Pas 15 ditësh shërbimi urban do të pezullohet gjatë gjithë ditës në rast se nuk do të gjendet një zgjidhje për shlyerjen e pagave të punonjësve të transportit publik. Drejtuesit e linjave të urbanit pas grevës 4-orëshe të zhvilluar mëngjesin e ditës së djeshme kërcënojnë për nisjen e grevës 24 orëshe nëse pushteti vendor dhe ai qendror nuk i jep një zgjidhje situatës së vështirë financiare në të cilën pretendojnë të jenë zhytur shoqëritë e transportit publik. Kryesindikalisti i transportit shqiptar, Zija Hasani tha se deri tani, kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët, duke shtuar se pas grevës së punonjësve të transportit publik të Tiranës do t’i bashkëngjiten edhe linjat e transportit mes qyteteve. “Kjo ndërprerje si shkak i prishjes së marrëveshjes së 20 dhjetorit 2013 me shoqatën e transportit urban pasi kanë dy- tre muaj pa paguar pagat e punonjësve. Në 20 janar duhet të paguheshin edhe pagat e prapambetura. Në bankë nuk është derdhur as paga e muajit janar”, u shpreh gjatë grevës së djeshme Zija Hasani. Përveç rritjes së çmimit të biletës së udhëtimit nga 30 në 70 lekë, përfaqësuesit e sindikatës kanë kërkuar edhe heqjen e akcizës së naftës, uljen e TVSH-së, si dhe subvencionimin e kategorive që përfitojnë udhëtim falas. Marrja e këtyre masave të fundit do u vijë në ndihmë shoqërive në shlyerjen e borxheve që kanë, në mënyrë që të anashkalohet rritja e çmimit të biletës.