Ishin pak më shumë se fëmijë, kur Jorge Mario Bergoglio, i cili u zgjodh dje papë, dhe bashkëmoshatarja e tij, Amalia, kishin një marrëdhënie që ishte më shumë se miqësi e thjeshtë. Shumë dekada më vonë, Amalia, një zonjë e moshuar me flokë të bardhë, tregon për lidhjen me Bergoglion, duke folur për mediat argjentinase. “Nëse nuk martohem me ty, do të bëhem prift”, i ka thënë Françesko I të dashurës së rinisë. Amalia sqaron se ishte e dashura e tij, por në një kuptim të pafajshëm, pasi “nuk më propozoi kurrë gjëra të këqija”, thotë ajo. Gruaja tregon sesi në atë kohë, Bergoglio i dërgoi një letër dashurie, ku ishte vizatuar një shtëpi e bardhë në të cilën dëshironte që të jetonte me të. Letra u gris nga nëna e Amalias dhe dy të rinjtë nuk u martuan kurrë, por shtëpia e bardhë u bë pjesë e jetës së Marios shumë vite më vonë, pikërisht një ditë më parë, kur u zgjodh në postin e papës në Vatikan.