Shqipëria do të jetojë nesër një situatë krejt të veçantë, kur do të mblidhen thuajse njëkohësisht dy kabinete qeveritare. Sali Berisha ka njoftuar për nesër në orën 11:00 mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, ndërsa Edi Rama prej disa ditësh ka bërë të ditur se më 21 gusht do të mbledhë ministrat e rinj. I vetmi ndryshim qendron në faktin se qeveria “Berisha” do të mblidhet në selinë e kryeministrisë në Tiranë, ndërsa qeveria e ardhshme “Rama” do të mblidhet në Vlorë.
Sidoqoftë, takimi i Ramës me ministrat e rinj pritet të jetë jozyrtar, ndonëse ai do të jetë i pari për kryeministrin e ardhshëm. Më parë, Rama ka zhvilluar një takim me ministrat që i përkasin Partisë Socialiste, ndërsa tashmë ekipi i tij do të jetë i plotë edhe me ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kuvendi i ri pritet të mblidhet më 9 shtator dhe vetëm atëherë do të nisin procedurat për emërimin e qeverisë së re PS-LSI.