Kur lexova shifrat e punës së policisë kuptova se 125 persona ishin vrarë përgjatë vitit 2012. Rreth 54.8 % të rasteve ishin zbardhur nga organet shtetërore. S’po dua të bëj llogari përqindjesh, se numri del 68.5. Që do të thotë se janë zbuluar 68 vrasës dhe një gjysmë krimineli. Ndoshta 54.8 është keqkuptuar nga gazetari, ose ndoshta dhe nga unë vetë.
Ajo që më frikësoi është shifra shumë afër gjysmës (½). Gati 50% e rasteve nuk zbardhen. Që të zbulohesh nga shteti shqiptar duhet me çdo kusht të bësh të paktën 2 vrasje. Të parën e ke falas, nga e dyta fillon dhe kërkohesh. Lehtësia e padurueshme e k’saj shifre të frikshme më kujtoi shkrimtarin çek, Milan Kundera, që merr në analizë shprehjen gjermane einmal ist keinmal. Një gjë që ka ndodhur një herë, nuk ka ndodhur asnjëherë. Duke qenë se çdo gjë që ndodh në jetën tonë është e tillë që ndodh vetëm njëherë, kjo e lehtëson peshën e ngjarjes.
Një personazh si Robespier, thotë Kundera, është hero se ngjarja ka ndodhur vetëm një herë. Në emër të historisë moderne, një sakrificë që kujtohej si revolucioni që ndryshoi rrjedhën e jetës në çdo cep të botës kujtohet me simpati. Por nëse ngjarja do të përsëritej pambarim, e do të ndodhte në mënyrë të përpiktë njëlloj, askush nuk do ta jetonte me qetësi prerjen e vazhdueshme të kokave të francezëve. Si në Shqipëri kur sa herë shohim fotot bardhë e zi na kujtohen familjarë që na mungojnë dhe jo momente të diktaturës, apo fjalët e Enver Hoxhës. Pajtim me të kaluarën, se e tillë është natyra njerëzore. E jeton vetëm një herë jetën, e kësisoj improvizon situatë pas situate, me lehtësinë e idesë se gjithçka ndodh vetëm një herë. Sikur të mos kish ndodhur kurrë.
Policia shqiptare si duket ka filluar të lozë në fushën e filozofisë serioze. Një vrasje herën e parë nuk është vrasje. Kjo shpjegon pse në mendje, ndërsa shkruaj, më kalojnë vrasje gjyqtarësh, deputetësh, protestuesish, njerëzish të zakonshëm me vrasje tejet të zakonshme. Një vrasje që ndodh një herë nuk ndodh asnjëherë. Fundja ke jetuar njëherë, s’ke jetuar asnjëherë, thotë Milan Kundera. Je vrarë një herë, s’je vrarë asnjëherë. Einmal ist keinmal.
Lehtësia e papërballueshme e ngjarjeve na bën të harrojmë se numri është 125. Të zbulosh 68, do të thotë që të jenë vetëm gjysma. Por nga ky numër nëse zbresim vrasjet për pasion ku më pas vrasësit janë vetëvrarë, numri bie ndjeshëm. Nëse zbresim dhe numrin e atyre që janë dorëzuar me vullnetin e tyre nuk na ngelen më shumë se 20 raste të zbardhura. Nga këto 20 të zbardhura, duhen zbritur ngjarjet që kanë si motiv gjakmarrjen, duke qenë se ekzekutuesit janë të interesuar të vetëshpallen. Sipas kësaj llogarie i bie të jenë zbuluar më pak se 10 raste vrasjesh. Praktikisht ngjarjet e ndodhura poshtë ndonjë kamere sigurie. Policia filozofe garanton zbulimin e çdo rasti narciz, për të cilin merr dhe përsipër intervista me karakter rikuperues.
Për të kuptuar peshën reale që ka drejtësia në jetët tona mund të shtyhem edhe pak më tutje. Në botën filozofike të einmal ist keinmal-it duket se qëndron dhe pushteti gjyqësor. Nga 68 vrasësit, me siguri dhe në këtë zonë të budizmit avantgardist, kemi skonton pozitive: vret një s’ke vrarë asnjë. Vret dy, dënohesh për një. Pa marrë në konsideratë rastin e Gërdecit ku vret 26 dhe dënohesh si për vjedhje celularësh. Më pas numri bie në 34, ku gjithsesi secili mund të përfitojë nga filozofia në fjalë dhe të marrë vetëm gjysmën e dënimit. Askush nuk çuditet kur sheh në rrugët e qytetit dikë që ka marrë një jetë, ose me shumë. E rëndësishme është që einmal ist keinmal. Ajo që ka ndodhur njëherë nuk ka ndodhur asnjëherë. Mund të vritesh njëherë në një protestë, por për gjykatën kjo s’ka ndodhur kurrë. Mundësisht, nëse vritesh një herë të dytë në një protestë të ngjashme, kjo ka gjasa që të merret në konsideratë.
Ajo që dhemb në dalje publike të kësaj natyre është se autoritetet e dinë se sa e pasigurt dhe e parëndësishme ështe jeta e një qytetari. Ne e dimë që ata po i kthejnë jetët e humbura në një mundësi të suksesshme për teatër. Autoritetet e dinë sesa qesharake dhe e pabesueshme është kjo për ne, por kjo nuk i prek. Fundja einmal ist keinmal. Teatri që ka ndodhur njëherë, nuk ka ndodhur asnjëherë.