Nëse akoma s’keni vendosur, mos nguroni, zgjidhni Rivierën!

redaktor

Pa pikë mëdyshje destinacioni më i lakmuar turistik për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, por vitet e fundit edhe për turistët e huaj, mbetet Bregdeti i Jugut, ose, e quajtur ndryshe, Riviera Shqiptare. Ajo gjeografikisht fillon në Qafë të Llogarasë, por për të tjerat, që e veçojnë si Rivierë, bregu shkëmbor, uji kaltër, dielli mesdhetar dhe portokallet, fillon më tëhu, në të dalë të Vlorës, në Ujë të Ftohtë, ku shpaloset panorama magjepsëse e një vije bregdetare shkëmbore karakteristikë dalluese e Rivierës, e cila përfundon orë të tëra larg, tej në jug, në Ksamil.

Për kuriozët dhe ambiciozët ka më mirë dhe më tej se Vlora. Bukuria fillon që në Qafën e Llogarasë me një panoramë magjepsëse. Më pas, pasi zbret kthesat interesante të Llogarasë, zbret fillimisht në plazhin e Dhërmiut, një fshat me ndërtime karakteristike që ruan ende fizionominë karakteristike të Bregut. Më tej plazhet e Himarës, Borshit apo Lukovës, që ndodhen pak kilometra më tutje, janë një tjetër alternativë për të pushuar në brigjet e Jonit. Udhëtimi drejt Sarandës dhe Ksamilit i jep fund kësaj perle të turizmit shqiptar që jo më kot klasifikohet si elitar dhe tërheq çdo ditë e më shumë interesin e pushuesve, por edhe të investitorëve.

Plazhi Palasës

Fshati Palasë është fshati i parë i bregut, pasi zbret Qafën e Llogarasë. Është i vendosur në faqen e Malit të Çikës. Pjesë e tij është Plazhi i Palasës me një shtrirje mjaft të gjatë mbi 1.5 km. Ai shërben si vend pritjeje për të apasionuarit pas sporteve të ajrit, të cilët hidhen me parashutë nga Qafa e Llogarasë dhe bien pikërisht në Plazhin e Palasës.

drymades-beach-3

Dhërmiu

Edhe në mos pushon aty, bën mirë të kthehesh. Është një nga fshatrat më të vjetër dhe më të bukur të Bregut. Ndërsa për pushime, nga më të frekuentuarit. Fshati ndodhet në shpat të malit, në terren të thyer, me ndërtime karakteristike, ku dallohet dhe ai i stilit kullë. Interes për vizitorët që pëlqejnë ndërtimet e vjetra është kisha e Shën Stefanit, në të cilën gjenden gjurmë të periudhës bizantine. Mbi fshat gjendet manastiri dhe kisha e Shën Mërisë, të cilat kanë një pamje të veçantë. Përgjatë përroit të fshatit janë edhe disa shpella karstike me interes për t’u vizituar. Plazhi i Dhërmiut është ndër më të mëdhenjtë e plazhit Jonian. Qetësi, bregdet të pastër, por edhe gjelbërimi në disa pjesë të tij i bëjnë të veçanta pushimet në të. Kur zbret në plazhin e Dhërmiut nuk mund t’i rezistosh një rikthimi të dytë. Në zonë ka shumë bare, restorante, apo edhe pika akomoduese. Bregdeti preferohet për pushime ditore dhe kryesisht qëndrim disaditor, ku mund të shijosh rrezet e paradites dhe ujin e kristaltë, por edhe magjinë e perëndimit në det. Eksploratorët e botës nënujore, apo të apasionuarit për të, mund të shijojnë zhytjet në ujin e pastër, ku thellësia joniane fillon që në breg. Shkëmbinjtë që mbyllin plazhin janë labirinte të vërteta natyrore. Vijimi i shëtitjes përgjatë bregdetit shkëmbor, masive që bien thikë mbi det fshehin edhe shpella mjaft interesante për t’u vizituar. E tillë është shpella e Piratëve, e cila gjendet në kodrën e Shën Todrit, për të cilën shkrimtari i mirënjohur Petro Marko, bir i këtij fshati, ka shkruar një roman të tërë. Shpella rreth 30 m e gjatë ka vlera historike dhe turistike. Kur deti është i qetë ajo mund të vizitohet me lehtësi, duke ofruar një pamje të mrekullueshme për vizitorin.

Drimadha

Plazhi i Drimadhës në Dhërmi është mjedisi më i frekuentuar në të gjithë bregdetin e Himarës. Në një vijë bregdetare prej 5-6 km është e vështirë të gjesh tashmë një vend “të lirë”, ku të mos jenë vendosur çadra e shezlonge. Komplekse turistike me banesa të bardha prej druri, të plotësuara me lokale dhe të vendosura nën hijen e pemëve, tashmë kanë rritur kapacitetet akomoduese dhe argëtuese.

Vunoi

Karakteristikë në Vuno janë shtëpitë e ngjeshura me njëra-tjetrën, shtëpitë në faqen e malit janë të gurta. Rrugët me kalldrëm dhe në terren tepër të thyer janë karakteristike dhe të bukura. Sapo kalon Vunoin, relievi fillon e zgjerohet. Zbritja në det prezanton me plazhin e Gjipesë dhe një bregdet në vijim tërësisht shkëmbor.

Gjipéa

Plazh i Gjipesë është i rrethuar nga dy plazhe të njohur, Dhërmi dhe Jalë, ka një formë mjaft të bukur mbasi, pas plazhit, i formuar nga një përrua, ngrihet një kanion me mure deri në 70 metra të lartë. Ky vend i qetë me ujë kristal dhe rërë të hollë, të jep një mundësi të përkryer për të pushuar në heshtjen e natyrës të paprekur. Është e këshillueshme që këtu të merren me vete disa furnizime bazë dhe ujë, pasi këtu nuk ka lokale dhe hotele.

jale-beach

Jala

Sa del nga Vunoi për në Himarë, në një rrugëz që kthen në të djathtë për nga deti, nëpërmjet gurëve që zbresin tatëpjetën, fshihet mrekullia. Jala, është një nga plazhet më të bukur të të gjithë bregdetit jonian, i strukur thellë, mes kodrinave me ullinj e me shtëpitë e bukura të Vunoit mbi kokë, tepër joshës për të rinjtë dhe adhuruesit e vetmisë dyshe. Famën dhe emrin Jala e krijoi që kur u zgjodh nga elita ushtarake gjatë viteve 70-të, për t’u ndërtuar qendra e pushimeve për ushtarakët, e cila vazhdon të funksionojë edhe sot si e tillë. Bukuria e gjirit do t’ju bëjë për vete që lart në kodër, vend i cili i bën të gjithë të ndalojnë për të shkrepur foto. Kjo është edhe arsyeja se pse në internet fotot më popullore të Jalës, janë pikërisht ato të gjirit nga maja e kodrës.

Himara

Prezantimi i parë është me Himarën e vjetër, me kalanë që ngrihet në kodrën në të djathtë të qytetit ekzistues. Brenda mureve të kalasë gjendet kisha, një monument me vlera të veçanta.Sa lë kalanë, në të djathtë zbret rruga që të çon në plazhin e Livadhit, një plazh i bukur, ku kohët e fundit janë ndërtuar shumë hotele dhe restorante. Pasi lë kalanë, rruga të çon në Himarën e Re. Plazhi i Himarës është një tjetër pikë ku mund të shijosh banjat e diellit në bregdetin e pastër, zhytjet në blunë e detit, apo edhe shëtitjet me varka. Në verë, mbipopullimi në zonë është i dukshëm. Për shkak të kapaciteteve të mira akomoduese, të cilat janë hotele, por edhe shtëpi banimi të dhëna me qira në zonën e verës, vizitorët janë të shumtë.

Plazhi i Llamanit

Plazhi ka një hapësirë prej disa mijëra metrash katrorë. Ky kënd i fshehur disi, në bregdetin e Himarës, është ndjellës. Në këtë vend vizitori gjendet mes detit, malit dhe qiellit që duket se tentojnë të bashkohen në një pikë të vetme. Pavarësisht se deri para pak vitesh kushtet ishin modeste, sot gjithçka ka ndryshuar. Struktura turistike është plotësuar në përputhje me standardet më të mira bashkëkohore.

Qeparoi

Menjëherë pas gjirit të Panoramës (Palermos) shfaqet një pamje tjetër e mrekullueshme, lugina e Qeparoit, plazhi, fusha e gjelbër dhe fshati i ri Qeparo fushë; më lart Qeparoit, kalaja e Karosit dhe në thellësi fshati Kudhës. Emri i fshatit Qeparo vjen nga bima e qiparisit. Plazhi i Skalomes, i veçantë për rërën e hollë dhe detin e cekët të shfaqet përpara. Në gjirin e vogël gjendet moli i lashtë, një bankinë prej blloqesh guri, shpella e Frengut dhe Hunda e Madhe.

Borshi

Rreth dy km larg fshatit Qeparo, mes një sipërfaqeje të gjelbër, gjendet Borshi. Ky fshat është i vendosur në një gropë të ngushtë sipër buzës së detit, ku derdhet përroi i Borshit (Buronja e Malit). Ky përrua shpërthen nga shkëmbi në mes të fshatit. Mbi këtë fshat në majë të shkëmbit ngrihet Kalaja e Borshi. Rruga përmes ullishteve të çon në plazhin e Borshit më i gjati i krahinës. Duke udhëtuar midis gjelbërimit mbërrijmë në shkallën e Stenoit, lagje e bukur e Borshit me shtëpi të shpërndara midis gjelbërimit dhe ujërave të bollshme.

hqdefault

Lukova

Nga Buneci përmes parajsës së tarracave rruga të çon në Lukovë. Rrugët karakteristike të çojnë në oborret plot pjergulla e lule të banesave të larta të fshatit. Plazhi këtu është si në të gjithë Rivierën, me një kombinim fantastik ngjyrash, të ujit, të qiellit dhe gjelbërimit rreth e rrotull.

Kakomeja

Pranë rrugës kryesore në luginën e Krekëzës degëzohet rruga drejt Kakomesë, një gji mjaft piktoresk. Plazhi i Kakomesë me rërë e zhavorr të hollë midis variacioneve të kaltërsisë dhe gjelbërimit është një parajsë e vërtetë. Nga Kakomeja nëpërmjet detit mbërrin në dy plazhet e Krorëzit, ku pamja arrin bukurinë e ëndrrave.

Share This Article
5 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *