Kapiteni i Partizanit, Nderim Nexhipi e nisi konferencën e radhës për shtyp në klubin e kuq me një sqarim për të gjithë tifozët e Partizanit, duke hedhur kategorikisht poshtë zërat se formacioni i Shpëtim Duros do të tolerojë përderisa ka dalë jashtë objektivit titull. Sipas 30-vjeçarit një klub i madh si Partizani kurrsesi nuk ka objektiv tjetër veç fitores.
Nexhipi, jeni quajtur njeriu i derbit. Keni bërë premtime te stafi drejtues, te presidenti, po ndonjë premtim publik keni?
Premtimi publik është që do të japim shpirtin në fushë që të fitojmë edhe këtë derbi, i cili do të jetë i treti radhazi. Kam dëgjuar shumë thashetheme këto ditët e fundit, por të gjithë e dinë se Partizani është një ndër klubet më të mëdhenj këtu në Shqipëri dhe në çdo ndeshje luan për fitore. Kështu do të bëjmë dhe këtë herë, ku do të tentojmë të fitojmë derbin e së hënës.
Premtoni një tjetër gol ndaj Tiranës?
Shpresoj që të shënoj sërish kundër Tiranës. Do të ishte me të vërtetë mirë, por shumë më kryesore është fitorja, që të arrijmë të fitojmë edhe një tjetër derbi.
Tre ndeshjet e para derbi janë luajtur për kreun, si ju duket tashmë që objektivat kanë ndryshuar?
Në tre derbet e mëparshme ishte fillimi apo mesi i kampionatit, ndërsa tani po afrohet fundi. Gjithsesi është interesat, sepse edhe Tirana ka ambiciet e veta që personalisht nuk më interesojnë, pasi unë shoh punën tonë. Shpresojmë të fitojmë, që të dalim në vend të dytë, në mënyrë që të arrijmë objektivat që kemi.
Sa deçiziv është derbi për pjesëmarrjen në Kupat e Europës, pasi kalendari për ju është relativisht i lehtë?
Çdo ndeshje në këtë kampionat ka qenë e vështirë. Kemi ndeshjen e radhës tani që është derbi me Tiranën, që siç e thashë do të tentojmë ta fitojmë. Do të ishte shumë mirë për ekipin, sepse do të ngjiteshim në vend të dytë dhe do të tentonim ta mbajmë deri në fund. Pra, nëse nuk arrijmë vendin e parë, të renditemi të dytët.
Jeni i kënaqur me një barazim?
Në derbi janë të tri rezultatet e mundshme. Unë them që do të futemi në fushë për fitore dhe shpresojmë t’ia arrijmë qëllimit. Do të ishte mrekulli, pasi do të ishte hera e parë në historinë e klubit që do të fitonim tre herë radhazi në një kampionat.
Do të shënoni, apo do të hapni serinë e golave edhe në këtë derbi?
Unë e thashë që dëshira ime është të shënoj, por më e rëndësishme është që të fitojmë derbin e tretë të këtij sezoni.
Ju përmendët thashethemet për ndonjë lëshim në derbi nga ana e Partizanit. Mendoni se do të ndikojnë tek atmosfera brenda në stadium nga ana e tifozëve fjalët e përhapura për tolerim?
Për mua janë me të vërtetë qesharake fjalët e përhapura për tolerim në derbi. Kam dëgjuar gjëra të tilla, por për mua si futbollist këto thashetheme të japin motivim akoma më shumë, për të dhënë maksimumin në fushë, edhe pse atë ditë nuk ka motivim më të madh, pasi luan vetë në derbi. Pres që ta shoh stadiumin me ngjyrë të kuqe.
A keni më shumë ankth në këtë derbi, apo është e njëjta ndjesi si në tri ndeshjet e kaluara?
Është derbi i fundit dhe është mjaft i rëndësishëm për të dy ekipet, që në fushë do të dalin për të fituar. Për ne ka mjaft rëndësi, pasi duam të sigurojmë Europën.

Kapiteni yne i mire dhe mjaft elegant e me tru ne fushe! Do ishte nje mrekulli sikur te realizonit nje tjeter fitore… Suksese KAPITEN!