Duke filluar që nga dita e nesërme, 16 qershor, KQZ nis shpërndarjen e bazës materiale logjistike zgjedhore për procesin zgjedhor të 21 qershorit. Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj tha se procesi transportimit të bazës materiale zgjedhore logjistike për t’u shpërndarë nga KQZ në çdo KZAZ do të kryhet në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes.
“Në këto fazë të procesit, është e domosdoshme që të gjithë anëtarët e 90 Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të jenë në gatishmëri në KZAZ-të përkatëse, për pritjen e bazës materiale zgjedhore, si kutitë e votimit, kutitë e materialeve zgjedhore, fletët e votimit, vulat që do të përdoren nga Komisionet e Qendrave të votimit, vulat me kodet e sigurisë, e të tjerë”, njoftoi Hoxhaj.
Gjithashtu, në zbatim të detyrimeve ligjore të parashikuara në Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po zhvillon trajnime me anëtarët e komisioneve zgjedhore të nivelit të dytë sipas programit të trajnimit, i cili është bërë tashmë publik dhe i është vënë në dispozicion edhe partive politike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstaton se pjesëmarrja në këtë trajnim nuk ka qenë e plotë, pavarësisht njoftimeve publike dhe angazhimit maksimal të KQZ për të siguruar mbarëvajtjen e këtij trajnimi të rëndësishëm për procesin zgjedhor, dhe situata paraqitet shqetësuese në qarqet, Gjirokastër, Shkodër dhe Sarandë ku nuk është paraqitur asnjë komisioner në vendet e trajnimit.
