne Greqi. Ishte mjaft krenar per origjinen e iu perkushtua teresisht çeshtjes shqiptare. Ai botoi mjaft vepra per kombin tone, per gjuhen tone e prejardhjen e saj. Zbulonte rrenjet e saj qe 10.000 vjet me pare. Shkroi per Kosoven, por nuk e perfundoi dot tere vepren. Ai diku ne nje nga librat e tij thote: ” Tu vije turp juve grekeve qe shani Shqiperine dhe shqiptaret…!”. Kete nuk mund ta falnin greket rracista. Ai u shtrua ne spitalin e Athines “Evangjelizmo” ne vitin 2000 per nje grip te zakonshem. Po ate vit, pas pak ditesh ai vdiq ne ate spital. Greket rrezatuan dhomen e shtrimit te tij dhe Koljas iu shpik semundje e pa sherueshme…. I madhi Kolja duhet te vleresohet nga shteti shqiptar. Presidenti yne ti lere dekorimet e qebaptoreve dhe le te merret me kete korife te çeshtjes shqiptare.

  • Ditet Njemije =Bijve dhe bijave Shqiptare-kudo qofshin, me Atdheun JETOFSHIN> Guri Naimit D 1 Janar 2022.

  • I dashur Dhimiter Shtemabri, na ke bere nje pune shume te mbare ne kete ditlindje te dr.Izetit sic e kemi bere zakon ta quajme shokun e mikun tone te viteve 60 e tehu. I ke thene ato qe duhen thene per te, edhe pse ke lene perseri shume pa thene, mbasi dr.Izeti eshte njeri enciklopedik, i thjeshte si pakkush, i heshtur si rrallekush dhe kerkues ndaj vetes per te shprehur vetem ne shqipen e paster cdo gje qe shkruan. Eshte njeri social( ai do te me kritikonte per kete fjale!) dhe jeton me kohen sipas menyres se vet atdhetare.Kam mesuar shume prej librave te dr.Izetit, dhe nuk ka aspak rendesi shifra e tyre, por brendia e spikatur shqiptare e cdo libri qe ka nxjerre dora e tij. Kam mesuar shume edhe nga menyra e te jetuarit thjeshte te dr.Izetit. kam akoma per te mesuar prej penes se tij si dhe disa gjera prej zanatit te tij si mjek neuropsikiater.Ata qe merren me Aristidh Koljan ne komente, le te pastrojne gojen me pare. ne kete shkrim mjafton nentitulli per te treguar madheshtine e tij, qe kish arritur te gjente edhe nje shok te hullive te tij gjuhesore edhe ne Tirane, po prej Tepelene.
    IUroj qe dr. izeti te kaloje 100 vitet shendetplote dhe penepashterur.Uroj qe te kete prane gjithnje edhe bashkeshorten , meriten e madhe per terecka ka bere dr.izeti e ka pikerisht ajo.
    Te lumte pena i dashur dhimiter!
    Ilmi qazimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *