Nëse maturantët kopjojnë, mësuesit do largohen nga puna

redaktor

Largohen nga puna nëse vërtetohet që maturantët kanë kopjuar. Një urdhër i mbërritur në të gjitha shkollat e mesme të vendit “detyron” mësuesit që do jenë mbikëqyrës të maturës, që të lënë vendet e punës, në rast se do të lejojnë maturantët të kopjojnë në provime. Rreth dy ditë më parë, të gjithë mësuesve të regjistruar për të marrë pjesë në procesin e administrimit të provimeve të maturës, u është kërkuar që të firmosin pranë shkollave të tyre, shkresën ku konfirmojnë përgjegjësitë për mbarëvajtjen e provimeve, ndërmjet të cilave është përfshirë edhe masa ndëshkimore e paralajmërimit dhe largimit nga puna nëse do të shkelin rregulloren dhe thyejnë heshtjen gjatë provimit, duke ndihmuar vetë maturantët, apo dhe duke i lënë të komunikojnë gjatë orarit në të cilin zhvillohet provimi. Ky është viti i parë në të cilin mësuesve u kërkohet që të firmosin shkresën përkatëse, në të cilën marrin përsipër edhe përgjegjësinë e humbjes së vendit të punës nëse maturantët do të kopjojnë. Në total për provimet e maturës 2014, ku do të marrin pjesë rreth 50 mijë maturantë në të gjithë vendin janë përzgjedhur si administrues të provimeve 3500 arsimtarë, të cilët nga mëngjesi i ditës së sotme, sipas një grafiku të caktuar janë dërguar në të gjitha klasat dhe sallat që janë përzgjedhur si ambiente provimi. Për çdo 15-20 maturantë apo kandidatë të tjerë që japin provim, mbikëqyrja e tyre bëhet nga një mësues, i cilësuar si administrues. Këta të fundit do të lënë vendet e punës edhe në rast se do të lejojnë hyrjen në ambienteve të provimit të drejtuesve të shkollës ku bëhet provimi, si dhe në rastet kur nuk do të bëjnë kontrollet fizike të nxënësve për të mos lejuar rrjedhjen e informacionit të tezës së provimit, sikundër ka ndodhur vite e shkuara.

Detyrat e administruesve të provimit

Autoritetet e arsimit sqarojnë se mësuesit e përzgjedhur si administrues të provimeve janë të certifikuar, si dhe nuk janë mësues të shkollës së maturantit dhe të lëndës përkatëse në të cilën po zhvillohet provimi. Sipas përcaktimeve të bëra në rregulloren e provimeve, administruesit e provimeve nuk duhet të lejojnë prezencën e drejtuesve të shkollave gjatë zhvillimit të provimit. Më tej specifikohet se administruesit e provimeve duhet të fillojnë identifikimin e maturantëve 1 orë e 30 minuta para nisjes së provimit, sipas listës emërore të dërguar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, listë e cila është e detajuar dhe e specifikuar për çdo sallë provimi. Ndëshkimet do të merren edhe në rastet kur gjatë zhvillimit të provimit mbajnë celular, nuk u lejohet që të ndërrojnë vendin e përcaktuar të maturanti, edhe në rast se ai mungon në ditën e provimit duhet lënë bosh. Administruesi i provimeve shpërndan dhe grumbullon për çdo maturant testet sipas llojit të përcaktuar në listën e sekretimit, si dhe duhet të lajmërojë përgjegjësit e tjerë në rast se maturantit i duhet të ndërrojë test, pasi i është dhënë test i lëndës që nuk e ka zgjedhur, apo që nuk përshtatet me testin e shkollës. Krahas mbikëqyrjes së rreptë të maturantëve, administruesi i provimeve duhet që të kontrollojë testin e dorëzuar nëse ka dëmtime si: palosje, grisje, zhubrosje, dëmtim të barkodit apo mosvendosjes së tij.

Si është bërë shpërndarja e tezave të provimit

Shpërndarja dhe grumbullimi i materialeve të provimeve është bërë nën masa të rrepta sigurie, dhe në çdo rast është plotësuar procesverbali përkatës. Ndarja e testeve ka nisur së pari me rrethet më të largëta të vendit, për të përfunduar në orët e para të mëngjesit të sotëm me rrethet e afërta, si dhe me shkollat e kryeqytetit. Kutitë me testet e maturantëve janë tërhequr në Agjencinë Kombëtare të Provimeve nga një person i autorizuar i Postës Shqiptare, në prani të përfaqësuesit të autorizuar të Ministrisë së Arsimit, dhe të shërbimeve të policisë së shtetit, sipas një grafiku të përcaktuar. Personat e autorizuar mbajnë përgjegjësi për ruajtjen e sekretit dhe sigurimin e materialeve të provimit. Materialet e çdo provimi kanë mbërritur në komisionet shkollore të maturës vetëm 30 minuta para nisjes së provimit.

 

Paralajmërimi për largim nga puna

Masat ndëshkimore me “Paralajmërim për largim nga puna”, e cila më pas depozitohet në dosjen personale të mësuesit jepet në rastet kur mësuesi lejon hyrjen në provim të maturantit, pa ushtruar ndaj tij kontrollin fizik për mos lejimin e celularëve apo mjeteve të tjera që mund të përdoren për kopje. Ky penalitet shkon për mësuesit edhe në rastet kur nuk plotësojnë procesverbalin për çdo test të ndarë tek maturanti në ditën e provimit, kur lejon hyrjen në ambientet e provimit të personave të paautorizuar , nuk njofton dhe hedh në procesverbal siç duhet të gjitha parregullsitë e konstatuara, si dhe kur nuk plotësojnë me saktësi formularin përkatës për zhvillimin e provimit.

Largimi nga Puna

Masa ndëshkimore “Largim nga puna”, e cila pasqyrohet në librezën e punës së mësuesit jepet në rastet kur ata thyejnë rregulloren dhe hapin testet më para ose lejojnë rrjedhjen e informacionit pasi tezat kanë mbërritur në ambientet e provimeve. Kjo masë merret edhe në rastet kur administruesi i provimit lejon hyrjen në ambientet e shkollave të drejtuesve të shkollave gjatë zhvillimit të provimit, kur nuk kryen siç duhet identifikimin e maturantëve sipas orarit të përcaktuar, kur nuk ka marrë pjesë në trajnimin certifikues, kur është mësues i shkollës ku zhvillohet provimi, kur vërtetohet se mbajnë celular, kur nuk i ulin maturantët në sallat e provimit sipas renditjes së rekomanduar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, ata nuk duhet të lejojnë maturantët që të dalin nga provimet pa mbaruar orari zyrtar i provimit, si dhe kur nuk raporton parregullsitë tek përgjegjësit administrues të procesit të maturës, etj.

 

Largimet edhe për korrigjimet e pasakta të testeve  

Penalzimet do të jenë edhe për mësuesit që do të përzgjidhen për korrigjimin e provimeve. Në rast se do të konstatohen korrigjime të pasakta, atëherë mësuesi vlerësues do të ndëshkohet me humbje të vendit të punës. Procesi i korrigjimit të provimeve do të zhvillohet në disa qendra të specializuara, të cilat janë përcaktuar tashmë se ku do jenë. Nxjerrja e rezultateve të provimeve do të bëhet brenda 15 ditëve të ardhshme. Mësuesit që do të përfshihen në procesin e korrigjimit do të marrin një pagesë të caktuar e cila varet nga numri i orëve të shpenzuara në procesin e korrigjimit të teste.

Vaksinimi kundër tërbimit, fushata e ndërgjegjësimit nis me nxënësit e shkollave

Fushatë mbarëkombëtare për ndërgjegjësimin e vaksinimit kundër sëmundjes së tërbimit nis me nxënësit e shkollave të arsimit parauniversitar. Arsimtarët e përzgjedhur si pjesë kryesore e kësaj fushate duhet të përçojnë tek nxënësit rëndësinë që ka vaksinimi ndaj kësaj sëmundje, por edhe se si të sillemi përballë shenjave klinike kur personi është i prekur nga virusi i tërbimit. Fillimisht janë përzgjedhur disa shkolla të ndryshme në 10 qarqe të vendit, të cilat do të jenë të parat që do të iniciojnë këtë fushatë, e cila më pas do të kalojë në një tjetër stad që ka të bëjë me vaksinimin nga ajri të kafshëve që janë në territorin e vendit tonë. ”Bëhet për herë të parë në Shqipëri dhe roli i prezencës dhe i mbështetjes që do të japin institucionet e arsimit parauniversitar dhe i atij universitar. Do të ketë disa procese në mënyrën sesi do të bëhet vaksinimi kundër tërbimit të kafshëve të cilat mbartin këtë sëmundje dhe shfaqin rrezik për popullatën dhe njëkohësisht një ndërgjegjësim për të ruajtur dhe për të parë cilat janë fazat e rrezikut që do të ndodhi”, ka deklaruar gjatë nisjes së kësaj fushate zëvendësministrja e arsimit Nora Malaj. Sipas të dhënave nga institucionet shëndetësore, thuhet se sëmundja e tërbimit ka si agjent transmetues dhelprën e kuqe. Për të parandaluar përhapjen e rasteve në Shqipëri është parashikuar që dy herë në vit, në pranverë dhe vjeshtë për të paktën 5 vjet të vaksinohet e gjithë popullata e dhelprave në vendin tonë, ndërkohë që ky projekt që do të mbështesë Ministrinë e Arsimit dhe Sportit por edhe atë të Bujqësisë, do të jetë nën asistencën financiare të Bashkimit Evropian. Ky aksion mbështetet në dy faza. Në fazën e parë, do të zhvillohet fushata sensibilizuese për ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe komunitetit, nëpërmjet mësuesve, fletëpalosjeve dhe

veprimtarive të tjera edukative. Ndërkohë që faza e dytë do të konsistojë në vaksinimin e

kafshëve. Zëvendësministrja Malaj, theksoi gjithashtu që nëpërmjet partneritetit me Ministrinë e Bujqësisë, do të organizohen dhe shkolla verore me qëllim trajnimin e nxënësve për mënyrën e sjelljes dhe mbrojtjes ndaj kafshëve. Kjo fushatë vjen në kuadër të projektit “Shkolla si Qendër

Komunitare”, me qëllim jo vetëm përçimin e dijes brenda orarit mësimor, por edhe projektimin e

edukatës qytetare pas orës së mësimit për të gjithë komunitetin përreth.

Share This Article
1 Comment
  • nuk kane faj mesuesit se pse kopjojne nxenesit 🙁 po qe per keshtu atehere mesuesi ta ndeshkoje nxenesin qe kopjon 🙂 prandaj nuk duhet te kopjojmre shpesh 🙂 🙂 🙂 : ) 🙂 🙂 🙂 🙂

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *