Nëse e mban veten krimb, mos u anko që të shtypin…

Ornela

Asnjë qeveri në botë, nuk fajësohet pse bie tërmet e pse shfaqet pandemia si kjo që po vuajmë në këtë kohë. Asnjë qeveri në botë nuk mund t’i ketë të gjitha mundësitë për të përballuar në një kohë rekord dëmet e katastrofave mbinatyrore…

Por, kur njerëzit e tu, të moshuar, gra, fëmijë e të sëmurë, të cilët kanë mbetur në mes të rrugëve të Atdheut të tyre, të zhuritur nga të nxehtit dhe me buzë të thara për një shishe ujë, këtu, sytë, fjala dhe gishti shkojnë te Qeveria, te ata që na qeverisin. Nuk është ky vit, hera e parë që ndodh kështu në Kakavijë e Kapshticë. Edhe vjet kështu. Edhe parvjet kështu. E kështu me radhë, që  prej 30 vjetësh. Çdo vit e disa herë në vit, pala greke, përfaqësues të shtetit, duke ditur se, ç’përfaqësues kanë këta mijëra njerëz që dergjen para trarit të tyre, i trajtojnë ata çnjerëzisht, siç nuk ndodh nga ne për shtetasit e tyre. Sillen kështu se, qeveritë tona, me radhë, që prej 30 vjetësh, e mbajnë veten para shtetit grek si krimba që, u kanë vrarë njerëz e nuk janë ndier, u kanë rrëmbyer prona e përsëri nuk janë ndier, i fshikullojnë me ligje lufte dhe, këta,qeveritarët tanë, predikojnë për marrëdhënie të shkëlqyera e partner strategjik, të shkelin kufijtë e kërkojnë të t’i rrëmbejnë, e qeveritë tona, zvarriten si krimba pa u treguar kufirin këtyre shovinizmave, siç u është treguar dikur, dhëmb për dhëmb. Nuk ndodh kështu me shtetasit e tjerë joshqiptarë. Vërtetë, rrinë në radhë se, për arsye praktike s’kanë nga parakalojnë, por kur shkojnë te porta greke, nuk iu kërkon njeri analizën e coronavirusit e nuk ua hap njeri bagazhin. Sepse, ata kanë kush i mbron e kush iu del zot. Për shtetasit tanë nuk ndodh kështu. Nuk ndodh kështu sepse, sidomos grekët, e shikojnë se si sillen qeveritë tona  për të drejtat e shtetasve të tyre.

Kemi këto qeveri që, ata, përfaqësuesit e shtetit grek në Kakavijë e në Kapshticë, sillen kafshërisht ndaj njerëzve tanë që, të braktisur nga shteti I tyre, ndihen jetim, pa përkrahje, pa mbështetje, të lënë rrugëve para kufirit grek, por edhe para portës së ftohtë të ambasadës sonë në Athinë.  Njerëzit tanë, hallexhinjtë tanë, kur kanë marrë rrugën e kurbetit, u ka mbetur mendja e zemra pas, te vendi i tyre, te njerëzit e tyre, me shpresën se një ditë edhe ata do të kthehen. Por, kur ata shikojnë se, për ta, shteti I tyre, mezi kujtohet, ose mezi detyrohet, t’iu dërgojë edhe vetëm nga një shishe ujë, atëherë: “Mallkuar qofshin qeveritarët tanë që, s’u dalin zot edhe kur i sheh duke u torturuar në tokën e tyre”…

Nuk do të aksidentohej për vdekje ai fëmija 10 vjeç, nëse nuk do të ndodhej në ato kushte, ku qeveritarët tanë barkngopur dhe çnjerzillëku grek, nuk do t’i linte të braktisur duke pritur, kur do t’u “tekej” grekëve për të ngritur trarin. Nuk do të mbetet kjo fatkeqësi shumë e dhimbshme, kujtim shumë i hidhur vetëm i familjes që e humbi atë fëmijë, sepse nuk ishte aksident në një ditë të zakonshme, siç ndodhin përditë.

Çfarë injorimi! Nuk do të ndodhte gjithë kjo situatë sikur shteti ynë, duke qenë në dijeni të këtyre marifeteve të përvitshme greke (herë duke ndryshuar oraret e punës dhe, herë duke iu prishur kompjuterat..) , do të merrte masat me palën greke për të mos i lënë njerëzit e tyre duke u drobitur para tekave të shtetit grek. P.sh. a nuk mund të shtyhej edhe disa ditë afati I fundit(16 gushti) dhe a nuk mund të zgjatej edhe ca orë, puna në kufirin grek për të mos krijuar këtë ankth e nxitim që, të mos mbeteshin këta mijëra njerëz hallexhinj pa kaluar atje ku i çoi fati i tyre si emigrant?   Sikur të mos kishte media që dhanë alarmin për gjendjen e krijuar, as kryeministri nuk do t’i hidhte në tëitter ato dy  radhë shfajësuese e sugjeruese !… Pse, pas këtij alarmi, diçka po bëhet, qoftë për ndihma emergjente, qoftë për bashkëbisedim me palën greke. Por…, vjen “erë e keqe” porosia që, shtetasit tanë, para se të nisen për në Greqi, duhet të bëjnë tamponin. Ku dhe kur do t’u vijë radha për këtë analizë, kur shihet çdo ditë mungesa e kësaj analize?…

Pse na trajtojnë kështu? Ç’borxh kishin ata dyzetë udhëtarë shqiptarë që i bllokuan në aeroportin e Varshavës?.. Po amerikanë, rusë, francezë, anglezë, etj. kish të bllokuar?…

PETRO STOGOI

Share This Article
3 Comments
  • Mendimin e ke te shkelqyer, por, por puna eshte qe nuk i degjojne dot keto pasi nuk kane raport me te verteten por me mashtrimin e vetes se tyre.

  • Me hallexhijte dhe komentuesit ,,e mesiperm,,. Fatkeqesi c’perjetojme.
    *Na duhet ti kthehemi asaj *Kohe krenare*,qe u tregonte vendin*jugoreve komshi*.
    Dhimbia e madhe popull!

  • Me hallexhijte dhe komentuesit ,,e mesiperm jam,,. Fatkeqesi c’perjetojme.
    *Na duhet ti kthehemi asaj *Kohe krenare*,qe u tregonte vendin*jugoreve komshi*.
    Dhimbia e madhe popull!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *