Vota e 23 qershorit nga disa mund të quhet plebishitare, nga të tjerë votë ndëshkuese, disa e quajnë pragmatiste apo klienteliste, dhe së fundi qeveria në ikje po tenton ta personifikoj si votë të vjedhur nga kupola e krimit. Gjithsesi, kjo analizë mbetet për tu gjykuar nga profesionistët që studiojnë sjelljen e votuesit shqiptar dhe mjedisin mbi të cilin zhvillohet ky proces. E rëndësishme është që populli tregoj se në Shqipëri nuk ka më udhëheqës të përjetshëm. Dhe kjo nuk ndodhi as me një grusht-shteti, as me një revolucion, as me luftë civile apo pushtim të huaj dhe as nëpërmjet vdekjes natyrale. Kjo ndodhi me një formë shumë më të thjesht, mjaft qytetare dhe demokratike; Me votë! Por që kjo formë të kthehet dhe në përmbajtje duhet që pala fituese ta lexojë mirë vullnetin e popullit dhe ta përkthej atë në angazhim konkret pasi kjo votë nuk është thjesht një privilegj por akoma më shumë, një përgjegjësi.
Populli kërkon me endje të njoh të vërtetën, dhe ashtu siç edhe është premtuar, do të ishte e udhës ndërmarrja e transparencës së funksionimit të administratës shtetërore për të projektuar bilancin e deri tanishëm të gjendjes së shtetit tonë, pasi kjo nisëm jo vetëm që është në interes të publikut por dhe legjitimizon vendimmarrjen e mëtejshme të qeverisë së ardhshme. Kryerja e auditimit të përgjithshëm të administratës duke nisur nga bilanci i financave publike, borxhit publik, tenderëve dhe kontratave shtetërore me subjekte private, i mundëson popullit të kuptoj se në çderexhe është katandisur shteti ynë dhe të ballafaqohet njëherë e mire me faktet reale se kush janë sfidat që na presin.
Si rrjedhojë, natyrshëm lind nevoja që një pjesë e madhe e shkeljeve dhe e dështimeve të vendimmarrjes së mëparshme të vihen përpara përgjegjësisë dhe përgjegjësit përpara drejtësisë, pasi kjo është e domosdoshme për një rilindje të përgjegjësive dhe ndërgjegjësimit të zyrtareve shtetëror në vend. Nga ana tjetër kjo do të riste besimin në popull ndaj pritshmërive për klasën politike.
Por në kuadrin e rikthimit të besimit ndaj sistemit të një drejtësie objektive, do të ishte shumë e rëndësishme zgjidhja e një plage sociale dhe njerëzore të shkaktuar nga tragjedia e ‘Gërdecit’ dhe e ‘21 Janarit’. Familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi, një drejtësi e cila në formën më arrogante dhe çnjerëzore të mundshme mohoi gjykimin e përgjegjësve për humbjen e jetës së dhjetëra shtetasve dhe plagosjen e qindra të tjerëve në këto dy tragjedi. Kjo “neglizhencë” e tepruar e drejtësisë ka ushqyer dhe më tepër pakënaqësinë e popullit ndaj këtij sistemi të etiketuar si shumë i korruptuar, klientelistë dhe joprofesional. Për rrjedhojë mos shërimi i kësaj plage do të bënte që kjo qeveri të humbte kredibilitetin dhe kauzën morale për të cilën gjer më sot ka luftuar.
Prandaj është tepër e nevojshme që njëherë e mirë në këtë vend të marri fund ai lloj mentaliteti mediokër dhe patetik ku kultura e mosndëshkueshmërisë dhe motivimi i korrupsionit janë bërë pjesë integrale e formës së të perceptuarit shoqëror dhe e edukimit të brezave tonë të ardhshëm, duke injektuar kulturën e zhvatjes, pangopshmërisë, padrejtësisë dhe shantazhit si forma e artit të jetuarit dhe të arritjes së suksesit në Shqipëri. Kjo duhet çrrënjosur njëherë e mire, dhe pse sot është një nga sfidat më të mëdha politiko-shoqërore të qeverisë së re. Por që të shkulësh një mentalitet që është shpërndarë në mënyrë kapilare, virale dhe në masën maxhoritare të vendit, kërkon realisht një aksion të mirë menduar dhe strategjik. Në këtë kuadër ndoshta do të duhej ndërmarrja e një amnistie kombëtare në lidhje me veprimtarit ku gjenden shkelje pasive që nuk kanë krijuar dëme të rënda për interesin publik, por mbi të gjitha amnistia si nevojë për legalizimin e ekonomisë informale e cila sot përbën mbi 40% të GDP-së së vendit. Në një kohë të dytë, kjo lëvizje pragmatiste jo vetëm do të mbushte arkën e shtetit dhe do të maksimalizonte potencialin e zhvillimit të tregut, por nga ana tjetër do të mundësonte zbatimin objektiv të ligjit në të ardhmen, ku pas kësaj amnistie gjithëpërfshirëse, drejtësia nuk do mund të ketë më alibi për të qenë selektive në zbatueshmërinë e ligjit.
Në të njëjtën kohë, ideja e të majtës për të rikthyer dhe rifilluar bashkëpunimin serioz me institucionet financiare të huaja dhe me organizmat ndërkombëtar me përvojë shumë vjeçare në politikat fiskale dhe monetare duket mjaft pozitive. Kjo, pasi duke patur parasysh situatën ekonomiko-financiare të vendit, nevoja për rikthimin e FMN-së në Shqipëri dhe bashkëpunimin korrekt dhe profesional me Bankën Botërore dhe institucione të tjera ndërkombëtare, do të ishin jetike dhe fondamentale në kapërcimin e krizës ku Shqipëria është përfshirë.
Por në të njëjtën kohë, ashtu dhe siç synohet nga maxhoranca e re, farkëtimi i marrëdhënieve me biznesin si sektori i kryesor i rimëkëmbjes së ekonomisë dhe të ardhmes së vendit, është po ashtu më se i domosdoshëm. Kjo duke zhvilluar tryeza dialogu periodik, vullnet për të mundësuar infrastrukturën dhe klimën e duhur për zhvillimin, dhe sigurinë për vazhdimësinë e investimeve. Paralelisht do të ishte e udhës që monopolet klineteliste të shkatërrohen dhe të zëvendësohen nga konkurrenca e ndershme e tregut të lirë. Pasi kështu do të arrihej një klimë besimi dhe frymëmarrjeje qoftë për sipërmarrjet vendase qoftë për ato të huaja të cilët jo pak herë janë zhgënjyer nga politikat dhe përqasja e zyrtarëve shtetëror.
Së fundi, Shqipëria vazhdon të zotëroj potenciale ekonomike që vinë nga asetet shtetërore si p.sh. hidrocentralet, ndërmarrjet, burimet natyrore, bujqësia dhe turizmi të cilave nuk i është bërë një analizë e hollësishme sesi mund të ishin shfrytëzuar dhe zhvilluar në formën më maksimale të mundshme. Por jo më pak vend zënë dhe ato kontraktime në të cilat qeveria e mëparshme ka dështuar në dhënien me konçension apo privatizimin e tyre (rasti i ÇEZ-it apo ARMO-s). Privatizimi i tyre në sajë të një procesi tenderimi transparent për publikun dhe ndoshta dhe me mbikëqyrje auditorësh ndërkombëtar, do të sillte jo pak të ardhura të majme për buxhetin e shtetit. Projekti i TAP-it gjithashtu, dhe më në fund marrja e statusit të kandidatit, do të sillnin grante, projekte të reja, konsulencë ndërkombëtare dhe vende të reja pune të cilat konsiderueshëm do të ishin një ndihmesë e madhe në lehtësimin e sfidave dhe kostove për qeverinë e re.
Perceptimi dhe ndjekja e një strategjie të tillë mund të krijonte një infrastrukture të shëndosh qeverisëse mbi të cilën do mund të amplifikoheshin më së miri pikat gjithëpërfshirëse të programit të qeverisë së re. Kuptohet që efekti i një pjese të madhe të tyre në rrafshin e zhvillimit të ekonomisë së vendit do të ndihet në një periudhë afatgjate, por e rëndësishme është që qeveria e re të ketë arritur të ndërmarr hapat e duhura për zhvillimin e një ekonomie vendase mbi baza politikash të shëndosha dhe strategjike, duke kapërcyer mentalitetin e një qeverisjeje dritëshkurtër dhe pa vizion historik për të ardhmen. Ndoshta ky do të ishte një start më se pozitiv për 100 ditët e para të qeverisjes së re, duke përcjellur njëkohësisht një vokacion dhe vullnet të ri politik, pasi kjo do të ishte e domosdoshme nëse duam ta shikojmë Shqipërinë më në fund si e gjithë Europa. Në të kundërt, populli di të tregoj më së miri se me votë plebishitare të sjell, e po me votë plebishitare të përcjell.

populli pati besimin ndaj e dha ate RRUFE kunder berishes e klikes se tij shkaterruese per SHQIPERINE…kam nje bindje se qeveria e re me ne krye edin do tja dale mjaf mire mbane puneve CORAP sic e beri sali qeni..