E ndërsa institucionet e arsimit të lartë publik në vend raportojnë me mijëra kuota të lira studimi, ka nisur tashmë edhe konkurimi në radhët e maturantëve dhe kandidatëve të tjerë jofitues. Dita e nesërme shënon afatin e fundit që maturantët kanë në dispozicion për t’u rikthyer në garë për studimet e larta duke plotësuar formularin e ri të preferencave për kuotat e lira të raundit të dytë.
Sipas udhëzimit të shpallur më herët nga dikasteri i arsimit në këtë raund mund të aplikojnë të gjithë maturantët dhe kandidatët që kanë mbyllur me sukses Maturën Shtetërore, që plotësojnë këto kushte: nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë, ose kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk janë shpallur fitues. Po ashtu mund të garojnë edhe kandidatët që kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk kanë arritur të regjistrohen për arsye të ndryshme, si dhe ata që janë çregjistruar pas përfundimit të raundit të parë. Aplikimi edhe në këtë rast do të mund të kryhet online në cilindo mjedis që ka akses interneti duke respektuar të gjitha procedurat e përshkruara në udhëzuesin teknik të publikuar në faqen zyrtare të RASH-it.
Edh për kuotat e lira të raundit të dytë, aplikimi do të kryhet nga portali “U-Albania”, duke aksesuar në adresën: www.ualbania.al, ku sërish gara do të zhvillohet me 10 preferenca të reja, sipas kuotave të lira të raportuara në çdo degë. Për të bërë përzgjedhjen e duhur të degëve lexoni me kujdes rregullat e degëve për mesataren e konkurimit që kërkohet në çdo program studimi, si dhe kriteret e tjera specifike të përcaktuara nga vetë fakultetet për çdo program studimi që ato ofrojnë. Plotësimi i formularit për kuotat e raundit të dytë nuk do të lejohet për maturantët, apo kandidatët që nuk kanë shlyer më parë tarifën e konkurimit prej 2,000 lekësh.
Gjithashtu, para se të plotësoni formularin, duhet të rishikoni me kujdes kriteret e pranimit të miratuara nga secili universitet, si dhe pikët e fituesit të fundit të përzgjedhur në raundin e parë të pranimeve të realizuar përgjatë vitit të shkuar. Në këtë mënyrë ju do të keni mundësi që të përfshini në formularin A2 degët ku keni më shumë shanse për të qenë fitues. Regjistrimi i preferencave do të bëhet në të njëjtën kohë, si për kandidatët që duan të fitojnë të drejtën për të vijuar studimet në një nga degët e universiteteve publike, ashtu edhe për strukturat private të arsimit të lartë që veprojnë në vendin tonë.
Lidhur me llogaritjen e mestares, autoritetet e arsimit sarojnë se nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve, si vijon: “mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore”. Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve 2-vjeçare me karakter profesional, në degët e arteve, apo edhe të sporteve nuk do të aplikohet kriteri i mesatares në konkurim. Fituesit në këto programe do të përzgjidhen kryesisht nga rezultatet e konkurseve praktike që do të zhvillohen përgjatë muajit gusht.
Shpallja e fituesve të këtij raundi do të bëhet publike në datën 28 shtator, ku pas mbylljes së procedurave të ankimimit do të zhvillohet edhe procesi i regjistrimit të fituesve sipas datave të përcaktuara. Ndryshe nga raundi i parë, fituesit e raundit të dytë do të regjistrohen në 5 faza 48-orëshe që do të zhvillohen ndërmjet datave 30 shtator-9 tetor. Për regjistrim (mund t’i dorëzoni personalisht ose nëpërmjet një përfaqësuesi të autorizuar me prokurë nga ana juaj) duhet ky dokumentacion: dokument identifikimi (pasaportë ose kartë identiteti). Në dosje mbahet vetëm fotokopja, fotokopja e noterizuar e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave, deklaratën të cilën e gjeni në udhëzimin e plotë, duhet ta printoni dhe plotësoni në sekretaritë e degës së studimit ku do të regjistroheni.
Në raundin 2 mund të aplikojnë:
- Maturantët dhe kandidatët e tjerë që për arsye të ndryshme nuk kanë arritur dot që të aplikojnë në raundin e parë.
- Maturantët dhe kandidatët që kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk janë shpallur fitues.
- Maturantët dhe kandidatët që kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk kanë arritur të regjistrohen për arsye të ndryshme.
- Kandidatët që pasi u regjistruan si fitues, bënë dhe çregjistrimin pas përfundimit të raundit të pare, me qëllim rikthimin në garë për një tjetër degë më të preferuar.
